Analiza
Nga PROF. AS. DONARD HASANI, 21 Nëntor 2012
Ditët e fundit, në Teatrin Shqiptar të Shkupit, u shfaq premiera e shfaqjes “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, dramatizim i romanit me të njëjtin titull të shkrimtarit I. Kadare. Shfaqja është realizuar nga trupa shqiptare e këtij teatri, nën drejtimin e regjisorit boshnjak Dino Mustafi? I cilësuar si një prej regjisorëve më të njohur të Ballkanit, Dino Mustafi?, me premierën e fundme, provoi se, si drejtor i Festivalit MESS të Sarajevës, me meritë ia ka dhënë vetes çmimin e publikut për shfaqjen “Nata e Helverit”. Premiera e këtij bashkëpunimi të trupës shqiptare me regjisorin boshnjak është pritur me debate të shumta dhe me vend.
E paraqitur si një dramë (dramatizim) që ia ka shtuar vlerat tekstit të romanit të Kadaresë, në të vërtetë rezulton se regjisori i ka tejkaluar të gjitha kompetencat e tij, jo duke e përdorur, por duke e keqpërdorur tekstin e autorit. E keqja më e madhe është se këtij deformimi të tekstit, frymës dhe qëllimit të veprës origjinale i kanë ardhur në ndihmë edhe vetë aktorët shqiptarë. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për ikje prej tekstit dhe frymës, por edhe për kthimin e veprës në një shembëllim të shtrembëruar të identitetit shqiptar. Pra, ta përdorësh veprën kundër kulturës që i takon. Në një proces dramatizimi është deri-diku normale që të ketë humbje të tekstit, megjithëse një dramatizues e një regji serioze e ka për detyrë të bëjë maksimumin për të ruajtur jo vetëm tekstin dramatik, dialogjet dhe monologjet, por edhe pjesë nga narracioni, herë duke krijuar personazhin “autor”, herë duke e kthyer rrëfimin në dialog.
Në rastin e shfaqjes së regjisorit Mustafi? nuk bëhet fjalë për sjellje të tilla të fisme. Përkundrazi, ikja prej tekstit autorial dhe transformimi dialogjeve shkon deri në atë shkallë sa ligjërimi i një karakteri t’i bartet një karakteri tjetër. Jo vetëm kaq, por, për qëllime jashtëletrare sigurisht, shkohet deri tek ndërrimi i gjuhës së karaktereve, që do të thotë edhe ndërrim i etnicitetit të tyre, ndonëse vepra nuk është përkthyer, është vënë në gjuhën shqipe, në gjuhën që është shkruar. Për qëllime që vetëm regjisori mund t’i dijë, dramatizimit i janë hequr pjesë nga më të rëndësishmet, si episodi në të cilin gjenerali pohon se komanda partizane kishte urdhëruar marrjen në mbrojtje të robërve, qëllimisht për t’i hapur rrugë një përfundimi të gabuar, që krimi ndaj robërve ka filluar që në kohën e kapitullimit, dhe me këtë përligjet dhe “krimi” i plakës Nicë.
Deformimi i veprës arrin një pikë të pabesueshme me shtimin e një skene, në të cilën ndihmësi shqiptar i misionit varrmihës dhunon eshtrat e ushtarit të huaj, skenë që përsëritet edhe në episodin e hyrjes së plakës Nicë në dasmë dhe me vallet që hidhen prej dasmorëve mbi eshtrat e kolonelit Z. Në të dyja rastet, qoftë kur varrmihësit shqiptarë paraqiten duke u hakmarrë ndaj eshtrave të një ushtari të huaj, që i dhunojnë duke i gjuajtur me shqelma; qoftë në rastin tjetër, kur dasmorët kërcejnë nën ritmet moderne të muzikës rock përmbi eshtrat e kolonelit, njeriu shqiptar paraqitet barbar, i egër. Nuk është rasti këtu për të kujtuar se shqiptarët, mbas 8 shtatorit të vitit 1943, strehuan në familjet e tyre 20-25 mijë ushtarë italianë të kapitulluar, që kishin bërë krime mbi popullsinë e vendit, dhe vetë ky fakt e përjashton një hakmarrje kaq të vonuar ndaj të vdekurve, për më tepër ndaj varreve të tyre.
Në psikologjinë shqiptare varri është i shenjtë dhe nuk ka dhunë mbas vdekjes. Përpjekja për të aktualizuar përmes shfaqjes “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” çfarë mund të ketë ndodhur e ndodh sot në vendin e regjisorit, në Bosnje, pra, përpjekja për të realizuar idenë se lufta i bën njerëzit të egër dhe se e keqja nuk harrohet edhe pas vdekjes në rastin më të mirë është një tinëzi dhe në rastin më të keq një dukje e racizmit.
Poshtërimi i njeriut shqiptar shkon edhe në skenografi. Në një nga skenat e parafundme në sfond shfaqet një flamur i sajuar tringjyrësh, bardhë, kuq e zi, në të cilin ngjyra e kuqe është e mbushur me eshtra. Kjo ndodh në skenën e negociatave të dy gjeneralëve dhe ka për qëllim të tregojë se toka shqiptare është një varr masiv fund e krye dhe se shqiptarët janë armiqësorë ndaj kujtdo. Kjo ide përforcohet edhe nga mënyra si flasin rekrutët në çastin e pranimit në ushtrinë pushtuese: ata identifikohen përmes gjuhës si turq, serbë, grekë, gjermanë, italianë etj.
Pikërisht këto dy fakte, të vështruar bashkë, realizojnë paragjykimin e regjisorit se shqiptarët e kanë kthyer tokën e tyre në një varr të hapur, se në Shqipëri nuk ka toka bujqësore, por vetëm varre të huajsh, pa shtruar minimumi pyetjen se ç’kanë dashur këtu kaq shumë ushtri të huaja. Mund të thuhet se një vepër e një autori shqiptar të mirënjohur, e vënë në skenë me një trupë shqiptare aktorësh, me një regjisor të huaj – boshnjak – është funksionalizuar për të poshtëruar njeriun shqiptar dhe historinë e tij dhe ndoshta edhe për të sjellë në mjedisin shqiptar probleme që ekzistojnë në vendin e tij. Por plagët e rënda që ka marrë Bosnja gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë nuk janë përligjje për dhunën e ushtruar mbi veprën.
*Autori është regjisor