Nga: DRITAN HILA
TIRANE – Cdo vdekje njeriu më mpak, sepse unë i takoj njerëzimit. Ndaj mos pyesni kurrë për kë bie këmbana, pasi ajo bie për ty” – shkruante poeti i mesjetës së vonë, anglezi John Donne. Prej më shumë se nëntë ditësh shqiptarët nuk e dinë kush është kryetari zyrtar i Bashkisë në Tiranë, duke qënë kështu në prag të shkatërrimit të procesit zgjedhor dhe largimit të perspektivës europiane të vëndit akoma edhe për shumë kohë. Ndaj, nëse zgjedhjet prishen në Tiranë, mos pyesni se kush humbi, pasi atë ditë do humbim të gjithë. Dhe nëse dikush do jetë fajtor për këtë, ata nuk janë shqiptarët e thjeshtë.
Tashmë asgjë nuk është në dorë të zgjedhësve, pasi është KQZ-ja ajo që duhet ti vërë vulën fituesit, i cili mendohet të jetë Edi Rama. Ndërkohë pala tjetër, pretendon fitoren, me argumentin se 70 fletë të vlefshme teknikisht, janë gjetur në kuti tjetër. Por kundërshtarët thonë se nuk mund të ndryshohen rregullat e lojës pas ndeshjes. Dhe ndoshta kanë të drejtë, pasi ose duhej të vendosnin vetëm një kuti për të gjitha fletët, ose duhet të pranojnë edhe pretendimet që një komisioner socialist mund të nxjerrë duke u ofruar se kishte gjetur në tokë apo sirtar, 80 a më shumë fletë që ishin në favor të Edi Ramës, por ishin harruar të hidheshin nga zgjedhësit në kuti.
Në një këndvështrim tjetër, procesi zgjedhor, përveçse një praktikë teknike, është po aq edhe mediatike, dhe shpallja e Ramës fitues, pavarësisht se me rezultat jo zyrtar, është diçka e kryer tashmë në psikologjinë e votuesit të fituesit. Megjithëse këto nuk janë zgjedhje të përgjithshme, dhe në këtë rast qeveria mund të mbajë nën kontroll situatën pasi ajo vazhdon ta ketë legjitimitetin dhe vazhdimësinë, duke i dhënë kohë Komisionit Qëndror të bëjë verifikimet përkatëse, kur bëhet fjalë për kryeqytetin dhe kryetarin e opozitës, procesi kthehet në politik, dhe është e vështirë të justifikosh ndryshimin e një rezultati tashmë të shpallur, dhe zyrtarisht gjysëm të pranuar.
Por me sa duket, dhe që është tipike në stilin e tij, ku nuk do ti lëjë shumë hapësirë gëzimit të kundërshtarit, gjë të cilën e ka arritur, Berisha do ti nxjerrë përfitim edhe një situate të dëshpëruar si kjo në të cilën ndodhet sot, dhe të cilën vështirë se e ndryshon, pa i shkaktuar vëndit kosto të jashtëzakonshme. Ai e di se nuk mund ti hyjë verifikimit me lupë në dorë të një procesi ku kanë votuar çerek milion votues, dhe ku nëse fillon, duhet të rishqyrtojë edhe mijëra vota të shpallura të pavlefshme, ku shumica janë në favor të opozitës. Por me këtë zvarritje, ai rrit perceptimin publik se kandidati i tij është më i miri nga rivalët, dhe u skualifikua për çështje teknike dhe jo numerike; i heq shkëlqimin fitores së opozitës, dhe gjithashtu, gërryen autoritetin moral të liderit të PS-së.
Me zgjatjen e kësaj procedure, kryetari i Partisë Socialiste, ai që realisht ka meritën për fitoren në qëndrat më cilësore të vëndit, ku mjaft të krahasojmë se Bilishti dhe Peqini i fituar nga demokratët, qëndrojnë përballë Korçës dhe Elbasanit të fituar nga socialistët, për të kuptuar kualitetin e fitores së majtë; personi i cili ka pasur përgjegjësinë në përzgjedhjen e kandidatëve dhe përçimin e frymës e cila i dha fitore në qëndrat urbane, vihet përballë një fitoreje të dyshimtë personale.
