Portofoli i Topallit, 9,5 miliardë lekë për Kuvendin

0
37

Jozefina Topalli me kapele

Arben Rrozhani, 23.11.2009

Brenda tre viteve të fundit, rreth 2 miliardë lekë më shumë për administratën. Fryrja e administratës, rritje e pamotivuar e shpenzimeve dhe vendimi për ta caktuar vetë buxhetin e dikasterit.

Buxheti 2010-të, një “dietë” e papërfillshme, megjithëse luksi për deputetët është zëvendësuar me bonuset “nikoqire”.
Si u shtua administrata dhe shpenzimet për shtëpinë e ligjvënësve

Është për të pestin vit radhazi Kryetare e Kuvendit, e zgjedhur nga votat e një shumice që zyrtarisht është në dietë. Qeveria e PD-së, është sipas kryeministrit Berisha, qeveria që i kushton më pak buxhetit, sepse zyrtarisht janë shkurtuar në mënyrë drastike shpenzimet buxhetore, për tua lënë vendin investimeve publike.

Por, ka ndodhur e kundërta. Qeverisja për të pestin vit radhazi është në rrugën e zullumeve të mëdha, shpenzimeve buxhetore që nuk njohin asnjë kriter. Madje, edhe kur tentohet me ligj që të ulen shpenzimet buxhetore për administratën, buxheti është sërish i lartë.

Jozefina Topalli, spikere e Kuvendit të Shqipërisë, ndonëse u shqua si partizane e shkurtimeve buxhetore për aparatin burokratik, duke kërkuar që në shtator 2005-së heqjen e privilegjeve të deputetëve, pas katër viteve është partizane e superbuxhetit që harxhohet pa kriter.

Në një krahasim të dhënash dhe shifrash nga viti 2006-të deri sot, Kuvendi i Shqipërisë është vendi i abuzimit të miliarda lekëve, që shkuan për rroga, shpërblime, dieta, shpenzime për automjete dhe zyra.

Dhe këto, madje, edhe në mënyrë ligjore dhe selektive, sepse falë një pajtimi të bërë mes kryetares dhe nënkryetarëve gjatë legjislaturës së kaluar, Kuvendi i Shqipërisë ka të drejtë ta caktojë vetë buxhetin e tij dhe Ministria e Financave vetëm ta siglojë (miratojë) atë.

Në të dhënat që ka siguruar gazeta “Shekulli” duket qartë se buxheti i Kuvendit është fryrë nga rritja e punonjësve, duke shtuar organikën pa asnjë motiv Ndërsa në vitin 2006-të Kuvendi kishte 410 punonjës, në vitin 2009-të ata ishin shtuar me 30, duke shkuar në 440. Të punësuarit e rinj, sidomos, janë nga rrethi i kryetares së Kuvendit, padyshim nga Shkodra, ku nuk mungojnë as gratë në moshë dhe as këngëtaret e reja.

Kjo solli, normalisht një rritje të fondit për pagat, të cilat nga 377 milionë lekë të reja në vitin 2006-të, arritën në 460 milionë lekë të reja në 2009-ën, duke i shtuar buxhetit 83 milionë lekë të reja, pa llogaritur këtu pagesën për sigurimet shoqërore që u shtuan me 19 milionë lekë të reja.

Rritje të ndjeshme patën edhe shpenzimet operative, të cilat nga 260 milionë lekë të reja në 2006-ën arritën në 378 milionë lekë të reja në 2009-ën, me një shtim prej 118 milionë lekësh të reja.

Kësisoj, në vitin 2009-të, në total shpenzimet buxhetore të Kuvendit arritën në 949 milionë lekë të reja me një rritje prej 187 milionë lekësh brenda tre viteve.
Legjislatura e re ka nisur me një risi.

Në 20 nëntor hyri në fuqi vendimi për heqjen e makinave për administratën dhe deputetët e Kuvendit, duke i zëvendësuar ato me bonuse që do të jepen për mbajtjen e makinave private. Përfitimi në buxhet, sipas parashikimeve do të ishte i madh, duke hequr nga kurrizi i taksapaguesve shqiptarë, shpenzimet astronomike për burokratët. Por jo dhe aq.

Në projektbuxhetin e vitit 2010-të, i cili ka marrë votën e shumicës së Kuvendit, pesë ditë më parë, Kuvendi do të ketë një buxhet total 857 milionë lekësh, pra me një ulje të papërfillshme, e cila është rreth 100 milionë lekë të reja, më shumë se 3 vite më parë, kur nisi të shtohej abuzivisht buxheti dhe shpenzimet për administratën.

