Poshtë dritares së Berishës vriten katër protestues

1
15

Qëllohen me snajper protestuesit e opozitës. Katër të vrarë. Një protestë që tronditi Shqipërinë

“Boiling is over”. Edhe pse nuk doli nga ndonjë media shqiptare, ky ishte titulli më i përshtatshëm për atë që ndodhi në Tiranë të premten e 21 janarit. Gazetari i njohur anglez, Tim Juda, që shkruan në revistën “The Economist”, e kishte përzgjedhur për titull në shkrimin e tij. Për ta sjellë në shqip, ajo do të thotë “mbaroi vlimi”. Me fjalë të tjera, deri më tani situata po zinte, po vlonte, tani kusia u përmbys dhe vala po djeg. Gazetari nuk le pa përmendur që ka thuajse një vit e gjysëm që Shqipëria zien.

* * *

Po, Shqipëria po ziente deri dje. Para kryeministrisë ajo ka shpërthyer. Rezultati ka qenë dramatik. Katër të vrarë e dhjetëra të plagosur është bilanci tragjik i një proteste, që ishte paralajmëruar të ishte paqësore. Deri më tani është bërë i ditur identiteti i tre prej tyre, ndërsa njëri është akoma i paidentifikuar.

Shefi i Urgjencës së Spitalit Ushtarak, njoftoi se fillimisht kanë mbërritur në spital dy persona pa jetë, të identifikuar si Viver Veizi, 43 vjeç nga Gjirokastra dhe viktima e dytë, Hekuran Deda nga Dibra.

Personi i tretë që humbi jetën në spital është ende i paidentifikuar. Sipas burimeve spitalore, ai është qëlluar me snajper.

Ndërkohë që numri i të plagosurve është disa dhjetëra persona. Në gjendje më të rëndë ndodhen 22 persona me trauma të ndryshme në trup. Ndërkohë që burimet zyrtare të Ministrisë së Brendshme konfirmuan se, nga përdorimi i gurëve dhe sendeve të forta, janë plagosur 10 efektiva të policisë, ndërsa më shumë se 100 të tjerë janë të plagosur.

* * *

Tirana e nisi ditën me një qetësi të rrallë për një ditë të ngarkuar. Shumë pak njerëz iu ishin drejtua punëve të tyre. Një njoftim i ambasadës amerikane ishte i pari lajm që nisi 21 janarin. Ishte një udhëzim për qytetarët amerikanë dhe për punonjësit e saj. Nga mënyra se si ishte shkruar, mund të kuptoje shumë mirë se situata pritej të rëndohej. Qytetarëve u bëhej thirrje që të shmangnin zonat ku do të mbahej mitingu, për shkak se protesta mund të degjeneronte në dhunë. Në njoftim thuhej se përgjithësisht protestat janë paqësore, por është e mundur që ajo të precipitojë.

Për më tepër, ambasada sqaronte se nuk kishte informacione për dhunën. Sigurisht që mendja të shkon tek fakti se edhe ambasada, ashtu si gazetari i “The Economist”, e dinte që kishte ardhur koha e shpërthimit. E një shpërthimi të paralajmëruar, por të paorganizuar? Gjithashtu në njoftim theksohej se protestat dhe situata e rrezikshme mund të përhapeshin edhe në qytete të tjera. Ishte një paralajmërim se Shqipëria ndoshta nuk do jetë ndryshe tani e tutje.

* * *

Dhe Shqipëria vërtet do ishte më ndryshe. Me qindra autobusë e makina të vogla janë nisur nga rrethet në drejtim të Tiranës. Ashtu siç edhe pritej, policia u ka krijuar pengesa. Disa prej tyre janë gjobitur e nuk janë lejuar të vijnë në Tiranë. Mbi të tjerët ka pasur presioni. Megjithatë shumica e tyre kanë mbërritur në Tiranë.

Mbi pesë kordona policie kanë rrethuar kryeministrinë tre orë përpara protestës. Policët e thjeshtë, nën tension, janë vënë përpara zyrës së kryeministrit.

