Nga Enver Robelli
Regjisori serb Nemanja (Emir) Kusturica dëshiron të xhirojë romanin “Ura mbi Drinë” të Ivo Andriqit. Për këtë qëllim ish-myslimani i Bosnjës, Kusturica në Vishegrad planifikon të ndërtojë një qytet të gurtë. Në Sarajevë ky aksion shihet si provokim serbomadh dhe përpjekje për përvetësimin e trashëgimisë kulturore
Ivo Andriqi u lind në vitin 1892 në Travnik të Bosnjës në një familje kroate. Më 1918, kur u themelua Mbretëria serbo-kroato-sllovene, Andriqi u shpërngul në Beograd. Në kryeqytetin e sllavëve të jugut ai hoqi dorë nga varianti kroat i shkrimit dhe përdori dialektin serb, por jo edhe alfabetin cirilik. Shkollën fillore e kreu në Vishegrad, gjimnazin në Sarajevë, studimet në Vjenë, Graz dhe Krakovë. Në vitin 1921 ai u bë pjesë e shërbimit diplomatik të shtetit të ri, për të cilin punoi mbi dy decenie në funksione të ndryshme.
Ivo Andriqi ishte jugosllav i bindur. Si i tillë ai jo vetëm që e përfaqësoi Mbretërinë serbo-kroato-sllovene (më vonë Jugosllavinë e parë) në ambasadat në Romë, Madrid, Bruksel, Paris dhe Gjenevë, por – për të dëshmuar përkushtimin e tij ndaj politikave të shtetit – shkroi edhe një promemorie mbi zgjidhjen e çështjes shqiptare. Në këtë pamflet skandaloz Andriqi sheh vetëm interesat territoriale të Beogradit dhe injoron banorët shqiptarë. Ata, sipas kësaj optike, duhet të largohen, sepse paraqesin pengesë për planet ekspansioniste të Mbretërisë.
Polemikë për Andriqin
Para se Andriqi ta ndiente veten si jugosllav jo pak intelektualë kroatë ishin shquar si agjitatorë të bashkimit të sllavëve të jugut. Ata mendonin se Perandoria Austro-Hungareze nuk mund të reformohet, prandaj duhej krijuar një aleancë me serbët dhe sllovenët për të penguar depërtimin gjerman në lindje (“Drang nach Osten”). Në këtë atmosferë ata mendonin se “kroatët dhe serbët janë një popull”; gazeta kroate “Narodna misao” shkruante se serbët dhe kroatët “janë një komb me dy emra”; zëdhënës të kësaj ideje në Kroaci ishin skulptori Ivan Meshtroviqi, dramaturgu Ivo Vojnoviqi dhe shkrimtari Antun Gustav Matoshi, në Slloveni etnologu Niko Zhupaniqi dhe letrari Ivan Cankari, në Serbi gjeografi Jovan Cvijiqi, shkrimtari Jovan Skerliqi dhe historiani Stojan Novakoviqi. Në këtë traditë mendonte edhe Ivo Andriqi.
Luftën e Dytë Botërore Andriqi e kaloi në një lloj ekzili të brendshëm në Beograd. Gjatë këtyre viteve ai shkroi veprat “Ura mbi Drinë”, “Vezirë dhe konsuj” dhe “Zonjusha”. Në vitin 1961 u shpërblye me çmimin “Nobel” për letërsi. Gjatë sundimit të regjimit të Josip Broz Titos nuk u zhvillua ndonjë debat mbi përkatësinë etnike të Andriqit; ai pranohej si shkrimtar jugosllav. Pas konfliktit të viteve 90-të mes serbëve, kroatëve dhe boshnjakëve (myslimanëve) shpërthyen polemika mbi etninë e tij. A ishte Andriqi kroat, serb apo boshnjak? Apo vetëm jugosllav?
Në këto pyetje të ndërlikuara pritet të japë përgjigje të thjeshtë regjisori Emir Kusturica, i cili e ka ndërruar emrin (tani quhet Nemanja) dhe fenë, duke kaluar nga islami në ortodoksinë e krishterë. Më 28 qershor, në ditën e përvjetorit të Betejës së Kosovës, Kusturica bashkë me kryeministrin e serbëve të Bosnjës Milorad Dodik qëndroi në Vishegrad, ku solemnisht vuri gur themelin për ndërtimin e një qyteti të gurtë. Qyteti i Andriqit, siç quhet ndryshe projekti, pritet të përfundojë në vitin 2014, tamam në 100-vjetorin e atentatit të Sarajevës.
