Albin Kurti, 23 Prill 2010
Nëse qeveria në vitet e fundit ka punësuar tepër shumë njerëz në sektorin publik për të blerë paqen sociale dhe për të mbetur ajo vetë në pushtet, tash edhe më shumë se aq njerëz ajo do t’i përjashtojë nga puna, që të mbesë vetë në pushtet e në dëm të paqes sociale

Me idenë e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme përfunduam te mikrondërmarrjet: biznese aq të vogla, saqë, atëherë kur mbijetuan, të punësuar kishin zakonisht vetëm anëtarët e familjes së pronarit. Me idenë e tregut të lirë dhe orientimit në eksport përfunduam në import: rritja e deficitit tregtar nuk e njohu shpalljen e pavarësisë – 11 herë më shumë Kosova importoi, sesa që eksportoi në vitin e kaluar.
Këto ide s’ishin tonat. S’i pyeste kush vendasit atëbotë më zi se sot. Pasi që na “çliruan”, as që u diskutua se miqtë ndërkombëtarë e dinë më së miri se çka na duhet neve. Perëndimi respektohej për superioritetin e tij ushtarak dhe ekonomik. Ngaqë kishin parë efektin e bombave ushtarake të Perëndimit në vendin e tyre, shqiptarët besonin që do ta shihnin edhe bumin ekonomik të tij në Kosovë.
Magjistari tha se lepujt që porsa i nxori nga cilindri quheshin ndërmarrje të vogla dhe të mesme (NVM). Të gjithë duartrokitën. NVM-të u prezantuan si motori që garanton zhvillimin ekonomik të Kosovës. Institutet hulumtuese e përfunduan hulumtimin pa e nisur: NVM-të janë zgjidhja! Politikanët profesorë ekonomie dhe profesorët politikanë të ekonomisë i kishin NVM-të për kryefjalë të ligjërimit të tyre. Debatet në media, rekomandimet e OJQ-ve dhe fushatat e partive i bënë NVM-të logo të Kosovës së re. U organizuan konferenca për shkëmbimin e përvojave të suksesshme (pasi i kishin bindur vendasit se s’kishin se çfarë japin në këtë shkëmbim). U bënë shumë publikime me rrëfime të suksesshme nga bota (ndërkohë që ne porsa kishim dalë nga lufta). Në Indi thanë që kishte funksionuar kjo puna me NVM-të (ani se dihet që shumica e modeleve që funksionojnë diku nuk funksionojnë në një vend apo kohë tjetër). Nuk e di se çfarë i kanë thënë paraprakisht Indisë, por sido që të jetë doktrina e NVM-ve u instalua dhe ajo vetëm duhej zbatuar.
Cili ishte konteksti ku duhej të lindnin e vepronin këto NVM? Tregu i lirë, natyrisht. Madje edhe më shumë se kaq. Në emër të parullës që politikat proteksioniste i takojnë së kaluarës, Kosova u hap si asnjë vend tjetër. Vendi i shkatërruar nga lufta u bë vendi me kufijtë më liberalë në Europë. (Gjithsesi, për ata që donin të hynin, jo për vendasit po qe se donin të dilnin.) Nëse tregu i lirë është ai i vendeve perëndimore, atëherë Kosova iu nënshtrua një regjimi që e tejkalonte këtë. Përveçse Serbia e Maqedonia u privilegjuan duke paguar vetëm 1 për qind doganë për produkte finale, dhe përveçse prodhuesit vendas u dërrmuan meqë paguanin 10 për qind doganë edhe për lëndë të parë e makineri prodhimi, në Kosovë nuk u përdorën kurrfarë barrierash jotarifore. Dihet që edhe vetë ShBA-të, si ekonomia nr. 1 e botës, vendosin rregulla të shumta teknike dhe kritere verifikuese e kontrolluese për mallrat e importit e të cilat në mënyrë elegante formësojnë pikërisht proteksionizmin që nuk quhet i tillë.
