Nga Mero Baze
Raporti i dytë paraprak i ODIHR është më i hidhuri që ka bërë ndonjë herë kjo organizatë para çdo palë zgjedhjesh në Shqipëri. Përveç vërejtjeve thelbësore për KQZ, përdorimin e administratës apo listave zgjedhore, raporti ndalet ndjeshëm tek trukimi i fushatës. Në qendër të këtij shqetësimi në të vërtetë mbetet këmbëngulja e kandidatit të Tiranës, Lulëzim Basha, për të mos pranuar kamerat dhe reporterët pas tij në terren, por për t’i detyruar ata të transmetojnë xhirimet e trukuara të tij. Kjo këmbëngulje tashmë ka prodhuar në të vërtetë një identitet të Lulëzim Bashës si politikani i vetëm që ka bërë betejë në fushatë elektorale kundër transparencës dhe lirisë së medies dhe ka premtuar transparencë dhe liri shtypi kur të qeverisë. Pra, Lulëzim Basha është rasti i dukshëm i trukimit të fushatës.
Por përtej Lulëzim Bashës ne kemi një trukim të gjithë koalicionit të Berishës. Dikur, së paku deri në zgjedhjet e vitit 2009, aleati kryesor i rëndësishëm i PD ka qenë Partia Republikane. Pas vitit 2009, për shkak të koalicionit të ri, Partia Republikane duket se ka humbur tërësisht rëndësinë brenda koalicionit. I përkëdheluri i madh i Berishës ka vetëm një hipotekë politike që e mban akoma afër Berishës, faktin që ka pasur fatin të jap licencën e Fabrikës së Gërdecit për djalin e kryeministrit. Po të mos ishte ky fat, sot Fatmir Mediu nuk do të ishte më as deputet.
Në kushtet kur ai po bëhet i parëndësishëm politikisht, por vetëm i rëndësishëm personalisht, ai ka humbur tërësisht dhe identitetin e partisë së tij. Partia Republikane tashmë është një parti që në vend të traditës, pronave apo atdheut, mbron Fatmir Mediun. Lideri i saj tradicional, Sabri Godo, ka distancë të qartë nga partia dhe është bërë pjesë e shtabit të Lulëzim Bashës ku dhe aty keqpërdoret për gënjeshtra të trasha siç ishte rasti që gruaja e Bashës ka flakur shtetësinë shqiptare se nuk blinte dot shtëpi me pasaportë shqiptare.
Në të njëjtin profil me republikanët brenda koalicionit të Berishës janë afruar ata që quhen parti e komunitetit çam, drejtuar nga Shpëtim Idrizi. Kjo parti, e cila e ka të gdhendur identitetin e saj për shkak të krijimit si një parti me arsye historike, ka bërë përpjekje të mëdha dhe të stërmundimshme të humbasë atë dhe të kthehet si gjithë partitë e tjera në një parti që ka halle të zakonshme si targat, patentat, ndërtimet pa leje, ndonjë drejtor dogane etj. Qasja e tyre ndaj çështjes çame është ofenduese dhe ndoshta më e dëmshmja qysh kur ky problem është kthyer në një përgjegjësi për shtetin shqiptar.
Nëse rri e mendon se çfarë vlerash politike përfaqësojnë ata brenda Berishës, të duket se kanë marrë me qera çështjen çame deri sa të arrijnë përmes saj tek targat, patentat, lejet e ndërtimit dhe paret e pushtetit. Por sidoqoftë ata duket se i janë ofruar Berishës veç të tjerash dhe si njerëz të fortë, që mund t’i mbledhin votat me forcë, me kriminelë dhe pare. Në këtë pikë ata kanë shumuar dukshëm dhe rëndësinë që kanë pasë dikur disa grupe “të fortë” republikanësh brenda Berishës.
Të tretët për nga kriza e identitetit, por të parët për nga rëndësia, mbeten njerëzit e Ilir Metës.
Kjo parti, e cila ka hyrë në krizë të rëndë morale me opinionin publik për shkak të skenave të tmerrshme me zë dhe figurë që shqiptarët panë duke diskutuar për 5 minuta për dhjetë milionë euro, Ilir Meta është zhdukur nga fushata elektorale. Ka hequr emrin nga posterat, fotot dhe është zhdukur nga ekranet. Partia, e cila duhet për të qenë identitet i së majtës brenda koalicionit të Berishës, është në të vërtetë identiteti i korrupsionit brenda koalicionit. Dhe ata për të dalë nga kriza kanë marrë me qera identitetin e dikurshëm të LSI me shpresë se njerëzit nuk do të ngatërrojnë LSI me Metën, ashtu sikur Berisha shpreson që të mos ngatërrojnë Bashën me të në Tiranë.
Kjo humbje identitetesh brenda koalicionit ka trukuar në të vërtetë shumë rëndë fushatën elektorale dhe në thelbin e saj, pasi kjo është e vetmja fushatë ku kemi republikanë që nuk mbrojnë republikën, por të ardhmen e kryetarit, kemi çamë që mbrojnë interesat ekonomike të kryetarit, dhe kemi ish- socialistë që kanë kaluar në ilegalitet kryetarin e tyre se ua urren populli. Po t’i shtosh këtij trukimi dhe faktin që Basha po përpiqet të duket sikur nuk ka punë me Berishën në Tiranë, ne jemi para një fushatë të trukuar jo vetëm në media siç shqetësohet ODIHR, por dhe në thelbin e saj politik, pasi brenda këtij muaji të gjithë po bëjnë sikur nuk janë ata që janë. Berisha, Mediu, Idrizi dhe Meta nuk fshihen dot për një muaj.
As Berisha nuk e ul dot alergjinë që kanë ndaj tij në Tiranë, duke u arratisur fshatrave të Shqipërisë, as Metës nuk i bën punë roli i strucit, që fsheh kokën në fushatë, por lë jashtë trupin, as Idrizi nuk duket dot patriot, duke mbajtur me vete kriminelë në fushatë dhe duke premtuar para, dhe as Fatmir Mediu nuk duket dot republikan, pa dhënë prova për Monarkinë e Korrupsionit brenda Familjes Berisha, dëshmitar i së cilës është. Brenda koalicionit tani nuk dihet kush është kush, dhe nuk ka më arsye politike përveç arsyeve personale të jenë aleatë me Berishën. Të gjithë duket se kanë marrë nga një kostum politik me qera për një muaj dhe shpresojnë se nuk duken ata që janë.