Politika e forcës

0
31

Afrim Krasniqi

Afrim Krasniqi, 24.11.2009

Partitë politike të së majtës në opozitë dhe disa aleatë të djathtë mbyllën protestën politike treditore dhe pas një ultimatumi 10-ditor, paralajmëruan rinisjen e tyre pas datës 5 dhjetor.

Në të njëjtën kohë, mazhoranca e djathtë në pushtet lajmëroi organizimin e një mitingu të madh festiv tre ditë pas skadimit të ultimatumit të opozitës. Reagimi i palëve erdhi, ndërkohë që secila palë refuzoi këshillat ndërkombëtare për nisjen e dialogut dhe të bisedimeve për tejkalimin e krizës.

Të mësuar me protestën e rrugës dhe me traditën shqiptare, sipas të cilës, i forti dikton politikën, dy palët hoqën dorë nga instrumentet bashkëkohore të trajtimit të konflikteve politike, duke i dhënë përparësi përdorimit të gjuhës së forcës.

Që kur ka lindur demokracia janë të pakta rastet kur institucionet dhe vlerat e saj kanë ardhur përmes përdorimit të forcës dhe të mjeteve të rrugës. Zakonisht, të tilla zhvillime ndodhin në rastet e ndryshimit të sistemit politik dhe të regjimit qeverisës, por asnjëherë gjatë fazave të ndërmjetme.

Shqipëria e ka kaluar këtë fazë më 1990-ën, kur studentët injoruan mekanizmat dhe ligjet e sistemit komunist, duke protestuar dhe detyruar atë të pranojnë pluralizmin politik.

Dhjetori i vitit 2009-të është i pakrahasueshëm me dhjetorin 1990-të dhe me çdo periudhë tjetër të njëjtë. Palët janë pjesë të sistemit politik, janë aktorë kryesorë, janë sa përgjegjës për krizat politike dhe dështimet e tranzicionit, aq edhe autorë të çdo arritje politike të këtij tranzicioni.

Fakti që pas 19 vitesh, palët e shohin njëra-tjetrën jo si partnerë në modernizimin e politikës dhe të shtetit ligjor, por si një armik politik, një rrezik për pushtetin dhe privilegjet, një e keqe e madhe që duhet zhdukur, shpreh më së miri mentalitetin parademokratik dhe ende komunist të liderëve kryesorë politikë, vendimmarrës në partitë e mëdha politike.

Në një sistem demokratik dhe një vend anëtar në NATO e kandidat për në BE, nuk mund të ndodhë kurrë që pakica të diktojë shumicën dhe anasjelltas, shumica të përdorë pushtetin dhe forcën e rrugës për mbylljen e gojës së pakicës. Të dyja strategjitë janë të tejkaluara, të gabuara, të dëmshme dhe të padenja për ata që na përfaqësojnë.

Një vend ku lider të opozitës bëjnë thirrje për kalimin e pushtetit të institucioneve te qytetarët, te populli, te turma, apo ku lideri i mazhorancës provokon e kërcënon opozitën, ku numri dy i hierarkisë shtetërore tremb fëmijët e mbledhur ditën ndërkombëtare të të drejtave të tyre, duke sulmuar pa etike prindërit (shumica të ndarë nga jeta) të drejtuesve të opozitës, apo ku skenarët e politikës flasin për forcë e kundërforcë, nuk është e nuk mund të jetë një vend i denjë për familjen evropiane, për bashkësinë e vlerave euroatlantike dhe për vetë qytetarët e përgjegjshëm shumicë të tij.

Gara e muskujve midis një opozite që kërkon hapje të kutive të votimit dhe një mazhorance që kërkon të refuzojë çdo nismë politike të opozitës vjen si një lajm i keq, zhvillim kundërproduktiv dhe një sinjal alarmues për statusin, imazhin, stabilitetin dhe nevojat e Shqipërisë.

Sot gjysma e shqiptarëve ka votuar për të majtën, gjysma për të djathtën, gjysma beson se hapja e kutive të votimit është e drejtë, gjysma beson se është e gabuar, gjysma beson te protestat e bojkoti, gjysma te refuzimi i protestave dhe kërkesave të opozitës.

Pra, sot Shqipëria ndodhet shumë larg në bipolaritetin e saj, në një fazë të hershme, ku fituesi i zgjedhjeve e konsideron veten të dërguar të zotit për të qeverisur në këtë tokë dhe ku humbësi i zgjedhjeve e konsideron veten viktimë të një skenari gati ndërkombëtar.

Secila palë nuk është në vendin e vet, nuk është aty për ku është votuar, nuk është në rrugën e duhur, në vendin e duhur dhe në kohën e duhur.

Një situatë e njëjtë 12 vjet më parë desh na çoi në një anarki shtetërore e publike, ngjarjet e tanishme fatkeqësisht po tregojnë se 1997-ta nuk është kuptuar, nuk është nxjerrë asnjë mësim prej saj dhe se kokat e nxehta janë të gatshme të shkatërrojnë gjithçka vetëm për të marrë apo ruajtur pushtetin personal.

Kriza nuk është pa rrugëzgjidhje. Faktori ndërkombëtar ka kërkuar dialog politik e zgjidhje brendashqiptare. Ai ka inkurajuar Presidentin të ndërmarrë rol ndërmjetësues për krizën. Vetë Presidenti e theksoi këtë pozicion një ditë më parë, edhe pse ai duket se e ka të qartë se negociata ka vlerë vetëm nëse pranohet nga ata që janë palë në krizë.

Në aspektin juridik palët nuk i kanë konsumuar të gjitha mjetet ligjore, përderisa asnjëra nuk i është adresuar Gjykatës Kushtetuese për hapjen ose jo të kutive të votimit. Një arsye është ajo se asnjëra palë nuk është e sigurt mbi vendimin e gjykatës, ndaj secila ndjehet e pasigurt në rrugën që ka nisur.

Në aspektin politik palët nuk kanë konsumuar ende asnjë fazë të negocimit: nuk kemi dialog, nuk kemi ndërmjetësim, nuk kemi takime në nivel parlamentar apo partiak, nuk kemi bisedime direkte dhe as indirekte me faktorin ndërkombëtar, apo faktorë të tjerë të përfshirë në zhvillimet shqiptare. Opozita kërkon, mazhoranca refuzon dhe akuzon opozitën.

Debati politik është zhvendosur nga forma institucione, në një fjalor e sjelljes rrugësh, pa parime, pa moral, pa besueshmëri, pa minimumin e sensit të etikës dhe përgjegjësisë politike.

Pra, kur nuk janë konsumuar të gjitha fazat dhe mjetet e dialogut, të fjalës, të veprimit të institucioneve, palët i janë drejtuar mjetit të parafundit: forcës së rrugës, forcës së turmës.

Sado që kjo rrugë justifikohet herë si luftë për mbrojtjen e demokracisë apo vishet me retorike euroatlantike, në thelb nuk ka lidhje me asnjërën. Në fund të fundit, ajo është një rrugë pa krye që në rastin më të mirë mund të çojë në një krizë politike 3-4 mujore dhe në rastin më të keq në një anarki politike.