Populli për kë voton?

0
44

Preç Zogaj

Deri në vitin 2005 populli votonte për njëqind deputetë të zgjedhur me sistemin mazhoritar-proporcional. Dyzet deputetët e tjerë dilnin nga listat shumemërore të partive që kalonin pragun 2,5 për qind. Ky sistem, mjaft i përshtatshëm për Shqipërinë, u komprometua nga i ashtuquajturi “ fenomeni i Dushkut”, domethënë nga manovrat e pandershme të partive me kuotën e proporcionalit. Edhe pse të papranueshme nga pikëpamja etike, këto manovra prodhonin gjithsesi më pak deformim të vullnetit të zgjedhësve se sa manipulimet klasike , siç ishin dhe janë akoma mbushja e kutive, votimi në emër të emigrantëve, trafikimi i fletëve gjatë numërimit, blerja e votës, shantazhet, presionet, kushtëzimet e qeverisë me vendin e punës, me bukën e gojës, e tjerë e tjerë. Megjithatë fenomeni i Dushkut duhej eliminuar. Por siç ndodh rëndom në mjediset politike mediokre, kur erdhi dita për të ndërhyrë, mbi sistemin mazhoritar-proporcional u shkarkuan të gjitha mëkatet e zgjedhjeve shqiptare nëpër vite. Në vend që të modifikohej e rregullohej aty ku pikonte, pa cenuar thelbin e tij, sistemi në fjalë u hodh poshtë i gjithi, solemnisht, me një gëzim sa dinak aq edhe foshnjor, nga një klasë politike “ eksperte” për hedhjen nga vaska bashkë me ujin e dhe të foshnjës.

Në prag të zgjedhjeve politike të vitit 2009 PD dhe PS përshtaten sistemin spanjoll, këtë që kemi tani, proporcionalin në bazë qarqesh, që Spanja e ka krijuar për t’u dhënë përgjigje dhe përfaqësim diversiteteve brenda unitetit të saj si dhe për të frenuar me mjete politike tendencat separatiste atje. Çdo vend zgjedh sistemin që i shkon për shtat natyrës së tij. Shqipëria nuk e ka këtë problemin e separatizmit. Shqipëria në të vërtetë ka problemin e kundërt . Ajo e ndarë është. Sistemi spanjoll nuk i shkon fare, i rri si veshje dordoleci. Ca më keq kur këtij spanjollit i janë ngjitur ca shtesa të vogla alla-shqiptare që e bëjnë akoma më të huaj e të papërshtatshëm për ne. I vetmi problem që zgjidh sistemi spanjoll i shqiptarizuar është çimentimi dhe përjetësimi i një kaste partiakësh me tarafin e tyre politik. Në fakt, ky sistem për këtë arsye edhe është zgjedhur. Për të siguruar sot e përgjithmonë krerët, për të pilotuar në Kuvend bashke me ta edhe setin e shërbëtorëve politikë pa personalitet, të qëmtuar me kujdes për të bërë sipas rastit punën e robotëve, zagarëve dhe bushtrave të gjahut, duke shmangur përballjen dhe gjykimin e tyre të drejtpërdrejtë nga zgjedhësit, duke u votuar jo si emra, jo si individë, por si sigla partie. Populli duhet të rrëzojë apo shprishë partitë për të rrëzuar ata që nuk do, gjë që është praktikisht e vështirë edhe për popuj të civilizuar. Dhe këtu është hilja e madhe e krerëve. Nëpërmjet sistemit proporcional, duke e ditur se populli nuk ka çfarë bën për momentin, hedhin në Kuvend shemra që nuk do të votoheshin kurrë nominalisht.

