Politikani shqiptar

0
22

Naser Aliu, 24.12.13, gazeta DITA

Politikani shqiptar me gjenet e karrieristit nuk njeh parime morale dhe nuk do të tërhiqej kurrë nga politika, edhe nëse dhunohet identiti kombëtar. Atij mund t’ ia cenosh integritetin territorial dhe ai nuk refuzon firmosjen, por përpiqet të bind popullin se ajo marrëveshje, ishte e drejtë. Atij mund t’ ia ndryshosh flamurin dhe ai nuk thotë: “unë tërhiqem nga politika, por nuk mund të pajtohem me idenë se flamuri i imagjinuar dhe vizatuar nga një njeri anonim, duhet valuar” sipas dekretit. Atij mund t’ i krijosh himn pa asnjë shkronjë, por ai nuk thotë kurrë: “unë jap dorëheqje, por nuk mund t’ i imponojë popullit një himn pa asnjë fjalë.” Atë mund ta bindësh se gjuha shqipe nuk meriton të jetë zyrtare nëse në një qytet jetojnë më pak se njëzet për qind shqiptarë. Bartësit e atij gjeni mund të binden se gjuha serbe duhet të jetë zyrtare edhe pse nuk ka më shumë se pesë për qind serbishtfolës.

Atë mund ta bindësh se duhet folur me Serbinë për serbet e veriut, duke injoruar ekzistencën e shqiptarëve në jug të Serbisë. Ai nuk thotë:”unë dua zgjidhje dhe atë që përfitojnë serbet në Kosovë, duhet ta kenë edhe shqiptarët në Serbi. Nëse nuk bëhet kjo, unë tërhiqem nga politika, përndryshe nuk pranoj negociata.”Politikani shqiptar me gjenin e karrieristit, ndryshon parimet për t’ u bërë i përdorshëm dhe i shfrytëzueshëm në çdo rend dhe në çdo kohë. Madje kemi edhe një konkurencë të brendshme se kush do të nënshtrohet më shumë.

Ai çdo intervenim nga jashtë në substancën kombëtare, ose e hesht, ose do ta përligj para popullit si ndërhyrje të domosdoshme në dobi të përgjithshme. Edhe kur shet ekonominë e vendit.
Ai mund të jetë politikan në mbretëri, të pësojë mutacion në stalinizëm, të përjetojë mutacion në demokraci, të jetë ateist dhe të futet në kishë nëse ka përfitime dhe të lutet në xhami, nëse shpreson përkrahje.

Politikani shqiptar nëse ka dobi vet, tregohet më katolik se një françeskan dhe më musliman se një vahabist. Nëse nuk ka përfitime, ua kthen shpinë të dyve. Këtë gjen të karrieristit, më mirë të një makine karrieriste, kemi parë, përjetuar, e përjetojmë, por kemi edhe shumë shembuj në histori. Kemi pasur diku 24 perandorë në Romë dhe diku mbi 30 pashallarë shqiptarë si kryeministra në Perandorinë Osmane. Kur të kihet parasysh se kishte edhe shumë popuj tjerë, që ishin pushtuar nga këto perandori, por nuk kanë dhënë aq shumë despot sa ne, atëherë mund të thuhet se tek ne vlon ky gjen, që është ngrutësuar sot në togfjalëshin e ashtuquajtur: “bajrakatarizëm shqiptar.” Kemi edhe një tjetër fjali, që flet për sindromën e përshtatjes tonë: “kudo spiunët duhet paguar, tek shqiptarët i gjen falas”, mjafton ai të bëhet i rëndësishëm.

