Politizimi i diplomacisë shqiptare në kurriz të qytetarëve jashtë

0
48

HermesNews
http://www.hermesnews.org/articoli/28997-gezim-alpion-diplomacia.asp

Flet në një intervistë eksluzive për HermesNews Dr. Gëzim Alpion. Bashkëpunimi që duhet ndërmjet Qeverisë dhe Opozitës për promovimin dinjitoz të vendit

Intervistoi Doriana Metollari, 18 Mars 2013

Ju keni shkruar se diplomacia shqiptare nuk është e varfër vetëm financiarisht. Çfarë do të thoni me ketë? A mund të na e shpjegoni pak më në detaj?

Ka rreth tridhjetë vjet që jam në kontak të vazhdueshëm me diplomacinë shqiptare, fillimisht kur studioja në Kajro (1985-1993) dhe në dy dekadat e fundit në Mbretërinë e Bashkuar. Nëpërmjet shokëve, kolegëve dhe miqve diplomatë të kohës së monizmit si dhe në pluralizëm jam i mirë-informuar për arritjet, sfidat dhe dështimet e diplomacisë që nga vitet 1970-të deri më sot. Për gjëndjen e diplomacisë shqiptare gjatë regjimit të Zogut jam informuar veçanërisht nëpërmjet veprës së Konicës.

Diplomacia shqiptare tradicionalisht ka vuajtur mëkatet e shtetit shqiptar. Po ashtu, ajo ka qënë dhe mbetet barometër i dështimeve të shtetit në periudha të ndryshme në historinë e tij njëshekullor, dështime që përgjithësisht nuk kanë rezultuar për mungesë kuadrosh të kualifikuar dhe të apasionuar pas artit të diplomacisë apo për mungesë përkushtimi nga ana e tyre ndaj çështjes kombëtare, por nga mediokritetit, bajraktarizmi, amatorizmi dhe parokializmi që tradicionalisht karakterizon drejtuesit e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe vetë ekzekutivin.

Diplomacia ka qenë një ndër fushat që kam admiruar që kur isha i ri; ajo ka ngelur një fushë që unë vazhdoj t’a admiroj. Megjithatë, deshira për të vazhduar një karrierë diplomatike m’u venit fillimisht kur isha student në Kajro ku pata mundësinë të jem në kontakt të vazhdueshëm me personelin e ambasadës dhe të takohem herë pas here me punonjës të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Kjo periudhë me mundësoi që të shikoja nga afër vështirësitë e diplomatëve në një shtet totalitar.

Diplomatët tanë në kohën e komunizmit ishin heronj të heshtur. E megjithatë ata bënin ç’ishte e mundur të perfaqësonin kombin me dinjitet pavarësisht se merrnin rroga qesharake (me sa më kujtohet, edhe ne studentët paguheshim më shumë se ambasadori) dhe pavarësisht se për të bërë deyrën u duhej të ndaheshin nga fëmijët të cilët ishin të detyruar t’i linin në Tirane kur arrinin moshën e shkollës.

Pra mos financimi sa dhe si duhet i diplomacise shqiptarë ka qenë dhe mbetet një karakteristikë e saj e përhershme. Mjafton të lexosh Konicën për të mësuar sa akut ishte ky problem edhe në kohën e Zogut.

E ndrydhur në komunizëm, diplomacia shqiptare u shkallmua me ardhjen e pluralizmit politik. Shkarkimi nga puna i një numri diplomatësh karriere ishte një ogur i keq për demokracinë tonë e cila, edhe pas dy dekadash, vazhdon të jetë në gjendje amullie. Përveçse një ofendim i rëndë për personelin në fjalë, largimi i tyre i detyruar nga puna ishte një shpërdorim kriminal i burimeve njerëzore.