Kur NVM-të nisën të ankohen që importuesit i kanë shkelur dhe s’po arrijnë të shesin as në lagjen e tyre, iu thanë që ky është tregu i lirë dhe duhet të përpiqen të eksportojnë! Pushtetit vendor e ndërkombëtar jo vetëm që nuk i bëhej vonë, por ata tashmë ishin bërë të varur nga mbushja e buxhetit në dogana, ku taksa njëmend ishte e ulët, por kishim pafund mallra që hynin në Kosovë.
NVM-të në Kosovën e pasluftës nuk u etabluan si komplementare me industrinë, e cila, e dëmtuar siç ishte, nuk u rivitalizua. Përkundrazi, NVM-të u promovuan si zëvendësim për industritë dhe pasuritë natyrore me të cilat ishim mësuar të krenohemi dikur. “Harrojeni Trepçën e qymyrin, ka kaluar koha e xeheroreve dhe industrive gjigante, harroni ndërmarrjet e mëdha!”, thoshin ekspertët. Ndërkohë, ndërmarrjet e mëdha shkatërroheshin për çdo ditë dhe doli se, në fakt, po bëheshin gati për privatizim, ku do të shiteshin më lirë se badihava. U zhvendos vëmendja prej gjigantëve ekonomikë dhe fuqisë së sindikatave më të mëdha për ta lehtësuar blerjen e krerëve të sindikatave dhe shitjen e ndërmarrjeve të mëdha. Sindikatat u dobësuan së tepërmi, ndërkaq me NVM-të, që sipas përkufizimit i karakterizon numri i vogël i punëtorëve, nuk mund të kishte sindikata. Me punëtori të dobët dhe të shkapërderdhur praktikisht u shuan të drejtat e punëtorëve. Një dekadë më vonë kemi shumë pak NVM që ia dolën, kryesisht fort të vogla e rrallë të mesme. Qytetarët e Kosovës vazhdojnë t’i shohin ushtritë e Perëndimit në vendin e tyre, por jo edhe zhvillimin ekonomik perëndimor.
Politika e këtillë ekonomike është, para së gjithash, shkaku pse shumica e popullsisë janë të varfër e të papunë, e jo zyrtarët e korruptuar (natyrisht, pa dashur t’i mbrojë aspak ata). Nuk ka dyshim që ambasadorët e Quintit, që çdo ditë ankohen për korrupsionin në Kosovë, e kanë nuhatur që pa liberalizim të vizave, pa ndihma e investime nga jashtë dhe me po këto politika ekonomike e fiskale, Kosovën gjithsesi e presin trazira sociale, në mos këtë vit, atëherë vitin e ardhshëm. Kur kësaj i shtohen edhe privatizimi i PTK-së, i Trepçës, i ANP-së, i KEK-ut etj., që do të nxjerrin mijëra punëtorë nga puna, si dhe kushtëzimi i mjeteve nga konferenca e donatorëve me reduktimet e administratës, bëhet e qartë që këto trazira janë të paevitueshme. Nëse qeveria në vitet e fundit ka punësuar tepër shumë njerëz në sektorin publik për të blerë paqen sociale dhe për të mbetur ajo vetë në pushtet, tash edhe më shumë se aq njerëz ajo do t’i përjashtojë nga puna që të mbesë vetë në pushtet e në dëm të paqes sociale. Fundja, dihet (ndonëse rrallë përmendet) që paratë e konferencës së donatorëve edhe ashtu do të shkojnë kryesisht për zbatimin e Planit të Ahtisarit e aspak për zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Ambasadorët e Quintit, ICO-ja dhe EULEX-i, duke ditur vuajtjet e mjerimin e qytetarëve dhe pashmangshmërinë e vlimeve sociale, mundohen që në shënjestër të zemërimit të qytetarëve t’i vënë jo politikat e korruptuara, por politikanët e korruptuar, të cilët, në të vërtetë, janë partnerë të vetë atyre. Në vend që të konstatohen defekte politike të doktrinave ekonomike të imponuara, konstatohen defekte morale e kulturore të politikanëve. Politikanët e korruptuar sigurisht që janë një pjesë e problemit, por, me po aq siguri, ata s’janë vetë problemi. Kosovës i nevojitet një ndërmarrje e madhe politike për zhvillim vendor ekonomik.
Prishtinë, 22 prill 2010







