Policia nis procedim penal/ Shemsi Premçi: Edi Ramës do ia fal djalin në luftën kundër regjimit të Berishës

0
41

Nga Lindita Çela, 28 Maj 2013

Policia e Tiranës ka nisur procedim penal ndaj vëllait të kandidatit për deputet të Partisë Socialiste, Rakip Sulit dhe djalit të Shemsi Premçit, ish-drejtor i Policisë së Dibrës.

Katër ditë pas një konflikti që Seit Suli dhe Jetmir Premçi kanë pasur me një grup të rinjsh në Kodër Kamëz, policia e Tiranës ka vendosur ndjekjen penale ndaj tyre.

I menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i kandidatit për deputet të Partisë Socialiste, Rakip Suli dhe ish- drejtorit, Shemsi Premçi, të cilët e kanë konsideruar vendimin një sulm familjar të kundërshtarëve të tyre politikë duke përdorur Policinë e Shtetit.

Ngjarja

Pak ditë më parë gazeta TemA denoncoi shoqërimin për disa orë në drejtorinë e Policisë së Tiranës të Seit Sulit, vëllai i kandidatit për deputet të Partisë Socialiste.

Suli u mbajt mbi 6 orë në birucat e policisë vetëm pse kishte ndalur makinën dhe kishte debatuar me një grup të rinjsh që po hiqnin flamujt e Partisë Socialiste në Kodrës Kamëz.

Për TemA-n, Suli tha se përveçse një bisede me tonë të larta, nuk ka pasur sherr apo konfrontim me djemtë, të cilët nuk i njihte.

Por kjo nuk ka penguar aspak drejtuesit e policisë të urdhërojnë shoqërimin e vëllait të kandidatit për deputet të Partisë Socialiste.

Ndërkohë, katër ditë pas kësaj ngjarje, policia e Tiranës thotë se ka vendosur të ndjekë penalisht Seit Sulin dhe Jetmir Premçin pasi sipas tyre është vërtetuar se kanë goditur shtetasit Vilson Hakajn dhe Bekim Memian, duke mos i lejuar të vendosnin flamujt e Partisë Demokratike në Kamëz.

Sipas policisë së Tiranës, Suli e Premçi akuzohen se kanë kryer veprën penale të pengimit të subjekteve zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit.

Reagimi

E ndërsa policia e Tiranës ia ka kaluar materialet hetimore prokurorisë, ndaj lajmit të publikuar kanë reaguar kandidati për deputet, Rakip Suli dhe ish- drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit, Shemsi Premçi.

Për gazetën Tema, Rakip Suli thotë se ngjarja nuk është gjë tjetër veçse një sulm polik.

“Im vëlla është shoqëruar katër ditë më parë dhe unë besoja që ishte e qëllishme. Polica e Shtetit e ka për kompetencë ligjore, që në raste se konstatohen konflikte, të ndërhyjë në sheshimin e tyre. Por tani që po më thoni se është vendosur që im vëlla të ndiqet penalisht, unë nuk mund të them gjë tjetër veçse drejtësia do të zbardhë të vërtetën e këtij sulmi ordiner që kundërshtarët e mi po ndërmarrin edhe ndaj familjes sime, duke përdorur, për fat të keq, edhe Policinë e Shtetit, e cila paguhet me taksat e shqiptarëve për të garantuar rendin, e në Shqipëri veç rend nuk ka. Ka vetëm polici që përdoret qëllimisht. Por përveç procesit gjyqësor, 23 qershori do të jetë përgjigja më e mirë që shqiptarët do t’i japin këtij regjimi”, tha Rakip Suli.

Po kështu ka deklaruar edhe Shemsi Premçi. Ndjekja penale e djalit, për ish- drejtuesin e lartë të Policisë së Shtetit, nuk është gjë tjerë, veçse hakmarrje ndaj tij.

“Regjimi i Saliut po hakmerret ndaj denoncimeve të mia për mafien e kromit, që unë kam bërë publikisht. Saliut i shërbeva me ndershmëri, profesionalizëm dhe përkushtim për 22 vjet, por u shpërbleva me mosmirënjohje. Edi Ramës do t’i fal djalin, në luftën kundër regjimit të korruptuar të Saliut”, tha Shemsi Premçi.