* * *

Sinjalin e parë të tensionit e ka dhënë mosbllokimi i qarkullimit nga ana e policisë. Edhe pse ishte paralajmëruar se do bllokohej bulevardi, policia nuk ka vepruar deri në momentin që kanë mbërritur protestuesit e parë. Ata kanë vendosur vetë që të bllokojnë bulevardin, duke hedhur parulla. Rrugës kanë ndaluar edhe tek Ministria e Ekonomisë, “vendi i krimit” të Ilir Metës. Pasi kanë hedhur parulla e sharje në drejtim të kryetarit të LSI ata kanë marshuar drejt bulevardit.

* * *

Ende pa u mbledhur mirë të gjithë protestuesit, të cilët mbërritën me tension përpara kryeministrisë, policia ka nisur një shfaqje force. Gaz lotsjellës e makina me presion uji ka provokuar qytetarët që në fillim të herës. Situata është nxehur menjëherë. Qytetarët janë tërhequr disa herë, por pa u larguar përfundimisht nga kryeministri. Pothuajse i gjithë bulevardi ishte i mbushur me protestues.

Kur sapo situata ishte nxehur, nga vila përballë Kuvendit, Benz-i me targat 007 (një dhuratë nga paraardhësi Fatos Nano), ka dalë me urgjencë dhe është zhdukur në rrugicat e bllokut. Kryeministri Sali Berisha, që më vonë deklaroi se ishte në zyrë gjithë kohën, ndodhej në sediljen e pasme duke komunikuar në telefon.

* * *

Kurse lideri socialist, ashtu siç ka deklaruar edhe vetë, nuk e ka vazhduar më tej rrugën përtej urës së madhe, për shkak të shpërthimit të dhunës. Disa herë policia ka tentuar që të shpërndajë të pranishmit, por nuk ia ka dalë dot. Gazi lotsjellës nuk ka bërë punë e është dashur edhe ndërhyrja e armëve. Kësaj here situata është bërë fatale. Persona janë parë të palosen përtokë të qëlluar nga sipër. Të dhënat e para flasin për sulm nga snajperët e vendosur në dy godinat në bulevard, në kryeministri e tek Kuvendi.

* * *

Provokimet e policisë, të forcave speciale, kanë vijuar, por për asnjë moment protestuesit nuk janë zmbrapsur. Një makinë ka sulmuar derën e kryeministrisë, por nuk ka mundur të depërtojë. Më vonë dy ministra thanë se ajo ishte e mbushur me dinamit e synonte një katastrofë të vërtetë. Por as shpërthim nuk pati, e nuk u mor vesh kur u kuptua që ishte me dinamit. E nëse ka qenë, mundësia e provokimeve ka qenë shumë e madhe.

* * *

E vërteta është se mes turmës janë shfaqur disa herë policë të veshur si civilë. Ata janë zbuluar plotësisht në orët e mbrëmjes, kur kanë sulmuar në mënyrë barbare çdo njeri që kalonte në bulevard.

* * *

Një lajm i mirë i protestës së djeshme ishte ndërgjegjësimi i të rinjve. Si rrallë ndonjëherë në këtë protestë janë parë të rinj të vendosur për të protestuar e për të mos u zmbrapsur. Por edhe shumë gra, burra e të moshuar kanë qenë të pranishëm në protestë. Fotot që kanë bërë xhiron e botës tregojnë për njerëz hallexhinj që protestojnë për të drejtat e tyre.

Ndërsa Tirana zien nga teori konspirative se opozita desh të vriste njerëzit e saj për të marrë pushtetin, për një të huaj, që thjesht sheh fotot e shumta të protestës, është e paimagjinueshme që ata të ishin elementë të krimit të organizuar.

Sikur të mos mjaftonte kjo, një video e siguruar nga gazeta Tema, e cila është transmetuar në televizionin e qeverisë, TV Klan, tregon një person që qëllohet me snajper nga brenda kryeministrisë. Megjithatë gazetarja e TV Klan nuk e “vë” re këtë detaj të frikshëm të krimit qeveritar.

