REFORMAT NË LDK (3)
Shkruan: Shefqet DIBRANI*
Postet e dyfishta janë bërë parime të rregullta për kreun ekzekutiv të LDK-së. Duke nisur nga kryetari i LDK-së dr. Fatmir Sejdiu, që ka të paktën dy poste, ky ves është bartur e zgjeruar kate kate duke u shtrirë deri në skajin e fundit të këtij organizimi. Tashti kryetari i partisë nuk ka as fuqi morale, as njerëzore, (sepse për ato juridike e statusore as që mund të bëhet fjalë) ti thotë dikujt të lë njërin post, ai dhe vetëm ai duhet t’i prinë valles së dorëzimit të posteve të mbetur peng që prej kohësh. Tash ai nuk mund ta përmirësoj këtë gjendje kaq të shkret pasi ai vet është personi i parë që e ka shkel këtë parim, qoftë ky moral, politik a ligjor. Pa lërë më t’i shkoj mendja dikujt nga ky klan të luftoj të keqen në Qeveri, në Institucionet e shtetit, sepse para se të flasin për oborrin e fqinjit duhet ta pastrojnë së pari oborrin e vet. Ndonëse qasja ime ka prizmin LDK-në të gjitha ilustrimet do t’i marrë brenda kësaj kornize, për të parë anëtarësia dhe mbase edhe elektorati me çfarë biçim kryesie kemi të bëjmë fjalë.
LDK-ja, kurrë nuk ka qenë parti që i kanë munguar kuadrot, madje në asnjë periudhë kohore, por LDK-ja gjithmonë ka vuajtur nga klane të interesit, nga njerëz të dobët që janë shtyrë me bërryla, të cilat kanë qëndruar gjithmonë afër Kryetarit të Partisë dr. Ibrahim Rugova, dhe në saje të asaj afrie i kanë eliminuar, i kanë injoruar dhe e kanë dobësuar LDK-në aq shumë, aq keq sa e kanë bërë Partinë e Tyre të stërkequr sa për t’iu ardhur keq edhe kundërshtarëve të përhershëm të kësaj partie.
Ky klan ka emër dhe mbiemër, të cilët s’kanë bërë gjë për partinë, për shoqërinë dhe as për Kosovën në përgjithësi. Ky klan kaq i shkret erdhi në krye të LDK-së në një kohë me re sterrë, pikërisht atëherë kur Kosova po hynte në “Netët e Bartolomeut”, dhe në saje të një shantazhi politik që i ndodhi partisë në Kuvendin e Tretë të saj zgjedhor që u mbajt në Prishtinë më 25 shkurt të vitit 1998. Tani më në kryesinë e dal nga ky kuvend erdhën ata që nuk kishin asnjë meritë politike dhe asnjë kredibilitet politik.
Ky klan që nga ajo ditë nuk kanë lëvizur nga ato poste, thuaja se i kanë me tapi, edhe pse janë mbajtur kuvende të radhës të cilat vetëm sa e kanë topitur edhe më tej mendjen e këtyre njerëzve, dhe i kanë stagnuar reformat e brendshme të cilat është dashur të kryhen që moti. Për fat të keq brenda LDK-së vetëm sa janë forcuar edhe më tej klanet e interesit të cilat u panë sidomos pas vdekja së Kryetarit të Partisë dr. Ibrahim Rugova ku do t’i qesin në pah të gjitha anomalitë që e kanë shoqëruar këtë parti edhe për të gjallë të kryetarit Rugova, por hija dhe prestigji i tij i mbulonte të gjitha marrëzitë.
Pas vdekjes së Rugovës për emitator i Dr. Rugovës u gjet Dr. Fatmir Sejdiu, i cili u bë edhe President i vendit, pa ma të voglin shqetësim se kredibiliteti i tij nuk i ngjante as për së afërmi atij të Presidentit Rugova, por Fatmiri ynë me të vërtetë pat fat të mirë se u bë President i Kosovës. Edhe ky e ngriu postin e kryetarit në parti, duke mos llogaritur se imixhi i tij nuk e kishte atë vlerën që e pati kryetari i deriatëhershëm i LDK-së.
