Politika dhe kultura

0
29

Ndue Ukaj

Ndue Ukaj

Përderisa politika është forma e jashtme, kompozicionale dhe strukturore e ndërtimit dhe funksionimit të një shteti a kombi, kultura është esenca e brendshme e qenësisë së tij, shpirti që i jep frymë dhe identitet. Pra, qenësisht mund të thuhet se kultura është substanca e një shteti a kombi. Në këtë linjë të mendimeve, ekziston një pajtueshmëri se pikërisht zhvillimet e hovshme kulturore, ju paraprijnë zhvillimeve të hovshme dhe të shpejta pozitive, politike dhe ekonomike brenda një shteti a kombi. Një politike e avancuara dhe në funksion të interesave të përbashkëta, një politike që intencë ka zhvillimin e jo pushtetin, sigurisht se sendërtohet mbi baza të fuqishme kulturore e edukative, të cilat rezultojnë nga një ambient i bujshëm kulturor, i cili krijon elita të fuqishme dhe të pa thyeshme karshi sfidave të ndryshme.

Në fakt, nëse e përdorim pak empirinë, ajo na shpije drejt një konstatimi të qëndrueshëm, se vetëm ato shoqëri që kanë kaluar nëpër fazat e mirëfillta të zhvillimeve kulturore, mund të jenë shoqëri të mirëqenies në plotëni, shoqëri të lira plotënisht, të konsoliduara, të afta të tejkalojnë sfidat e ndryshme dhe të gatshme të bëjnë kompromise për të sendërtuar idealet e përbashkëta kombëtare e shtetënore. Për këtë shembull, mjafton të shohim e analizojmë shoqëritë perëndimore, kombet e përparuara, të cilat, në esencë politikën e kanë kulturë, ndërkaq kulturën pjesë funksionale të politikës. Në këto shoqëri, edukimi kulturor, është bazik, substrati mbi të cilin ndërtohen gjitha paradigma tjera politike shtetërore, të cilat janë të motivueshme prej kulturës dhe e kanë shenjë e shënjues të përbashkët kulturën.

Një shteti dhe komb me elita kulturore të zhvilluara, të mençura dhe kreative, nuk ka sesi të mos jetë i pa zhvilluar politikisht, apo anasjelltas. Dhe hiq më pak, nuk mund të mbetet prapa kombeve të zhvilluara. Kjo, nuk do të thotë që nuk ka raste përjashtuese, të cilat zakonisht mund të nxirren si shembuj nga shtetet a shoqëritë nën diktatura dhe autoritare, ku demokracia është vetëm veshje e jashtme politike, mirëpo larg të qenit substancë politike.

Kur nuk bashkëjetojnë kultura dhe politika, atëherë zakonisht krijohen mitet për politikaj, krijohen mite të rreme për nacionin, krijohen ideologji të rrezikshme, çfarë kemi përjetuar edhe ne shqiptarët, dukuri këto të cilat në përmasa paksa më të reduktuara, i përjetomë çuditërisht edhe sot. Kjo rezulton, pastaj, me politika njëmendësie, të cilat bëjnë ndarje, diferencime, je me këtë ose kundër këtij. E gjithë kjo ndodh, sepse mungojnë reflektimet e fuqishme të elitave kulturore, të cilat, realisht asnjëherë nuk do tw duhej tw vënë në dyshim parimet e tyre.

Kultura duhet të jetë faktori kyç brenda një shteti a kombi. Kjo, përveç tjerash edhe për të mbajtur balance mes fuqisë së pushtetit/ politikës dhe shoqërisë.
Kultura dhe politika, duke qenë fushat themelore të një shteti, gjithsesi duhet të sillen me shumë kujdes dhe sens ndjeshmëri ndaj njëra-tjetrës. Përjashtimi i kulturë nga politika apo anasjelltas, është shumë i rrezikshme për shëndetin e një kombi dhe shteti.

Ekziston një premisë logjikë e interpretimit të këtyre argumenteve, të cilat për bazë marrin shoqëritë me demokraci liberale dhe ato autoritare. Në fakt, në demokracitë liberale, elitat politike janë ato që shpeshherë determinojnë formën e proceseve, ndërkaq në shoqëritë autoritare, elitat janë pjesa më e nëpërkëmbur, e cila për të mbijetuar a ekzistuar, duhet t’iu nënshtrohen autoritetit të shtetit dhe të veprojnë kundër vullnetit të tyre. Ndërsa në variante tjera, ato kanë emigruar, ashtu siç ndodh edhe me ne shqiptarët. Kur ndrydhet liria e mendimit, e shprehjes, apo, kur ajo “korruptohet” për ndonjë arsye, çfarëdo qoftë ajo, aty nuk mund të bëhet fjalë më për liri të njëmend, përpos për liri të fragmentuar dhe të diferencuar. Prandaj, edhe kultura është e papërfillshme, së këndejmi edhe jo influencuese.

Ndërkaq, elitat kulturore, ky komunitet kaq i fuqishëm, mbeten në margjina të jetës. Ky rrezik po e kërcënon edhe kombin shqiptar, i cili, përkundër historive të shumta tragjike, nuk diti të nxjerr shembuj të motivueshëm për ndryshme pozitive që t’i përfilltë elitat kulturore dhe jo t’i luftoi ato, ose t’i përbuzë si është më së keqi. Pikërisht nga mungesa e një zëri autoritar të elitave kulturore, të cilat ekzistojnë, por janë të ndrydhura, çdo punë e madhe tek shqiptarët është e adresuar në duart e një elite politike, jo shumë të dashur për shqiptarët, realitet ky që është i padiskutueshëm, qoftë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, të shqiptarët në Mal të Zi, apo vende tjera ku ka shqiptar.

Nuk mund të kuptohet një shtet apo etni pa kulture, ashtu sikurse nuk mund të funksionoj mirë një shtet pa politikë të mirëfilltë. Këto dy komponente, janë aq shumë të ndërlidhura me njëra tjetrën, edhe përkundër asaj se vazhdon të ekzistoi një stereotip i të menduarit se kultura dhe politika janë në kundërshti dhe e përjashtojnë njëra tjetrën. Në fakt, kjo kundërshti është e nënkuptueshme, kur kihet parasysh roli i tyre fundamental në konstituimin shpirtëror e fizik të një kombi a shteti. Për të funksionuar mirë një shtet, lypset këto dy komponente t’i ketë të zhvilluara paralelisht, të cilat duhet ta stimulojnë njëra-tjetrën dhe jo assesi ta luftojnë njëra-tjetrën.

Është koha që edhe tek shqiptarët të këndellet politika dhe të mos i përbuzë pafundësisht elitat kulturore. Sepse një bashkëpunim i natyrshëm, do të stimulonte shumë procese dhe do të ndihmonte në uljen e shumë tendosjeve të panevojshme politike brenda politikës shqiptare, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë e gjetiu ku ka shqiptar.

Më shumë se shqiptarët pak kush ka arsye me besu pse nuk duhet të përbuzën elitat kulturore. Për këtë, vetëm pak duhet të kthehemi mbrapa.