Në një revistë online lexova se një zyrtare turke kishte shtruar një pyetje përafërsisht kështu: “Si është e mundur që ju keni dhënë aq shumë vezirë, por nuk keni ecur para.” Ajo pyetje kishte mbetur pa përgjigje apo pa përgjigje të sakt: vezirët shqiptarë, që ishin profiluar në Perandorinë Osmane, nuk ishin ngritur aq lart në hierarkinë shtetërore të perandorisë pse ishin atdhetarë të mirë shqiptarë, por pikërisht pse ndjeheshin më osman se osmanët. Pa thënë me mburrje “osmanli elhamdyrylah”, ata nuk do të kishin fituar kurrë atë pushtet. Ky mendim vlen edhe për perandorët në Romë: ata ishin ngjitur aq lart, sepse ndjeheshin më romak se romaku dhe madje nuk kanë dhënë asnjë kontribut për vendin e origjinës. Pa thënë me mburrje “civis romanus sum” ata do të ngeleshin ilirë barbar.

Ne mburremi sot me ta duke ditur vetëm vendlindjen e tyre, por duke harruar se ata nuk na kanë lënë asnjë fjali për mburrje. Si të parët, po ashtu edhe të dytët. Duke parë veprimtarinë e tyre, suksesin në karrierë, injorimin e vendit, mund të thuhet se ata ishin thjesht njerëz të asimiluar. Pse mund të merret ky mendim si përkufizim i sakt dhe i drejtë?

Asnjë perandor romak me origjinë ilire nuk ka shkruar një fjali në gjuhën e vet për t’ i treguar botës se nuk ishte latin, por ilir. Asnjë vezir me origjinë shqiptare nuk ka shkruar apo dhënë ndonjë kontribut me vlerë për popullin e tij. Madje, në kohën e vezirëve shqiptarë, gjuha shqipe ishte e ndaluar me ligj në Perandorinë Osmane. Kjo domethënë se Iliria shtypej nga perandorë romak me origjinë ilire, aq keq, apo më keq se në kohën e peradorëve romak. Ajo domethënë se Arbëria shtypej aq keq, apo më keq se nga vezirët osman. Pse mund të thuhet se ata na shtypnin më keq se vet pushtuesit? Kjo mund të thuhet sepse ata dinin më mirë dobësitë tona dhe pasionin për bajraktarizëm. Tek ne mund të blihen njerëzit me ndikim dhe pastaj ata heshtin për çdo abuzim apo shmangie nga rruga e drejtë.

Sigurisht historianët dinë mirë sa kryengritje ilire dhe shqiptare kanë shtypur ata perandorë romak dhe vezirë me origjinë iliro-shqiptare. A kemi arsye të mburremi me këta? Jo! Me ata mund të krenohen vendet të cilëve u kanë shërbyer: pasardhësit e romakëve, për rrjedhim, pasardhësit e osmanëve. As me dinastinë shqiptare në Egjypt nuk kemi asnjë motiv për krenari. Sipas analogjisë mund të konstatohet kjo: ata që kanë shërbyer në një perandori gjersa populli i vet ishte i pushtuar prej saj, ose që merrnin pjesë në mbijetesën e pushtimit, ata mund të përqasen vetëm me Rrahman Morinën në kohën e Serbisë. Ato personalitete në Romë dhe Turqi, më sakt, ato gjene, na shfaqen edhe sot në politikat shqiptare. Kjo nuk na mundëson të kuptojnë vetëm vazhdimësinë, por të kuptojmë edhe politikanin tonë sot: gjenin e trashëguar dhe aq dendur përhapur tek ne.

Shikoni si funksionoi kjo makinë karrieriste tek ne: azilanti i Serbisë, Zogu, përfundoi si mbret i shqiptarëve. U hodh nëpër prehëra të ndryshëm për të mbetur në pushtet dhe do të kishte perënduar në fron, sikur të kishte pasur guxim të mos dezertonte. Sot përmendorja e tij qëndron vertikalisht dhe krenare në Shqipëri. Enveri ndryshoi shumë prehër dhe vdiq në fron. Sot për sot përmendorja e tij është në pozitë horizontale. Figura e tij është paradoksale si e shumicës së politikanëve shqiptare: për një palë përkundet në patriotizëm, për palën tjetër në djepin e tradhtisë apo demonit. Personalitetet politike shqiptare nuk janë kombëtare, por fisnore. Për një shtresë njëri është atdhetar i madh, për shtresën tjetër tradhtar i madh. E vlerësimi i drejtë është shumë i thjeshë: ai që ka vrarë qytetarë të vet për të mbetur në pushtet, nuk mund dhe nuk duhet të merret si shëmbëlltyrë apo personalitet pozitiv në historinë shqiptare.

