Mentor Kikia
Në fshatin tonë ka plasur gallatë e madhe. Çdo ditë media shkund thesin e Wikileaks i cili çdo herë nxjerr të dhëna të reja. Në fakt, jo se shumë prej këtyre informacioneve ne nuk i dinim, porse është ndryshe kur këto marrin trajtën e një lajmi “zyrtar” pasi dalin të renditura nga ambasada e shtetit më të fuqishëm të botës, i cili çdo vit i jep të drejtën vehtes të publikojë raporte mbi vendet e tjera për shkallën e korrupsionit, të drejtave të njeriut, kriminalitetit etj.
Nga publikimi i kabllogrameve na dalin në sipërfaqe dy realitete:
Së pari: Ne po mësojmë se si një dyzinë zyrtarësh të lartë të shtetit, deri tek ish shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë(medet ushtria për atë palo shef), si lapanjozë ordinerë kanë mbajtur radhën pas derës së Ambasadës Amerikane të raportojnë për maskarallëqet që bëhen në Shqipëri, edhe pse ishin të ftuar disa herë para drejtësisë për të dëshmuar e për ti thënë këto të vërteta. Po mësojmë se si një dyzinë politikanësh kanë mbajtur radhë pas ambasadës për të llomotitur kundër shoshoqit dhe shefave të tyre, ndërsa në publik, kongrese partie apo në KPD-ra, u lëpiheshin me neveri liderëve të partive për të mbajtur të sigurtë vendin në listën e deputetëve.
Ndjeheshin të kërcënuar – shkruajnë disa editorialistë – ndaj nuk kanë folur. Një dreq e di se sa janë kërcënuar në të vërtetë këta njrerëz, por ajo që ne dimë është se në vendin më të korruptuar të Europës, ku gjysma e parlamentit është e lidhur me krimin dhe ku vetë shteti ka natyrën e një organizate kriminale, asnjë zyrtar, asnjë ministër, deputet, drejtor, shef policie, prokuror e gjykatës, nuk është vrarë, nuk është plagosur, nuk është gërvishtur e nuk është kërcënuar.
I vetmi gjykatës që mori një plumb, e mori për probleme që nuk kishin lidhje fare me punën që bënte. Ndërsa të vetmit që janë vrarë, kanë qenë policët, që më së shumti shkonin me duar në xhepa drejt kriminelëve të armatosur. Publikimi i këtyre kabllogrameve na nxjerr në pah një lukuni njerëzish të neveritshëm që mendojnë të fitojnë kredite duke treguar prapaskenat në selinë e një ambasade, por nuk gjetën kurajon për ti thënë ato publikisht para drejtësisë së vendit të tyre dhe para popullit të tyre.
Së dyti, publikimi kabllogrameve na përforcon atë qe në tashmë e dimë të gjithë. Llumi i shoqërisë ka marrë në dorë frenat e shtetit dhe politikës në tërësi. Ne i dinim, por është ndryshe të lexosh raportet konfidenciale të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara mbi rolin e vajzës së kryeministrit si një përmbaruese e biznesit shqiptar. Ne e dinim, por është ndryshe të lexosh, se si numri dy i policisë së shtetit Agron Kulicaj, një njeri i afërt i familjes së kryeministrit, konsiderohet si zyrtar i korruptuar këmbë e kokë e i dyshuar për lidhje me kriminelin më të rrezikshëm të vendit Dritan Dajti.
