Politika dhe ekonomia

0
80

Eduard Zaloshnja

Eduard Zaloshnja

Politika dhe ekonomia gjithnjë kanë qenë të lidhura me njëra-tjetrën. Historia botërore na tregon se zhvillimet e caktuara ekonomike kanë pasur ndikim të rëndësishëm në zhvillimet politike dhe anasjelltas. Një nga rastet më të cituara të kësaj ndërlidhjeje mes politikës dhe ekonomisë është humbja e Bushit ndaj Klintonit në garën presidenciale amerikane të vitit 1992. Presidenti Bush kishte nivelin më të lartë të aprovimit nga publiku pas luftës tejet të suksesshme në Kuvajt, por për fatin e tij të keq (e ndoshta edhe të paaftësisë), ekonomia amerikane pati një periudhe tkurrjeje, të shoqëruar me rritje të papunësisë në muajt para zgjedhjeve. Si rezultat, zgjedhjet i fitoi Klintoni, që atëherë ishte një politikan i papërvojë provincial.

Më afër për ne shqiptarët është rasti i vitit 1997. Në zgjedhjet lokale të tetorit 1996, kur votuesit ishin të kënaqur me fitimet e kollajshme nga investimet në firmat piramidale, votuan në masë pro PD-së. Në zgjedhjet e qershorit 1997, pasi paratë e investuara në firmat piramidale u zhdukën, ata votuan në masë pro PS-së.

Duke u afruar në ditët tona, është me interes të analizohet se si politika dhe ekonomia do ndërveprojnë në muajt në vazhdim.

Futja e grupit parlamentar të PS-së në Kuvend duket se nuk do të shënojë fundin e krizës politike shqiptare. Edi Rama e ka bërë të qartë se “PS-ja nuk shkon në Parlament për të dalë, por as për të ndenjur atje pa u hapur kutitë”. Ndërkohë, Sali Berisha e ka bërë të qartë se komisioni hetimor që kërkon PS-ja mund të hetojë çdo gjë që ka të bëjë me zgjedhjet, përveç kutive të votimit.
Duke gjykuar nga zhvillimet e 6 muajve të fundit, por edhe nga historia e mëparshme e këtyre dy politikanëve, është e lehtë të vësh bast se asnjëri prej tyre nuk do të tërhiqet nga istikamet aktuale deri sa të vijë koha për përgatitjen e zgjedhjeve lokale. Në atë moment, Ramës do t’i duhet të marrë një vendim nëse do të përdorë bojkotimin e tyre si mjet trysnie ndaj Berishës apo jo. Dhe në qoftë se ai vendos për bojkotin, Berishës i mbetet të zgjedhë mes zhvillimit të zgjedhjeve lokale pa opozitën dhe zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Se çfarë vendimi politik do të marrë Berisha në atë moment, do të varet shumë nga ekonomia. Dhe jo vetëm nga ekonomia shqiptare – edhe nga ajo e vendeve përreth.

Le të fillojmë me ekonominë e fqinjëve. Ekonomia greke është në prag të kolapsit të plotë si prej tkurrjes së shpenzimeve publike, ashtu dhe të atyre private. Dhe me gjithë premtimin e BE-së se nuk do ta lërë Greqinë të shkojë drejt greminës, është e qartë se ekonomisë greke do t’i duhet kohë të kthehet në nivelin e parakrizës. Kjo periudhë e vështirë e ekonomisë greke përkthehet në më pak para që emigrantët mund të dërgojnë në Shqipëri dhe në më pak vende pune për ata shqiptarë që do duan të shkojnë në Greqi pas liberalizimit të vizave.
Italia nuk është akoma në nivelin e Greqisë, por mund të arrijë atje në një të ardhme të afërt.

Ngjashëm me qeverinë greke, pushteti lokal në Itali ka përdorur instrumente financiare të një banke të madhe amerikane (J.P.Morgan Chase) për të fshehur borxhet e mëdha. Dhe në kushtet kur qeveria qendrore është e zhytur në borxhe për vete, e vetmja zgjidhje për pushtetin lokal do të jetë shkurtimi drastik i shpenzimeve – gjë që do ta thellojë edhe më tej krizën aktuale. Dhe njësoj si në rastin e Greqisë, kjo periudhë e vështirë e ekonomisë italiane përkthehet në më pak para që emigrantët mund të dërgojnë në Shqipëri dhe në më pak vende pune për ata shqiptarë që do duan të shkojnë në Itali pas liberalizimit të vizave.

Ndërkohë, në Shqipëri qeveria po e axhuston buxhetin pothuaj në mënyrë periodike. Dhe çdo axhustim shkurton më tej shpenzimet publike. Ndërsa bizneset private, sipas Bankës së Shqipërisë, po marrin kredi kryesisht për të mbuluar nevojat për likuiditete, jo për investime të reja. Dhe tkurrja e investimeve publike e private eventualisht përkthehet në rritje të papunësisë.

Me pak fjalë, mund të thuhet se erërat ekonomike, si të brendshme, edhe të jashtme, duket se nuk do të fryjnë në favor të Berishës, kur atij mund t’i duhet të zgjedhë mes zhvillimit të zgjedhjeve lokale pa opozitën dhe zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Dhe në atë moment, një faktor i rëndësishëm për të do të jetë magnitudë e efektit që do të ketë te shqiptarët e thjeshtë i shumëprituri liberalizim i vizave, pavarësisht kushteve të vështira ekonomike…