Pas kryetarit të partisë në LDK do të gufojnë veprimtarë të cilët ishin në margjina të veprimit dhe tejet të pa njohur edhe për vet LDK-në, të cilët do të grafullojnë si tambli mbi zjarr. Ndër njerëzit më kontrovers të LDK-së i cili në emër të disa “testeve dramatike për të mos thënë demokratike” do ta katandis LDK-në aty ku është sot. Nënkryetari i parë i LDK-së Eqrem Kryeziu, i cili për vite të tëra ishte kryetar i Degës së LDK-së dhe i Kuvendit Komunal në Prizren, që edhe atje e ka fundosur një herë e përgjithmonë LDK-në, duhet t’ia vë gishtin kokës.
Tani Eqrem Kryeziu në Prishtinë po bë gallatë me LDK-në, duke e fyer elektoratin dhe popullin e Kosovës në përgjithësi. Postet e tij jo që janë të dyfishta por më duket misioni i tij prej një shkatërruesi është edhe më shumë se i dyfishtë, më shumë se shqetësues.
Në poste të larta, ndër më të rëndësishmet për Kosovën, do të ngjitet përkthyesi i deriatëhershëm i dr. Rugovës z. Skënder Hyseni, i cili është bërë për të hyrë në Librin e Rekordeve Botërore – Genis, se nga një mësues shkollash në Llap, nga përkthyes mekanik, do të bëhet Këshilltar Politik i Presidentit, pastaj do t’i vazhdojnë postet udhëheqëse të një pas njëshme si: Udhëheqës i grupit negociator, zëdhënës i atij grupi për bisedime, do të bëhet Ministër i Kulturës dhe së fundi si “diplomat?!”, atij do t’i besohet posti i Ministrit të Punëve të Jashtme, funksion ky mjaftë delikat për Kosovën.
Poste të rëndësishme me standarde të dyfishta kanë kryesisht një klan, i koncentruar në kryesinë qendrore të LDK-së të cilët në përpjekje për t’i mbrojtur interesat personale janë duke shkelur mbi çdo parim moral, etik e politik të një partie me program e statut siç është LDK-ja. Do të ishte mirë të bëhej një hulumtim nga vetë anëtarët e LDK-së dhe t’i shohin të gjithë funksionarët e LDK-së që kishin dhe kanë funksione të dyfishta, pastaj deputet dhe kryetar komunash që vijnë nga radhët e LDK-së të cilët ushtrojnë edhe sot e kësaj dite dy e madje deri në pesë funksione?!…
Ta zëmë një kandidat i LDK-së është edhe anëtarë i Kryesisë Qendrore, është anëtar i Këshillit të Përgjithshëm, mund të jetë deputet, kryetari degës, Kryetar i kuvendit komunal dhe madje edhe në një varg komisionesh e nën komisionesh që uzurpohen vetëm nga një klan i vogël, në vend që të ndodhte e kundërta për të angazhuar dhe motivuar sa më shumë njerëz, përkatësisht një shoqëri të tërë.
Veçmas në LDK ka ndodhur që kandidati i kësaj partie për kryetarë Komune ku ka dështuar, të bëhet më vonë Ministër siç ka qenë rasti me Sadri Feratin. Shtrohet pyetja cili qytetar do të pranonte të bëhej Kryetari i një Qyteti siç është Mitrovica përplot me telashe karshi postit të ministrit që e gëzon tashti. Pastaj Kryetari i Shtabit Zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës ishte Lutfi Haziri, ndonëse i humbi zgjedhjet në mënyrë katastrofale ai u shpërblye nga partia e tij me postin e Ministrit të Kulturës, ndonëse edhe vet u pat deklaruar se do të merret me reformat në parti.
