“Politika me këtë lloj llumi do të dalë më e pisët”

0
33

Dashamir Shehi

Kreu i LZHK-së thotë se formula për zgjidhjen e krizës politike është krijimi i një qeverie të përbashkët.

Bisedoi: Kreshnik KUÇAJ

Kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, thotë se ashpërsimi i gjuhës së klasës politike deri në fyerje dhe ofendime personale e ka futur politikën shqiptare në një “llum”. Sipas tij, kjo situatë duket si një rikthim në vitet 1972 të Enver Hoxhës, dhe për këtë ai fajëson mazhorancën. Duke folur në intervistë për “Korrierin”, Shehi thotë se kriza politike mund të zgjidhet nga vetë palët që e kanë krijuar atë, pra nga PD-ja dhe PS-ja. Sipas tij, zgjidhja më e mirë do të ishte krijimi i një qeverie të përbashkët mes PD-së dhe PS-së. Duke qenë një pozicion të distancuar nga të dyja palët politike, Shehi thotë se rruga që ka zgjedhur ai për hetimin e zgjedhjeve është ajo institucionale. Edhe pse reagimi i institucioneve për këtë çështje nuk ka dhënë rezultatin e pritur deri tani, Shehi thotë përdor një shprehje popullore, “Shpresa vdes e fundit”

-Zoti Shehi, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar dhe ju si kryetar i saj keni qëndruar të baraslarguar nga dy kampet politike, duke mos mbështetur qëndrimin e mazhorancën për zgjedhjet, por duke mos iu bashkuar as protestave popullore të opozitës. Tashmë flitet për krizë politike, por cila mund të jetë zgjidhja e këtij problemi sipas jush?

“Një zgjidhje ka. Verifikimin e zgjedhjeve se këtu qëndron problemi. Unë jam për hapjen e kutive, sepse gjykoj që transparenca zgjedhore është formula më e mirë për të zgjidhur problemin dhe për të ulur pretendimet e palëve. Këta zotërinj që gjykojnë se i kanë fituar zgjedhjet, mund t’i verifikojnë dhe i mbyllin gojën edhe palës tjetër”

-Nga palët politike duket se nuk ka asnjë hap konkret për bisedime, të paktën nga mazhoranca që e cilëson të mbyllur çështjen e zgjedhjeve. Si mund të nisin këto diskutime, kush mund të jetë mediatori?

“Unë gjykoj se duhet të zgjidhin në radhë të parë palët politike vetë. Ata që e krijuan këtë krizë, ata duhet të shkojnë edhe drejt zgjidhjes. Këtu dy faktorë ka tani. Fatkeqësisht ka vetëm dy, sepse bënë një Kod të tillë Zgjedhor, bënë një Kushtetutë të tillë, që e kthyen në tavolinë Shqipërinë në bipolarizëm politik. Nga pluralizmi që ishim e kthyem në bipolarizëm. Nga kjo pikëpamje, unë gjykoj se duhet që të bëhet një qeveri e përbashkët mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Gjykoj që kjo është formula më e mirë meqë edhe rezultati zgjedhor ka qenë pothuajse i barabartë mes palëve, me një diferencë të vogël as 1 për qind. Praktikisht, kjo është e vetmja formulë për t’i kthyer besimin në popull të gjithë politikës, për t’iu rikthyer punës dhe jo fjalëve që po dëgjojmë kohët e fundit”.

-Klima politike është ashpërsuar ndjeshëm, pasi prej pak ditësh gjuha që po përdoret nga liderët dhe nga figurat e tjera të PS-së dhe PD-së ka tejkaluar deri në fyerje dhe akuza personale. Si e vlerësoni këtë komunikim politik?

“Gjykoj që këtu faji bie mbi mazhorancën. Do të ishte e kotë që të themi që këtu opozita ka faj. Opozita i ka problemet e veta të shtrira pak më tej, qëkurse pranoi të bënte një Kod që ishte antidemokratik. Por situata e sotme sigurisht që është në radhë të parë problem i mazhorancës. Shoh që këtu është hapur një “valë grash”, me thënë të drejtën edhe situatë pak groteske e qesharake, të cilët mundohen të mbrojnë fjalët e kryeministrit. Po lemë ato fjalët e kryeministrit, por më duket një atmosferë që më kujton ato vitet 1972 të Enver Hoxhës, ato vitet e marrëzive të kota. Ndjehem shumë i trishtuar, se them që Shqipëria e vitit 2010, ku praktikisht po shkojmë, po zbret kaq poshtë, në një nivel kaq banal, të rëndomtë. Më vjen zor dhe them që nganjëherë ne po flasim për Europën, por ne nuk e meritojmë Europën, se kështu mund të flitet vetëm në Afrikë. Dhe në Afrikë si te vendet e prapambetura, se ka goxha shtete afrikane shumë dinjitoze”.

-Si mendoni se mund të ndikojë në popull kjo gjuhë e ashpër? Kujtojmë faktin se kemi javën tjetër dy mitingje, njëri ku opozita do të protestojë dhe tjetri ku mazhoranca do të festojë…

“Këto ndikojnë negativisht për faktin e thjeshtë, se sherri duhej të bëhej për votat edhe platformat politike. Këtu sherri po bëhet për ca tema që janë jashtë politikës, jo fustane grash, jo muhabete të kota, që unë kam frikë se politika shqiptare pasi të hyjë edhe në këtë lloj llumi, do të dalë edhe shumë më e pisët sesa mendohej përpara. Se e gjithë kjo tufë moralistësh të kotë, që nuk kanë farë lidhje me moralin, kam frikë se janë plotësisht të korruptuar dhe imoralë, përderisa pranojnë të bëjnë të tilla deklarime”.

-Ju si LZHK keni zgjedhur rrugën institucionale për kërkuar hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Çfarë po bëhet në këtë drejtim nga institucionet?

“Shpresoj që institucionet do të reagojnë. Nuk kam ndonjë besim të madh, por shpresa vdes e fundit, sikurse thotë populli. Shpresojmë se kjo lloj rrugë do të ketë një lloj suksesi, sepse kemi respektuar ligjin deri në fund, kemi gjykuar se do t’i kërkojmë nëpër të gjithë institucionet, nga Gjykata Kushtetuese e nga Prokuroria, të gjithë të drejtat tona që burojnë nga kjo Kushtetutë që kemi sot, pavarësisht problemit tonë madhor. E kemi theksuar gjithnjë që ky rezultat dhe kjo situatë është derivat i një marrëveshjeje të dobët, keqdashëse, antidemokratike, që u bë për Kodin Zgjedhor edhe për Kushtetutën e Shqipërisë”.