Politikanët me vila në fshatrat turistikë

0
28


Shekulli Online, 11.03.2011

Ligji i ri që miratoi dje Parlamenti shqiptar në një seancë të mbushur me debate ka në thelb dhënien e pronësisë së truallit të gjithë personave që kanë blerë vila dhe apartamente luksi në fshatra turistikë. Bëhet fjalë për fshatrat turistikë që kanë dalë nga destinacioni duke ndërtuar më shumë se sa kishin lejen.

Ligji i ri u jep të drejtë këtyre personave që të blejnë tokën me çmime që shkojnë deri në 30 për qind më lirë se sa çmimet e referencës së vendosura nga qeveria. Vetë këto çmime janë tepër të ulëta në krahasim me çmimet reale të tregut. Ligji i vjetër ishte miratuar në vitin 2009 pothuajse në unanimitet, ndërsa ligji i djeshëm u kundërshtua ashpër nga opozita. Sipas saj, me këtë ligj qeveria po legalizon pasuritë e ministrave të saj dhe po ndëshkon pronarët e vërtetë të tokave.

Në total janë më shumë se 30 fshatra turistikë të shpërndarë pothuajse në të gjithë vijën bregdetare shqiptare. Ndërtimi i këtyre fshatrave është bërë duke u bazuar në një ligj që favorizonte zhvillimin në zona me potencial turistik. Të gjithë fshatrat janë miratuar më parë nga Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë. Por, pjesa më e madhe e këtyre fshatrave kanë ndryshuar destinacion. Në ligjin e vjetër parashikohej që në rastet kur në pronën e marrë me qira është ndryshuar destinacioni i objekteve të ndërtuara, për të cilën është rënë dakord që të përdoren për veprimtari të stimuluara, toka quhet e pazënë dhe i kthehet subjektit të shpronësuar.

Por, kjo pikë është shfuqizuar që në vitin 2009. Ndërtimi i fshatrave turistikë ka nisur që në vitin 1993 me parimin që toka do të jepej me qira për 99 vjet. Por deri më sot, në këto fshatra, kanë ndodhur shumë ndryshime. Kompanitë ndërtuese kanë ndryshuan destinacionin e fshatrave, duke i shitur vilat me çmime të kripura, ndërsa politika ka bërë punën e saj duke ndryshuar herë pas here ligjin e duke i krijuar lehtësi ndërtuesve të fshatrave turistike. Me ligjin që u miratua dje, qeveria i jep të drejtën këtyre individëve që të marrin përfundimisht edhe pronësinë e truallit, mbi të cilin janë ndërtuar vilat. Madje, ata mund të marrin në pronësi edhe më tepër se sa trualli. Pronarët e vilave mund të bëhen pronarë edhe të terreneve të fshatit si lulishtet, rrugicat, ambientet sportive etj. Të vetmit që humbasin në këtë rast janë pronarët e mëdhenj të tokave, ata që prej vitesh presin kompensim.

Por, kush janë njerëzit që kanë blerë vila në oazet e vogla buzë detit. Investigimi i “Shekulli”-t ka nxjerrë në skenë dhjetëra emra politikanësh apo personazhesh “VIP” që kanë blerë vilat e shtrenjta në bregdet. Pjesa më e madhe e tyre janë njerëzit që kanë bërë legjislacionin dhe ndryshimet përkatëse deri sa sot u jepet e drejta për të blerë përfundimisht tokën dhe me çmime më të ulëta. Një pjesë tjetër janë politikanët që kanë votuar në KRRTRSH për të miratuar fshatrat turistikë ku kanë pasur vila ose më pas kanë blerë vila.

Këto dy kategori në mos kanë abuzuar me detyrën, janë në konflikt të hapur interesi, pasi kanë miratuar ndryshimin e ligjeve ose kanë votuar në mënyrë direkte në favor të pronës së tyre. Pjesa tjetër janë miq të pushtetarëve apo përfaqësues së “shoqërisë civile”. “Shekulli” boton sot listën me emrat e disa prej politikanëve apo zyrtarëve shtetërorë që kanë vila në fshatrat turistikë në bregdet dhe tashmë ju jepet e drejta që të blejnë edhe tokën.

Disa nga personat e njohur që kanë vila në të ashtuquajtura fshatra turistikë:

Argita (Malltezi) Berisha, vajza e kryeministrit
Ilir Meta, ish-zv.kryeministër
Ridvan Bode, ministër i Financave
Shaban Memia, kreu i AUIZNIT
Lulzim Basha, ministri i Brendshëm
Fatos Nano, ish-kryeministër
Nikoll Lesi, ish-deputet, zv.ministër i Turizmit
Fatos Beja, deputet i PD
Genc Pollo, ministër i Teknologjisë
Flori Bajrami, Deputet i PD
Adriana Kumbaro, Deputete e PD
Mesila Doda, Deputete e PD
Jozefina Topalli, Kryetare e Kuvendit
Gerti Bogdani, Deputet i PD
Jemin Gjana, Deputet i PD
Bashkim Fino, Deputet i PS
Fatmir Mediu, ministër i Mjedisit
Genc Ruli, ministër i Bujqësisë
Gjergj Bojaxhi, ish-Drejtor i KESH/ Policisë Ndërtimore
Pandeli Majko, Deputet i PS
Ridvan Bode, ministër i Financave
Alfred Prifti, ish-drejtor i Tatimeve
Arben Imami, ministër i Mbrojtjes
Besnik Ymeraj, gjyqtar
Fehmi Abdiu, gjyqtar
Ilirjan Celibashi, ish-kryetar i KQZ
Maks Haxhia, jurist
Sokrat Sinaj, ish-kreu i Komitetit të Pronave
Uran Butka, politikan PD

Çmimet e tokave, sipas AKKP-së
Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të pronave ka përpiluar listën e çmimeve të tokave në zonat me përparësi turizmin, aty ku dhe janë ndërtuar fshatrat turistikë. Çmimet e vendosura nga shteti janë shumë më të ulëta se sa ato të tregut të lirë.

Dhërmi: 2 281 lekë/m2
Palasë: 1 729 lekë/m2
Pilur: 671 lekë/m2
Orikum: 17 867 lekë/m2
Radhimë: 2 143 lekë/m2
Zvërnec: 1 617 lekë/m2
Delvinë: 1 191 lekë/m2
Ksamil: 3 686 lekë/m2

Në Shkodër
Çmimi maks.: 31 753 lekë/m2
Çmimi min.: 13 429 lekë/m2
Velipojë: 1 286 lekë/m2

Pogradec
Çmimi maks.: 27 177 lekë/m2
Çmimi min.: 22 000 lekë/m2

Golemi 17 158 lekë/m2
Karpeni 14 117 lekë/m2
Spilleja 11 075 lekë/m2
Gjiri i Durrësit 37 262 lekë/m2
Gjiri i Lalëzit 13 866 lekë/m2
Shëngjini 25 510 lekë/m2
Gjiri i Rodonit – Laç 4 904 lekë/m2
Gjiri në lumin Mat 4 904 lekë/m2
Bregu i liqenit 21 564 lekë/m2