Unë njohë një numër ambasadorësh të asaj kohe që vinin nga familje të ndershme dhe me tradita patriotike, të cilët kishin studiuar me pasion në Tiranë dhe jashtë vendit. Disa nga ata, në momente të caktuara, patën edhe kurajon t’a ngrenë zërin me eprorët e tyre miopë komunistë kur u vinte shpirti në majë të hundës, siç ndodhi kohët e fundit me Ambasador Galanxhin. Shkarkimi i këtyre diplomatëve me përvojë me pretekstin se ishin vegla të regjimit komunist nga pashallarët e rinj të demokracisë tonë totalitare, disa nga të cilët qenë me pranë bllokut se këta diplomatë të përkushtuar, ishte një pretekst hipokrit për të emëruar tarafin e tyre, pra nje tabor plebejsh të rinj partiak, disa nga të cilët nuk e kishin haberin nga diplomacia.

A ndikon në përfaqësimin diplomatik fakti që Shqipëria nuk dërgon përfaqësues me profesionin diplomat jashtë vendit? Jashtë vendit ka universitete vetëm për diplomacinë…

Si gjatë kohës së Zogut dhe Hoxhës, edhe tani në puralizmit, një numër diplomatësh janë njerëz të kualifikuar.

Fatkeqësisht, siç thashë më lart, mes tyre ka edhe amatorë dhe diletantë. Kjo situatë na trondit por nuk na çudit pasi, në vend që të mësohej nga përvoja dhe gabimet e diplomacisë shqiptare para 1939-tës dhe gjatë periudhës 1945-1991, diplomacia pas 1992-shit, por veçanërisht në vite e fundit, është politizuar në mënyrë të rrezikshme.

Diplomacia tashmë është shndëruar në një klub ekskluziv ku ka vend kryesisht për servilët dhe shërbëtorët e verbër të pronarëve të partive (në Shqipëri në përgjithësi nuk ka drejtues partish) në qeveri apo kualicon qeveritar dhe të kryeministrit të rradhës. Nga këta mjeranë diplomatë nuk mund të presësh gjë tjetër veçse mediokritet, arrogancë dhe fodullëk.

Çfarë do të propozoni si reforma në diplomacinë shqiptare?

Diplomacia shqiptare nuk mund të luaj rolin që duhet në përfaqësimin dhe promovimin dinjitoz të vendit për aq kohë sa nuk kemi një vizion kohesiv mbarë komëbtar për të cilin të ketë mirëkuptim në parim nga qeveria dhe opozita.

Për aq kohë sa klasa politike shqiptare do të vazhdojë të priorizoj interesat partiake (që në Shqipëri do të thotë interesa biznesi privat), diplomacia shqiptare do të vazhdojë të jetë një hallkë e pa efektshme e shtetit shqiptar.

Ka patur shumë ankesa nga qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit dhe përsa i përket nivelit të trajtimit, që u është bërë nga selitë e tyre diplomatike jashtë Shqipërisë. Kjo është shqetësuese në fakt. Si e shihni këtë indiferencë, apo më keq akoma, arrogancë?

Disa vite me parë në aeroportin e Vjenës një punonjëse e Austrian Airlines i kushtoi vëmendje një kërkese time të ligjshme vetëm pasi e njoftova se ajo nuk po më linte rrugë tjetër veçse të njoftoja Ambasadën Britanike në Vjenë.

Koha kur një shtetas shqiptar të ketë konfidencën e duhur dhe besimin se ambasadat shqiptare do t’i qëndrojnë pranë kur nuk trajtohet në bazë të rregullave, fatkeqësisht, duket se është akoma e largët.

Biografi e shkurtër:

Dr. Gëzim Alpion (BA Universiteti i Kajros; PhD Universiteti i Durhamit) është Sociolog në Departamentin e Shkencave Politike dhe Studimeve Ndërkombëtare, dhe Drejtor i Programeve të Kombinuara në Shkollën e Qeverisë dhe Shoqërisë në Universitetin e Birminghamit, në Mbretërinë e Bashkuar. Alpion është vlerësuar nga kritika perëndimore si autori me autoritar për Nënë Terezën në gjuhën angleze.

http://www.birmingham.ac.uk/staff/profiles/government-society/alpion-g%C3%ABzim.aspx