Modibo Fofana gazetar i gazetës “Journal du Mali” ankohet se gratë e fisit malinke në fshatin Balama të Malit në Afrikën Perëndimore, duhet të shkojnë 15 km larg për lindje. Ai nuk din se gratë shqiptare të Preshevës, të qytetit me mbi 35.000 banorë, në Europë, bëjnë 42 kilometra dhe ajo Serbi, së shpjeti do të bëhet kandidate për BE. Për të fituar këtë status, ndihmë të madhe ka dhënë edhe Qeveria e Kosovës.

Në tre komuna shqiptare nuk ka spital as për gra shqiptare, e as për shqiptarë, por për këtë nuk u dëgjohet zëri politikanëve shqiptar. Edhe pse kemi dy shtete e gjysmë. Edhe pse jemi në Europë gratë shqiptare duhet të shkojnë gati tre herë më larg se gratë e fisit malinke në Mali.
Sedra e politikanit shqiptar lexohe në Luginë, lexohet në diskriminimin e shqiptarëve në Maqedoni. Lexohet në fytyrën e atyre nënave, që me dhembje në vitin 2013, në Europë, vazhdojnë rrugën për në Vranjë për të lindur, sepse bijtë e saj, patriotët më të mëdhenj të kësaj bote, konsiderojnë punë të mirë këtë. Madje, nuk e bëjnë as temë bisedimesh. Kanë shkuar edhe gjatë luftës gratë tona atje, pse nuk mund të shkojnë në paqe? Politikani shqiptar me atë gjen të trashëguar, nuk lufton për vendin, ai lufton për vetveten. Kjo është arsyeja pse kemi popull të varfër me pasaportë në xhep, por politikan dhe patriot milionerë, me xhepa të mbushur. Ata me hyrje në politikë, tregohen aq shumë të dëgjueshëm sa askush nga jashtë nuk ka dëshirë t’ i ndërrrojë më.

Fqinjët tanë edhe kur futen në politikë mbeten në shërbim të shtetit, shqiptari sapo të futet në politikë, zhvesh veten nga kombëtarja dhe bëhet një lloj prostitute e përdorshme për të gjithë: për miq dhe jo miq dhe i përshtatshëm për të gjitha rendet shoqërore: një prostitutë me zuzë universale dhe të gjithëpërdorshme. Politikani i vërtetë, humanist dhe i drejtë, para këtyre makinave korrëse karrieriste, nuk ka shanse. Këtë mund ta shohim në historinë shqiptare. Patriotizmi shqiptar shihet në Luginë, patriotizmi serb, në Mitrovicë.

Dua shumë të shpresoj se Edi Rama do të ruajë integritetin dhe idetitetin e vet dhe veprojë në dobi të shtetit shqiptar, jo të karrierës, jo si politikan, por pikë së pari si shqiptar i parë i Shqipërisë. Këtë shpresë na e fali me një fjalim. Dhe, të shpresojmë se nuk është bartës i atij gjeni, që pëson mutacione serike përshtatshmërie. Noli nuk posedonte atë gjen dhe e rrëzoi ai që e pati. Ndoshta një ditë shkenca do të lokalizojë atë dhe atëherë do të kuptojmë pse politikani shqiptar ishte aq të paskrupullt. Ato makina karrieriste korrëse nuk pushojnë së çaraveshuri dhe llaptojnë në halucinacione kur humbin pozitën, sepse ata politikan, nuk njohin parime morale dhe u mungon ndjenja e drejtësisë.

Gazeta DITA