Poshtërim zagarësh

0
47

Nga Bledi ManePublic Enemy, 13 Mars 2012
www.facebook.com/bledi.mane

1/. Vër kujen moj Zamirë

Janë shokuese të dyja. Në memorien time vërdallosen nga dje e tutje dëshpërimisht lëndueshëm drithëruese.

E para është një pjesë arti, sa abstrakte aq edhe reale, sa e vjetër aq edhe mahnitëse. Është piktura legjendare “Klithma” e norvegjezit Edvard Munch punuar gjatë viteve 1893-1910. E dyta është një fotografi spontane, reale, e prekshme, dëshpëruese, vajtuese. E shkrepur dje në dyert e gjykatës së shkallës së parë të Tiranës.

Të më falë fotografi sepse nuk kam asnjë lloj info rreth autorësisë, por dua ta përgëzoj për vëmendjen dhe nuhatjen profesionale.

Pas xhamit të derës së gjykatës vezullon frikshëm duhma dhe brenga e Zamira Durdës, e cila me sytë mbyllur duket tek i plas shpirti nga brenga e vrasjes së dyfishtë të birit të saj. Sapo ka përfunduar farsa juridike e Gërdecit, e cila me konkluzionet halabake dhe vendimin e ndyrë bëri që anembanë vendit të oshëtinte duhma e miliona Zamirave.

Klithma e Zamira Durdës dje ishte shpërthimi i dytë i Gërdecit. Ishte dhe është kushtrim final dhe zgjimi që duhet të bëjmë bashkarisht në këtë kapërcyell mes degjenerimit dhe tjetërsimit që po i bëjmë civilizimit si racë, degjenerimit që po u bëjmë instikteve humane.

Shikoja me vëmendje dje kryetarin e trupit gjykues Ritvan Hado tek belbëzonte vendimin ndaj vrasësve dhe sikletin që ndjente kolegia e tij në krah të djathtë Fatmira Hajdari. Uroja që bashkëshortja e heroit Azem Hajdari t’ia rrëmbente prej duarsh atë letër bakalli e t’i klithte në fytyrë Ritvanit dhe sistemit, Ritvanit dhe gjyqësorit, Ritvanit dhe lavirëzimit politik:

-Shporru dhe lermë mua të vendos. Lermë t’i dënoj vrasësist e të pafajshmëve sepse edhe Azemi im do të çlirohet!

Ndërkohë që Ritvani dhe qindra ritvanër spurdhjakë thjesht kurvërohen para presionit të pushtetit dhe parasë, lajme më zi vazhdojnë t’i përplasen në surrat racës tonë.

Në Maqedoni pasi na degjeneruan me aleatët shqiptarë në bashkëqeverisje, kanë filluar na grisin flamurin, brekët, krenarinë, lëkurën. Na rrahin dhe poshtërojnë në këtë 100 vjetor pavarësie si për tu kujtuar Rilindasve, Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit se ne pasardhësit e tyre thjesht përdoremi e përkulemi si alumin ndaj egos shtazarake të një tjetër Berishe në Shkup dhe një tjetër Gruevski në Tiranë.

Mallkonim dhe anatemonim Millosheviçin për reprezalje e spastrime por harrojmë se fushata provizore e 1999-s zbehet para spastrimeve që na bëhet çdo ditë në administratë, mbivendosjen e pronave,zaptimet paskuqanase & bathoriste,reprezaljet otomane të rishkrimit të historisë.

Çuditeshim e irritoheshim si cuba ballkanas kur grekët këndonin e premtonin se me zorrët tona lidhëse këpucësh do të bënin. Ndërkohë harrojmë se me mëlçinë, stomakun, shpretkën tonë ushqehet çdo ditë ruli i bujqësisë, bodeja i financave, i meti i lësëisë, bashai i bashkisë, topallja e kuvendit…

Na kanë brejtur trup e mendje së brendshmi e si kufoma vërdallisemi të papunë herë për të votuar e herë për të sekserosur ndonjë pisllëk. Bërtasim e ulërasim sa herë na anulojnë ndonjë gol në ndeshjet e kombëtares së futbollit e shushatemi sa herë Brukseli na anulon hyrjen në BE. Mbyllim sqepin e nuk pipëtijmë ti kërkojmë llogari pozitës e opozitës, atij dhe atyre.

Ekzaltohemi sa herë dikush valëvit flamurin kuq e zi por nuk ndjejmë aspak turp e brengë pse shqiponja dykrenare sa vjen e dobësohet, sa vjen e drobitet, sa vjen e humbet fuqinë, sa vjen dhe duket si laraskë përballë komshinjve tanë më krenarë.

2/.Mos prit më kot vogëlush

Po dje gazetarja Albana Qehajaj pyeste në shkallët e gjykatës Zamira Durdën e revoltuar pas vendimit:

-Cila ishte gjëja e parë që mendove sot?

-Ç’ të të them? Mendova t’i jepja një fjalë të mirë djalit, aty ku është prej 4 vjetësh. Por, edhe këtë herë nuk ia dola dot. Edisonin, sot ma vranë për herë të dytë. Por, unë do vazhdoj të jetoj dhe luftoj për të….

* * *

Kot e ke Zamira. E vetme ti do të dështosh ashtu siç dështove këto katër vjet. Asnjë nga ne nuk është krah teje. Një pjesë vjedhin, vrasin, majmen ndërsa pjesa tjetër shumica, më vitalja po presin. Presin pa durim qetë-qetë. Në orën 17.00 u fillon Meneksheja&Halili, në orën 20.05 u fillon Ezeli. Te klani, atje i kanë sytë të gjithë. Te klani i klanit të kujeve!