Pak politikanë kanë menduar e janë shqetësuar në kohë për pasojat e rënda të këtij sistemi në një demokraci të re si Shqipëria. E kam fjalën pikësëpari për servilizmin dhe papërgjegjshmërinë që kultivon. Të gjithë shqiptarët mund ta kenë venë re se gjatë kësaj legjislature pjesëtarët e kupolave politike të partive kryesore janë bërë me servilë se më parë në raport me kryetarët dhe me të papërgjegjshëm se më parë në raport me publikun. Lidhja e deputetëve me zgjedhësit është shndërruar një në parullë akoma me boshe se sa ka qenë. Hendeku mes zgjedhësve dhe të zgjedhurve është sot më i madh se kurrë gjatë njëzet vjetëve të fundit. Dhe nuk mund të ndodhte ndryshe. Zgjedhjen e deputetëve nuk e ka në dorë populli, por kryetarët e partive kryesore dhe klanet e tyre të ngushta ku përpunohen opinionet për njërin dhe tjetrin. Vetë sistemi që kemi është përshtatur nga një shpirt servilizmi dhe papërgjegjshmërie. Të papërgjegjshmit dhe servilët mendojnë se ia kanë gjetur anën të jenë kupolë e përjetshme, pavarësisht se a vazhdon t’i dojë populli apo jo.

E di se edhe në sistemin mazhoritar janë kryetarët e partive që vendosin kush do të kandidojë. Por, në këtë rast, kryetarët nuk mund të bëjnë aventura. Ata e dinë se po i hedhin kandidatët me emër e mbiemër në fushë të hapur, përballë kandidatëve rivalë, përballë gjykimit të zgjedhësve. Për këtë arsye janë shumë më të hapur e më të matur në përcaktimin e emrave. Nuk mund të venë në listë vetëm servilë sepse nuk ua voton populli. Nga nevoja për të fituar janë të detyruar të kandidojnë edhe individë me shpirt të lirë dhe me personalitet. Produkti është një e mesme deri diku e pranueshme. Ka servilë, ka militantë, ka edhe deputetë që respektojnë normat e sjelljes në grup pa humbur individualitetin.

E di gjithashtu se ky diskutim- mazhoritar, proporcional apo i përzier? – është bërë e do të behët sa herë të flitet për sistemet zgjedhore. Duke nxjerrë në pah, sekush sipas parapëlqimeve, anët pozitive dhe anët negative të secilit sistem. Parapëlqimet janë parapëlqime. Në thelb nuk ka vlerë të diskutohet për sistem të mirë apo sistem të keq në vetvete. Ka vlerë të diskutohet për një sistem sa më të përshtatshëm për kushtet konkrete të vendit. Në këtë kontekst, pyetja që u ngrit kur ndryshoi sistemi dhe vazhdon të jehojë sot e kësaj ditë në shkretëtirën e idealizmit shqiptar është kjo: Populli për kë voton? Mirë që hodhën mazhoritarin e përqafuan proporcionalin; mirë që vendosen t’i ngarkonin kandidatët për deputetë në autobusët e partive, që ngjajnë me ata autobusët ku mund të shohësh nga brenda jashtë, por nuk shihesh nga jashtë brenda… Po si nuk u shkoj ndërmend ta kompensonin popullin, duke i dhënë një votim tjetër të drejtpërdrejtë në shkëmbim të atij që po i merrnin. Fjala vjen votimin për Presidentin e Republikës. Shqiptarët sot nuk votojnë drejtpërsëdrejti as për deputetët, as për kryeministrin, as për Presidentin. Ata votojnë vetëm për partitë. Ata “flasin” me një ndërmjetësim të dy-trefishtë me institucionet përfaqësuese të pushtetit qendror. Nëpërmjet partive shohin deputetët, nëpërmjet deputetëve shohim Kryeministrin dhe Presidentin, nëpërmjet këtyre të fundit shohin piramidën e drejtësisë dhe titullarët e shumë prej institucioneve qendrore. Pa dyshim, vullneti i qytetarëve humbet shumë në peshë dhe rëndësi në këto filtra. Pushteti i drejtpërdrejtë i sovranit nuk vesh asnjë institucion dhe kjo është një nga dobësitë e mëdha të demokracisë shqiptare.