Kryetar komunash e degësh të LDK-së u bënë Ministra, zëvendëskryeministra dhe pas mossuksesit do të rikthehen përsëri në kryetar komune siç ka vepruar Agim Veliu në Podujevë, madje duke e rikthyer edhe postin e kryetarit të Degës së LDK-së në këtë komunë, pavarësisht se është edhe anëtarë i Kryesisë Qendrore dhe i Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie. Po ashtu LDK-ja do të arrin t’ua shëroj komplekset edhe disa ministrave të dështuar të cilët do të provojnë me marrë pushtetin lokal në komunat e tyre siç ishte rasti me Astrit Haraçin në Gjakovë dhe së fundi me Fatmir Rexhepin në Gjilan.
Ky paradoks e shoqëron LDK-në qysh moti dhe avazi i të ushqyerit të apetiteve të tyre nuk ka të ndalur, dhe askush nuk jep llogari për dëmet që iu kanë shkaktuar LDK-së. Zinxhiri i posteve të dyfishta që mbajnë njerëzit e LDK-së është i gjatë, unë nuk falë askënd, dhe nuk desha t’i apostrofoj as këta që e ilustrova shkrimin tim. Qëllimi i vetëm është që LDK-ja të reformohet rrënjësisht dhe këto anomali të spastrohen qoftë në Këshillin e Përgjithshëm ose edhe më mirë në Kuvendin e Partisë për të cilin flitet se do të mbahet sivjet.
Nëse vetëm në këtë pikë do të ishte korrigjuar LDK-ja, ajo do të bëhej një parti moderne dhe do t’ia siguronte fitoren vetes në cilat do zgjedhje që do të mbahen. Kjo që po flas nuk është utopi, sepse të punësuar në shkallë vendi, nga radhët e LDK-së do t’i kishim ¼ e Kosovës, dhe kjo gjë do të reflektonte pozitivisht për një efikasitet partiak, shtetëror dhe qe besa edhe nacional. Kjo do të reflektonte imazh pozitiv për proceset demokratike që po kalon Kosova, kurse njerëzit e LDK-së do ta mbronin më mirë njëri- tjetrin, e jo duke e shantazhuar njëri tjetrin ashtu sikurse kanë bërë deri më tashti. Vetëm duke e mbrojtur njëri tjetrin, vetëm duke i angazhuar dhe avancuar më të aftit, vetvetiu do t’i mbronin vendet e tyre të punës, do të joshnin kuadro të forta e personalitete të shquara për t’u anëtarësuar e angazhuar në strukturat politike në parti dhe më gjerë.
Jo vetëm LDK-ja por cilado parti politike që do të mundet ta bënte një këso reforme, sigurisht ajo parti do të reformohet më shpejt dhe do të merr pushtetin në Kosovë, në një të ardhme jo aq të largët. Por meç unë jam duke u marrë me reformat në LDK, kritikat po i drejtoj pikërisht drejt saj, e cila sot është në një krizë të thellë, morale, politike dhe organizative. Fundja e fundit kriza politike LDK-së i ka ardhur jo nga partitë konkurruese, por thjeshtë nga grupet dhe klanet e interesit që janë brenda partisë.
E.Mail: shefqet.dibrani@bluewin.ch
Zvicër, 26 maj 2010.
*Autori, është anëtarë i LDK-së që nga viti 1989, për vite të tëra ishte anëtar i kryesisë së Degës së LDK-së në Zvicër dhe i Nëndegës në Kantonin St. Gallen, ku ai jeton. Po ashtu autori i shkrimit ishte delegat në dy Kuvendet e LDK –së në Prishtinë të mbajtura në vitet 1994 dhe 1998, autor i dhjetë librave të publikuar dhe analist politik në kohët më të vështira që kalonte LDK-ja, duke u bërë zëri më autentik i saj.