Kjo do ti dobësojë pozitat e tij brënda Partisë Socialiste dhe nuk do të ketë të njëjtin autoritet përballë kundërshtarëve të brëndshëm, siç do ta kishte në rast të një fitoreje të thellë, duke i zënë duart përkohësisht me betejën brënda partisë, për të risiguruar unitetin, por gjithashtu i humbet kohë dhe besushmëri, luftës së tij për zgjedhje të parakohshme. Janë pikërisht zgjedhjet e parakohshme që Berisha ka frikë dhe kërkon të delegjitimojë nevojën e tyre, pasi koalicioni i tij vërtet ka më shumë se ai i së majtës, por vetë PD-ja është shumë më poshtë se PS-ja në numër votash si parti, ashtu siç e di fare mirë se aleatët në Shqipëri, janë si moti në vjeshtë: të ndryshueshëm e të pabesë.
Dhe me sa duket po ja arrin, pasi tashmë PS-ja do merret me vetveten dhe shqyrtimin e shkaqeve që e çuan në këtë situatë, qofshin këto arsye të deklaruara siç është votimi i ngushtë në favor të saj në Tiranë, ashtu edhe çështjet organizative që kanë të bëjnë me listat e zgjedhësve, kolaudimin e makinës elektorale dhe riformatimin e rradhëve në kryeqytet dhe komunat humbëse, pa të cilat, vështirë se mund të fitojë, edhe nëse provokon zgjedhjet e përgjithshme.
Gjatë kësaj kohe, Aleanca për të Ardhmen, nëse do që të ardhmen ta ketë rozë, duhet të korrigjojë shumë gjëra të tjera edhe në komunikimin me publikun, përpunimin e një programi të thjeshtë dhe kuptueshëm për shqiptarët, afrimin e elementëve dhe personaliteteve në udhëheqjen e saj, bërjen e aleancave të reja, ku afrimi me PDIU mund të jetë një nga objektivat parësorë, dhe një sërë imtësish të tjera që do mund ti japin fitoren në të ardhmen e afërt.
Pasi nuk mjafton që fajin ta ketë Berisha, por edhe të shpjegosh se pse ti nuk do bësh faje në të ardhmen, e ca më shumë do ti bësh mirë punët. Pra as më pak e as më shumë, të jetë më mirë se kundërshtari. Në të kundërtën, mos habiten nga një humbje tjetër, pasi kundërshtari që kanë përballë, as ndjen faj për keqadministrimin që i ka bërë pronës dhe sigurisë së shqiptarëve në vitet e qeverisjes së tij, dhe as i ka rënë dëshira për të qeverisur, bashkë me gjithë privilegjet që kjo sjell, ndaj nuk duhet pritur një mungesë oreksi për një mandat të tretë, mandat të cilin nëse nuk ja marrin me dhëmbë PD-së, as mos ta mendojnë se do tju vijë në duar.
Në krahun tjetër, fitorja në zonat periferike të Shqipërisë, dhe numrat mazhoritarë, megjithëse jo kualitativë të koalicionit qeverisës, i japin kohë Berishës të rregullojë fymëmarrjen deri në vitin 2013-të, dhe të pregatitet për garë. Deri atëhere, me shpresën se një segment i pushtetit apo rrethit të afërt, nuk i del nga kontrolli dhe bën skandal në prëg të zgjedhjeve, dhe kriza ekonomike është paqësuar, do punojë për mandatin e rradhës, duke besuar në memorjen e shkurtër të shqiptarëve. Pasi siç duket, skandalet morale dhe financiare, pak ndikojnë në psikologjinë e votuesit, dhe duket se është e vërtetë sa thoshnim dikur për veten tonë në vitet ’80 të shekullit të shkuar, se “ne jemi jo vetëm 100 vjet mbrapa botës, por edhe 50 vjet anash”.
(GSH/BalkanWeb)