* * *

Ndërkohë që opozita ka paralajmëruar se të dhënat e para nga mjekësia ligjore, flasin për një vrasje të paramenduar. Personat janë qëlluar nga snajpera, të vendosur në godinat në bulevard.

* * *

Godina e LSI ndoshta ka pasur më shumë njerëz se kurrë ditën e djeshme. Shumë burra, të rekrutuar të partisë, truproja e njerëzit e lidhur me pushtetin, kishin zënë vend në lokalin poshtë kësaj selie, por edhe në lokalet pranë. Qëllimi ishte mesa duket që të konfrontoheshin me protestuesit në rast se do vinin. Por ata nuk erdhën. Megjithatë mënyra se si ishte përgatitur LSI për të përballur këtë protestë tregon qartë mentalitetin e saj tribal. Ashtu siç ndodhi në protestën e para disa ditëve, kur disa të rinj hodhën vezë mbi selinë e tyre dhe u përballën me grushtat e ‘pushtetit’ të truprojave.

* * *

Mbrëmja ka sjellë largimin e protestuesve. Policia është lëshuar si e çmendur në bulevard për ta pastruar atë nga çdo njeri që kalonte, duke tregur fytyrën e vërtetë të saj. Madje edhe deputetë të PS janë goditur prej tyre. Policia ka sulmuar lokale e banka, në një barbari të pashoqe. Terrori është mbyllur në orët e vona të mbrëmjes.

* * *

Edhe pse ka rënë darka, tensioni nuk është ulur aspak. Deklaratat politike vetëm sa kanë shtuar më shumë tensionin. Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se nuk e çon ndërmend largimin nga detyra. Ai ka vazhduar më tej provokimin duke thënë se ishte në zyrën e tij gjatë gjithë kohës që zhvillohej protesta, duke tentuar të thotë se po bënte detyrën. Provokimi ka arritur kulmin kur kryeministri iu është referuar SMS-ve që merr (mbi to e gjykon opinionin publik), e ka thënë se mijëra njerëz janë gati për të ardhur e për të mbrojtur institucionet.

Nga ana tjetër, opozita e ka deklaruar ditën e shtunë ditë zie, ndërsa është shprehur se nuk do të ketë të ndalur protesta e saj.

* * *

Provokimet nuk kanë pasur të sosur dje. Policia është shprehur se vrasjet kanë ndodhur larg bulevardit, ndërsa ka tentuar të njollosë atë duke thënë se ishin disa vandalë që synonin të vidhnin e plaçkisnin. Në të vërtetë nuk pati asnjë tentativë të tillë. Për më tepër, disa të rinj u përdorën nga policia për të bërë disa vjedhje, e për tua veshur më pas protestuesve.

* * *

E gjitha bota megjithatë i ka pasur sytë nga Tirana. Lajmet kanë vërshuar gjithandej. Fotot janë përhapur me shpejtësi në internet, ndërsa Shqipëria është vënë sërish në qendër të opinionit publik shqiptar. Amnesty International ka reaguar ndaj dhunës së ushtruar nga policia duke e dënuar atë. Nuk kanë munguar edhe regimet e ndërkombëtarëve që kanë bërë qetësi. Megjithatë për Perëndimin diçka është e paimagjinueshme. Që njerëzit vriten poshtë dritares së kryeministrit. Ky ka qenë edhe kryetitulli për shumë media të huaja.

1 COMMENT

  1. ka ardhur koha, per nje shqiperi te lire dhe demokrate. duhet luftuar per te drejtat tona. te dalin para drejtesise kriminelet dhe hajdutet qeveritare. poshte qeveria e korruptume e sali berishes dhe ilir metes. mjaft kemi vuajtur dhe po vuajme akoma. duhet te jemi krenare qe jemi shqiptare. te gjithe bashke per nje shqiperi te lire dhe demokrate.
    alket bitri, elbasan

Comments are closed.