Aleksandër Çipa
Mbyllja e sesionit të parë parlamentar në vend është sipas të gjitha gjasave edhe momenti i një pauze politike në skenën publike të vendit. Muaji i vapës do të jetë jo i gjatë, pikërisht për faktin se pozita dhe opozita e vendit e kanë lënë krizën mosmarrëveshëse mes tyre në fuqi. Madje është mosmarrëveshja më e ndenjur politike, e shënuar në historinë e këtij trancizioni, i cili në llojin e tij duhet pagëzuar përpos tipologjisë që mbart, si kriza “që nuk e lodhi” tejzgjatja.
Kreu i opozitës zyrtare, zoti Edi Rama, në bashkëbisedimin e fillimpushimeve me gazetarët, shprehu konstatimin e Partisë Socialiste se “vendi po përfshihet nga një krizë e gjithanshme ekonomike, demokratike dhe institucionale…”.
E vërteta është se qeveria e fortë, me shumicë votash të rrezikuara në Parlament, po i shfrytëzon këto ditë të pauzës sezonale politike për një verifikim kapricioz të qëndrestarisë së Presidentit të vendit. Kjo provë nisi në Parlament, pikërisht qysh pas rrëzimit të dy kandidaturave të dekretuara për vendet vakante të Gjykatës së Lartë. Ky akt ishte pjesë integrale e një subjekti të ideuar herët, në pretendimin e qeverisë së kryesuar prej Kryeministrit Berisha, për të pasur forcën ndikuese në selektimin e emrave të rinj të anëtarëve që duhen në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese.
Ditët epiloguese të sesionit të parë parlamentar përkuan me një kapitull të ri përplasjesh të hapura mes Presidentit Bamir Topi, të ardhur nga radhët dhe prej votave të PD-së në këtë mandat dhe vetë partisë në qeverisje. Një fushatë që ende vijon, edhe pse Parlamenti e mbylli sesionin me imazhe konflikti dhe dhune. Në tri-katër ditët e fundit, agresiviteti i PD-së ndaj Presidentit po vjen kreshendo.
Politikisht shumëkush këtë përplasje të re e vlerëson si një lloj testi që Kryeministri që njeh mirë skutat dhe kthinat e përplasjeve të tilla, bën në këtë sezon pushimi. Mirëpo opozita e zotit Rama ka optikën e vet: “Sulmet ndaj Presidentit janë kriza më e re organike e këtij pushteti”, tha Rama gjatë bashkëbisedimit me gazetarët dhe përmendi rishikimin e buxhetit 2010 në Parlament dhe projektligjin e SHISH-it si “shfaqjet më shqetësuese të krizës së gjithanshme, të krizës ekonomike, demokracisë dhe institucionale”.
Koha e kësaj krize që po bëhet edhe më komplekse, nis tek ankimimi zyrtar ndaj procesit zgjedhor të 28 qershorit të vitit 2009 dhe po mbërrin te nisja e fushatës për procesin e ri elektoral 2011. Në këtë konflikt të kaqzgjatur, politika e prishi stinën dhe sezonin e duelimit natyral. Një cikël i shprishur është ky që po vijon edhe përgjatë këtij behari, por sipas shenjave edhe në fillimshtatorin e afërt. Vjeshta si stinë duket e shmangur, por vjeshta politike është e parathënë.
Opozita, sipas leximit që i bëjmë strategjisë së saj, do ta nisë fushatën si vijim të procesit akuzues dhe kontestues të zgjedhjeve që e sollën në mandat të dytë qeverisës zotin Berisha. Kjo vjeshtë do të ketë zhurmë dhe shprishje të mëtejshme të marrëdhënieve ndërinstitucionale. Kostoja e ligjeve të shtyra për shkak të mospasjes së kuorumit të nevojshëm dhe mosdhënies së konsensusit jetik opozitar, verifikohet pikërisht në muajt e ardhshëm të vjeshtës. Llogaria e opozitës për vështirësitë e shtuara mbi qeverinë dhe vendin, për shkak të buxhetit dhe shtrëngesës në shtim të financave, parashihet si aleat në përballjen politike elektorale PD-PS.
Shija e krizës mosmarrëveshëse është bërë gjurmë tashmë edhe në marrëdhënien zyrtare mes vendit dhe BE-së, apo institucioneve të tjera ndërkombëtare. Kjo “stinë” e pakohë e “ngërçit” do të marrë në shtator provën e cenimit ose jo të kalendarit të premtimeve dhe arritjeve për integrim, liberalizim dhe status të vendit kandidat për BE. Ky cenim kalendari do të jetë preteksti për shumëfishimin e akuzave ndaj dy kaheve dhe protagonistëve politikë.
Në këtë mënyrë do të ndërtojnë dy palët thelbin e konfliktit elektoral, duke shmangur qëllimisht mundësinë krahasimtare të konkurrimit për dy modele, apo si dy projekte në garën elektorale të 2011-s. Patosi dhe inkandeshenca politike do të rivendosin rendin e kritereve për zgjedhjet e pritshme vendore në vend. Kjo është një zgjedhje e detyruar dhe pësuese. Në këtë mënyrë, qytetarët e këtij vendi do të zgjedhin jo për shkak të konkurrimit alternativ, por për shkak të konfliktit të përkatësuar Rama-Berisha. Shenjat paraprake për të shkuar konfliktualisht në zgjedhjet e radhës, duke ricikluar një konflikt të ngjashëm tranzicional, janë deri më sot të plota.
Stina e pakohë e përdhosjes së konkurrimit dhe garimit normal elektoral, qenka parathënë qysh në këtë muaj të fillim-pushimeve. Në shoqëritë e tjera të Europës rri pezull ankthi për sfidat që ofron realiteti i nxehtë ekonomik global në Shqipërinë tonë, ka fuqi të marrëzishme modifikimi i sistemit. Demokracia dhe sistemi i përshtatur, po përshtaten si marrëdhënie mes dy individësh politikë. Shoqëria po sodit pikërisht këtë proces, i cili e mundon dukshëm dhe padukshëm atë dhe vendin, por si e tillë po trashëgohet edhe për të ardhmen e gjeneratave të reja.