Një vend që për arsye të pushtimeve dhe diktaturave e ka të fortë traditën e konformizmit nuk mund t’i lejoje vetes të zgjedhë sisteme zgjedhore që kultivojnë konformizmin. Kjo është njëlloj si të mbash në zinxhirë historinë. Politikanët shqiptarë – dhe këtu kam parasysh të gjithë ata që aspirojnë të jenë deputetë – duhet të përballen parreshtuar me gjykimin e popullit. Kjo është rruga për të krijuar një elitë dhe një traditë politike moderne. Kush duhet ta bëjë? Kush duhet ta ndryshojë sistemin? Në radhe të parë ajo pjesë e iluminuar e elitës aktuale që ka vizionin dhe vetëdijen e ndryshimit. Rikthimi i tryezave dhe debateve për reformën zgjedhore dhe përgatitjet për krijimin e komisionit parlamentar përkatës përbëjnë një rast ideal për të marrë në shqyrtim e për t’i dhënë një zgjidhje të drejtë çështjes së përfaqësimit të drejtpërdrejtë politik të popullit dhe prej popullit.

Një zgjidhje, në dukje radikale, por aspak e tillë po të mbajmë parasysh lehtësinë me të cilën ndërmerren nismat e mëdha në Shqipëri kur ka vullnet politik të dyanshëm, është rikthimi në ligjin e vjetër mazhoritar me një kuotë me të reduktuar dhe më të mbrojtur të proporcionalit. Një zgjidhje tjetër do të ishte ndryshimi i Kushtetutës për të lejuar zgjedhjen e Presidentit nga populli, pa u larguar nga prerogativat e Republikës parlamentare, ashtu siç e kanë shumica e vendeve ish-komuniste. Një zgjidhje e tretë, edhe pse me disa pikëpyetje, është votimi me lista të hapura, ashtu siç është propozuar nga partitë e vogla. Futja e numërimit elektronik do të zgjidhte njërën prej vështirësive që paraqit votimi le lista të hapura. Personalisht e kam të vështirë të përfytyroj si do të jetë fleta e votimit me lista të hapura ku mbi tridhjetë subjekte politike do të kenë listat e tyre për çdo qark. Nga ana tjetër nuk duhet harruar në asnjë mënyrë rreziku i zëvendësimit të luftës politike mes palëve politike kundërshtare me luftën politike brenda llojit, gjë që do të çonte në një tjetërsim dhe deformim substancial të kuptimit të garës në demokraci. Gjithsesi, në tapet apo jo, zgjidhjet po presin Sali Berishën, Edi Ramën, Ilir Metën dhe pas tyre edhe kryetarët e partive më të vogla. Në vitin 2009, Ilir Meta e çoi në gjithë Shqipërinë pyetjen time të atëhershme të shprehur në grupin e PD-së dhe në media “Populli për kë voton”. Atëherë unë dhe disa nga kolegët e mi, që ishin për zgjedhjen e Presidentit nga populli, ishim më pak se pakicë përballë shumicës traversale PD-PS. Ilir Meta me partinë e tij ishte gjithashtu një pakicë në opozitë. Nuk mund të bënte më shumë se sa të më citonte mua në fushatën e tij kundër sistemit spanjoll, ashtu siç po votohej. Sot Ilir Meta mban në këmbë shumicën, pra ka shumë më tepër forcë se tre vjet më parë. Sot të gjithë kanë parë defektet dhe madje dështimin e sistemit spanjoll në sprovën e zgjedhjeve politike të vitit 2009. Kemi folur e mund të flasim natë e ditë se zgjedhjet i prishi qeveria në një anë dhe mungesa e vullnetit politik të palëve në anën tjetër. Është e vërtetë, por jo gjithë e vërteta. Është sistemi që ka mundësuar e mundëson gjithë atë gamë manipulimesh, që nuk e shohim në zgjedhjen me sistem mazhoritar të kryetarëve të komunave dhe bashkive.

Prapa pyetjes retorike “populli për kë voton?” – shohim një popull të anashkaluar për sa i përket të drejtës për të zgjedhur me emër e mbiemër në mos deputetët, Presidentin, apo në mos Presidentin, deputetët. Kjo pyetjeje nuk mund të mos rrahë si çekan mbi kokën e gjithë atyre që kanë kompetencat dhe përgjegjësinë t’i japin vendit zgjidhjet që kërkohen. Në të kundërtën, nëse nuk ka elitë të iluminuar në nivelin e vendimmarrjes, i mbetet vetë popullit të rifitojë me votë të drejtën e tij. Dhe askush nuk duhet të mendojë se meqë nuk ka elitë, nuk ka as popull.