Politika me qytetarin

0
32


Albin Kurti

Politikanët që kanë drejtuar institucionet e Kosovës nuk kanë ambicie më të mëdha për Kosovën sesa këtë Kosovë që kemi e të këtillë çfarë e kemi. Ambiciet e tyre, duke qenë private e personale, nuk bëhen synime për avancimin e Kosovës. Ato furnizojnë veçse dëshirën e papërmbajtur që të ngjiten më lart për veten e tyre ose të qëndrojnë më gjatë atje lart ku janë.

Për të qenë më keq se kaq, as ndërkombëtarët nuk kanë ambicie më të mëdha për Kosovën sesa kjo Kosovë, kështu siç është. E gjithë brenga e tyre konsiston në atë se si mund të bëhet më keq në Kosovë e jo se si mund të bëhet më mirë. Ata shqetësohen se çfarë mund të humbet, ndërkohë që gjithnjë e më pak kemi, e jo se çka mund të fitojmë. Edhe mendimi këshillues pozitiv i GjND-së më shumë shkaktoi gëzim që nuk do të zvogëlohen njohjet e deritanishme të pavarësisë sesa që solli njohje të reja.

Përligjen e gjendjes ekzistuese pushtetarët e tashëm e reduktojnë në përllogaritje shifrash, njohjesh, suksesesh numerike, imazhe të shkëputura nga realitetet e përditshme. Kështu ata rendisin fytyrat e shumta të tyre në numërimet e largësive që i ndajnë nga populli. Premtojnë rritje numerike pagash, çdo ditë me nga një rritje të re për të konfirmuar secilën ditë, kërkesën dëshpëruese drejtuar secilit qytetar më vete, për ruajtjen e vuajtjes së mungesave të tyre të përbashkëta.

Kërkesë për një tjetër pësim të gjendjes së mbijetesës, e cila si përfitues ka vetëm ata që atje lart e larg, jetojnë mirë, shumë mirë pa qenë aspak të mirë. Janë pikërisht këto lloj rritjesh që në vend që të investohen në potencialet zhvilluese të Kosovës, investohen në zbehjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve për momentin kritik në të cilin po jetojmë.

Ngritja e mëtutjeshme e pozitës politike të Kosovës dhe përmirësimi i gjendjes socio-ekonomike të qytetarëve nuk mund të vijë nga qeveritarët aktualë vendas dhe as nga burokratët e diplomatët ndërkombëtarë. Bërja sovrane e shtetit nuk mund të realizohet nga ata që mungesën e sovranitetit e shfrytëzuan për interesat e tyre parciale. Hapësira jonë publike e mundësimi politik i shqiptarit nuk mund të kryhet nga ata që penguan në çfarëdolloj forme përpjekjen tonë për t’u shprehur e përmbushur politikisht. Përmirësimi i kësaj gjendjeje nuk mund të vijë nëpërmjet një procesi teknik të ndryshimit të individëve të të njëjtit soj, sepse soji i njëjtë të lë në rendin e njëjtë të gjërave.

Ndryshimi i politikës duhet të jetë aq rrënjësor saqë duhet ta ndryshojë edhe vetë domethënien e politikës. Nga një politikë që kufizohet në përfaqësim e ndërmjetësim duhet të arrijmë te një politikë që shprehet edhe si botëkuptim e aksion.

Mundësia dhe shpresa e këtij vendi janë qytetarët e pakënaqur e jo pushtetarët e vetëkënaqur. Më mirë (në të kaluarën) ka qenë e mundshme (me tjetër pushtet prej atij që kishim). Më keq (për të ardhmen) është po ashtu e mundshme (nëse vazhdojmë me të njëjtin pushtet). Ndryshimi bëhet i mundshëm përmes bashkimit të qytetarëve. Bashkimi është kushti i mundësisë.