**************************************

Administrata, abuzime me telefonat

Deputetët janë bërë strumbullari i shpenzimeve absurde të Kuvendit të Shqipërisë. Prej kohës kur në fillim të vitit 2004 nisën përpjekjet për ta futur në hulli ligjore trajtimin real të ligjvënësve e deri më sot, kur është arritur te heqja e makinave shtetërore, nën rrogoz dhe larg zhurmë, administrata e Kuvendit ka shpenzuar pa kriter fondet e buxhetit të shtetit. Ish-zyrtarë të administratës thanë se prej shumë vitesh administrata e Kuvendit ka abuzuar dhe po abuzon me shërbimet që i ofrohen Kuvendit. Sidomos me telefoninë fikse.

Në një muaj të vetëm, sipas një dokumenti të pak viteve më parë, nga aparati i Kuvendit ishin kryer me qindra telefonata me numrat 0900, që janë kryesisht “hot line”, apo telefonata ndërkombëtare. Sukses nuk kanë pasur as aksionet sporadike për mbylljen e linjave, sepse gjithçka është rikthyer si më parë, duke rënduar buxhetin e Kuvendit.

***************************************

Aventura me konkursin e hapur ndërkombëtar për ndërtimin e shtesës së re te kryesia e Kuvendit 3 vite më parë

Kompleksi parlamentar, dështimi 30 milionë euro

Jozefina Topalli ishte nënkryetare kur në 19 maj 2005-së, gjatë kohës kur spiker i Kuvendit ishte socialisti, Servet Pëllumbi dhe Kuvendi vendosi ngritjen e Kompleksit të Ri parlamentar.

Prej muajsh, ai mbeti thjesht njëri prej vendimeve të shumta që merren në Shqipëri. Ndërsa në tetor 2006-të, befas, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, shpallte Konkursin Ndërkombëtar të arkitekturës për hartimin e Projektit të Kompleksit të Ri Parlamentar.

Në përfundim të Konkursit, Juria e Konkursit Ndërkombëtar do të përcaktonte tre fituesit e tij, me çmim të parë, të dytë dhe të tretë, përkatësisht, 60 mijë euro, 30 mijë dhe 15 mijë euro, ndërsa edhe projektet e tjerë të klasifikuar në short-listë, do të rimbusoheshin me nga 3 mijë euro për shpenzimet e kryera.

Në 26-28 qershor 2007-të, pranë Kuvendit të Shqipërisë u zhvillua faza përmbyllëse e Konkursit Ndërkombëtar për Projekt-idenë e Kompleksit të Ri Parlamentar të Republikës së Shqipërisë, duke shpallur edhe tre projektet fituese të konkursit.

Por, megjithëse kanë kaluar mbi 2 vjet nga prezantimi i projektit fitues që e bën Kuvendin e Shqipërisë një “Bundestag” në zemër të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, projekti ka mbetur në letër, ndërsa paratë e dhëna për konkursin janë dhënë.

“Jam e kënaqur dhe nuk e fsheh që një tjetër ndër sfidat e mia të shpallura që në ditën e parë që jam zgjedhur Kryetare Parlamenti po aplikohet.

Sigurisht, uroj të jem unë të vendos gurin e parë të kësaj godine të re të Parlamentit, duke menduar se kështu ne po u japim shqiptarëve peshën reale të asaj që përfaqëson sovranin e vërtetë, shtëpinë e vërtetë të të gjithë shqiptarëve” – do të shprehej ndër të tjera spikerja e Kuvendit pas shpalljes së fituesit.

Sipas organizatorëve, vlera e një projekti të tillë do të shkonte në rreth 30 milionë euro, një shumë goxha e madhe për financat e shtetit shqiptar.

Por, mungesa e financimeve i shtohet edhe faktit se shumica e ekspertëve ishin të pakënaqur nga shtesa e re, e cila do të dite mbi krye të ndërtesave aktuale ku ndodhet kryesia e Kuvendit, duke e shëmtuar atë.

Ndërtimi i ri, OSBE u përzu nga Kuvendi

Peshku në det dhe tigani në zjarr. Ndërsa drejtuesit e Kuvendit hodhën idenë e konkursit ndërkombëtar për shtesën te Kryesia e Kuvendit, administrata vendosi të përzinte të huajt që kishin zyra në godinë. Fat i keq i qëlloi edhe zyrës së OSBE-së, e cila kishte marrë ambient në ndërtesë për të zbatuar një projekt financimi për Kuvendin.

Por, megjithatë, zyra u zhvendos pak më tutje, te një hotel në kryeqytet, ku atje ajo paguan qiranë për ambientet e marra, ndërsa Kuvendi humbi të drejtën për të përfituar nga financimet e zyrës së OSBE-së në Tiranë.