Ne e dinim, por është ndryshe të lexosh raportet e Ambasadës Amerikane që thonë se Gramoz Ruçi, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste është i lidhur me trafikun e drogës dhe se për këtë arsye i ishte ndaluar edhe hyrja në SHBA. Apo të mësoh se deputetët Tom Doshi, Paulin Sterkaj, Lefter Koka e Sokol Olldashi janë të lidhur me trafikun e narkotikëve, biznese të zeza dhe grupe të krimit të organizuar. Ne e dinim se në Shqipëri duhet të paguash rryshfet edhe për të gjetur një vend për varr, por nuk e dinim se duhet të paguash edhe për të shkuar të luftosh në Irak, nga ku nuk e di nëse do të kthehesh gjallë apo jo. Dhe njeriu që e bënte këtë tashmë drejton Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Këtu nuk kemi të bëjmë më me kuriozitetin, për të mësuar se cili politikan ka spiunuar më shumë shokun. Këtu kemi të bëjmë me një rezilitet të frikshëm, ku mëson se si llumi i një vendi ka kapur prej fyti tërë popullin dhe ku, si ai që vjedh ashtu dhe ai që duhet ta ruajë, janë njëri më hajdut se tjetri.
Kabllogramet u publikuan edhe në vende të tjera, por më së shumti ato që dolën në dritë ishin probleme që kishin të bënin me politikën e jashtme apo batuta politikanësh me nentekste të ndryshme(Berluskoni kishte quajtur ezmer Barak Obamën). Por askund raportet e rezervuara diplomatike nuk ishin kaq dramatike sa në Shqipëri. Askund publikimi i këtyre materiale nuk prodhoi një realit të tillë ku duket sikur iu hoq kapaku një grope septike dhe të pëgërat morën rrugët duke qelbur tërë vendin. Asgjë më shumë nuk do të kishte dalë në shesh sikur të publikoheheshin kabllogramat për Camorra-n Ndargheta-n apo familjet mafioze italiane në New York.
Populli mësoi se, ndërsa ai votonte për partinë, kryetarët e partive nuk kishin vënë në listat e deputetëve thjeshtë miqtë e tyre të papaftë, por një bandë horrash e trafikantësh. Në rastet kur populli përballet me një qeverisje të keqe, ndërmer vetë nisiativa për të përmbysur qeverinë ose i bashkohet opozitës, e cila në sistemet demokratike eshtë ilaçi i qeverisjes së keqe.
Por kabllogramat janë drithëruese sa për qeverinë ashtu dhe për opozitën. I njëjti mentalitet politik(të dyja palët citohet se i sjellin njerëzit në protesta me para ose me detyrim), të njëjtat fytyra që kanë blerë me para shkollimin, karrierën, karrigen e deputetit dhe janë krimbur në para sikur tu përkisnin dinastive ekonomike 300 vjeçare.
Në këto kushte duket se asgjë më e mirë nuk e pret popullin pasi të largojë nga pushteti klanin mafioz që qeveris aktualisht. Një tjetër klan do të marrë drejtimin e shtetit, i cili mund të ketë qenë më i vogël deri tani, pasi nuk ka patur shumë zona nën kontroll. Pasi mbyllëm epokën e luftës së klasave, ne jemi futur në epokën e luftës së klaneve, e cila duket edhe më e ashpër dhe e rrezikshme.
Kryeministri Berisha i cilësoi kabllogramat si pasqyrën e shtypit të përditshëm, duke lënë të kuptohet se nuk do të ketë asnjë reflektim. Gjithashtu ne nuk presim që këto fakte të bëhen objekt hetimi, pasi në vendin më të korruptuar të Europës, në krye të listës qëndron vetë drejtësia. Por ne duhet tu jemi mirënjohës Shteteve të Bashkuara, të cilët kanë qenë e vazhdojnë të jenë rojtarë të mirë të demokracisë dhe përgjues të kujdesshëm të korrupsionit dhe kriminalitetit në nivelet më të larta zyrtare. Edhe pse në mënyrë të pavullnetshme, ata na ofrojnë këtë informacion, si një udhëzim të mrekullueshëm për ata që votojnë. Paçka se këtu nuk ka për tu bërë një gjyq penal, të paktën ky është një gjyq i mirë publik, edhe pse sedra dhe morali politik janë bërë mall e janë shitur me kohë.