Shpenzimet (rreth 15 milionë euro) do të mbulohen nga qeveria e republikës së serbëve të Bosnjës dhe nga vetë Kusturica. Rreth 50 shtëpi pritet të ndërtohen afër urës së famshme të Vishegradit, e cila është përjetësuar në romanin “Ura mbi Drinë” të Andriqit. Krahas shtëpive do të ndërtohet edhe një kinema dhe një teatër. Të gjitha këto objekte do të krijojnë skenën për xhirimin e romanit të famshëm të Andriqit. Pas xhirimit të filmit, sipas Kusturicës, shtëpitë do të mbesin aty dhe do të shërbejnë për gjallërimin e turizmit në Vishegrad.
Majtisti i shpifur
Ceremonia bizare e 28 qershorit në Vishegrad ka ngjallur protesta nga përfaqësuesit e kulturës dhe mbrojtjes së monumenteve në Bosnjë. Shtëpitë e planifikuara nga Kusturica dhe Dodiku mund të dëmtojnë vetë urën e ndërtuar nga kryeveziri Mehmed Pasha Sokoloviqi, i cili rridhte nga një familje serbe e Bosnjës dhe si fëmijë ishte marrë peng nga osmanët, njëjtë sikur heroi i mëvonshëm shqiptar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Ura mbi Drinë para tre vjetësh është vënë nën mbrojtjen e UNESCO-s.
Kusturica nuk është konsultuar me askënd nga autoritetet qendrore në Sarajevë për projektin e tij. Këtë ai, me sa duket, as që e sheh të nevojshme. Në kohën kur qyteti i tij i lindjes goditej me granata nga rrethuesit serbë, Kusturica prehej në divanin e Slobodan Milosheviqit dhe xhironte filma, në të cilët jehon muzika rome, rrjedh alkooli, fërgohet mishi dhe njerëzit, pas seksit spontan, fillojnë të vrasin pa ndonjë arsye të kapshme.
Kusturica viteve të fundit e potencon angazhimin e tij kundër kapitalizmit dhe për të demonstruar këtë ka xhiruar një film dokumentar për Maradonën, të cilin e skicon si figurë të rëndësishme të luftës së majtistëve për barazi sociale. Nga ana tjetër Kusturica marshon në prehrin e nacionalistëve serbë, siç janë Dobrica Qosiqi, Matija Beçkoviqi, Vojislav Koshtunica etj. Më 2008 Kusturica mori pjesë në një demonstratë në Beograd kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Derisa fliste masa brohoriste: “Emire – Srbine”. Kritikët e filmit dhe vrojtuesit politikë në Perëndim dalëngadalë e kanë vërejtur se Kusturica është shndërruar në një figurë qesharake, në një kloun politik, i cili bredh me maska të ndryshme. Në Paris paraqitet si kozmopolit, në Serbi i brohorit dhe i këndon të akuzuarit për krime lufte, Radovan Karaxhiqit. Megjithatë, edhe sivjet Kusturica ishte në krye të jurisë së Festivalit në Cannes (në kuadër të serisë së filmave “Un Certain Regard”). Kjo i shtyri regjisorët nga Sarajeva Jasmila Zhbaniq dhe Haris Pasoviq që përmes një letre të hapur të kërkojnë distancimin e organizatorëve të festivalit nga Kusturica për shkak të qëndrimeve të tij në favor të Karaxhiqit.
Në vendin e krimit
Në opinionin kulturor në Sarajevë ekziston frika se Kusturica, në bashkëveprim me qarqet nacionaliste serbe, mund të përpiqet që përmes ndërtimit të qytetit të Andriqit të përvetësojnë edhe trashëgiminë e qytetit të Vishegradit. Projekti i Kusturicës planifikohet të ndërtohet vetëm disa qindra metra larg një shtëpie, ku krimineli serb i luftës Milan Lukiq me ndihmësit e tij kishte djegur së paku 70 civilë boshnjakë, kryesisht gra dhe fëmijë. Gjatë luftës së viteve 90-të në Vishegrad nacionalistët serbë madje kishin rrëzuar bustin e Ivo Andriqit, me gjasë për shkak se e konsideronin kroat.
Tani atij synohet t’i ndërtohet një lagje e tërë. Para luftës (1992-1995) Vishegradi kishte 21 mijë banorë, dy të tretat boshnjakë (myslimanë), një e treta serbë. Pas dëbimeve masive, vrasjeve, dhunimeve pamja etnike e qytetit ka ndryshuar: sot 90 për qind e banorëve janë serbë, 10 për qind boshnjakë. Projekti në Vishegrad nuk është i pari i Kusturicës. Në malet e Mokrës në Serbi ai ka ndërtuar me ndihmën e shtetit një qytet të drunjtë (“Drvengrad”).