Poezi nga Vaso Papaj

0
67

I nderuar Administrator!
Ju uroj pune te mbare dhe suksese, duke ju pershendetur me nje tufe poezish nga vellimi i fundit i botuar “Mbeta mik me shpirtin“.
Miresisht Vaso Papaj

A jemi fqinjë, Mira Stankoviç?
( poemth )

Mira Stankoviç,
Shkup,
në “Restorant Piza” atë natë,
e solli rasti të jemi sup më sup.
Unë të përshëndeta e ti s’u ndjeve hiç.
Dhe pse ishim ulur mes fëmijëve tanë,
ti më pe shtrembër, skiç
Mira Stankoviç,

Rronim a s’ rronim në Ballkan!…
Ishte hera e parë,
që ulesha me ty:
Vëmendjen e kisha aty…
Befas, përballë, te muri i bardhë,
brenda kornizës:
Torra e Pizës ma bënte me sy.
Ah, Torra e Pizës…brenda kornizës…

Mira Stankoviç!
Ti vije nga një kryeqytet i madh
Unë nga një qytet i bukur antik
E njeh Dyrrahun, me detin si livadh?…
I lakmuar në shekuj.
Edhe nga Danubi kishin zbritur një ditë.
Dhe sa here ndodhte kështu,
qyteti im mbyllte korracën si iriq.
Kohën e iriqit jetonte
dhe për të mbërritur gjer këtu,
Zotin, vallet, këngët,
gjuhën e vet mbronte.

Mira Stankoviç!
Na ka ngulur fati të rrojmë pranë.
S’ësht’ çudi,
nesër të duheshin fëmijët tanë.
Çdo të bënim unë dhe ti?…
Ti, kryq floriri në qafë
Unë, në gjoks, s’kisha gjë hiç,
Mira Stankoviç.
Ma kish mësuar ai, kryqi vetë:
Ta mbaja, brënda,
në zemër
dhe në mëndje të kisha
një tjetër:
Atë,
Kryqin prej druri të vjetër

Në Golgotha jam ngjitur në shekuj
Kurrizin me gunga e kam
Kurrize të tjerë nuk kam prekur
Të parët e mi qëndresë e paqë më dhanë.
Vij nga një qytet antik,
e di?…
Jo?!…
Atëhere pse takohemi:
për vallet, lojrat, këngët,
pyete zemrën?…
Mos më shih shtrembër,
mos më shih skiç
A jemi fqinjë, Mira Stankoviç?…

Baladë për fqinjën çame

Çamërisë i rashë përmes:
Nga kalova nuk pash trina.
Qiell të rëndë përmbi kodrina
E ngado lule me vesë.
Joni blu me qiellin qepur:
Fije ari – vetëtima!
Lotë hëne – ulërima!
Këngë uji – shkrepëtima!…

Këmbë njeriu nuk kish mbetur.
Vetëm loti s’ qenkësh tretur !?…

M’u kujtua, qesh i vogël,
kur na erdhi një fqinjë tjetër.
Nuk ishte dhe aq e vjetër.
Një birucë i dhanë në kodër,
nëna ime iu bë motër.
Qante vëllezër e kunetër
dhe fëmijtë vrarë në shtretër.

Sytë blu si Joni i mekur
Flokët një gërshet i zi,
lidhur gjysmë me shami.
Çitjanet si qiell i çjerrur,
me ca fije ari qepur…
Koh’ e ligë për çdo njeri
S’morën as dy deg’ ullinj…

Ndënji me ne ca muaj.
Një vëlla pastaj i doli,
erdhi një ditë dhe e mori.
Që atëhere vite shkuan,
cila qe, nuk e mësuam,
por u rrita, jeta rrodhi
dhe kuptova se si ndodhi.

Ja, një ditë dikush trokiti.
Hapa derën, më habiti.
Ish një djal, i buzëqeshur,
me lëkurë nga dielli zeshkur.

Syt’ blu si Joni i mekur
Me këmishë si në vitrina
Me ca fije ari qepur
Fije ari- vetëtima.

Qe e lehtë të kuptoje,
cili djal na përshëndeti…
Ishte djali i asaj zonje…
Aq i shënjtë amaneti.

Nat’ e gjatë, pambarim…
Parajsa nuk ka vdekatar,
detin blu dhe qiellin ar.
Po kan’ mbetur plot ullinj.
Nuk kan’ gojë por kanë si *.
Dhe ullinjtë jan’ dëshmitarë.
Njëmij’ vjet ata s’ kan’ varr.

Si – forma dialektore e fjalës sy.

Janë pak, këto fjalë për ty!…*

Pelikanët gojëshqyer i ule nga qielli në karvan.
Ata, dashuruar me bjeshkët, erdhën të shuajn’ uri.
Orkestra luante Bethoven, ti ishe një von Karajan.
Lëvdata liderësh mungonin. Ligji qe veç pleqësi.
Oksigjeni i vërtetë ësht’ demokraci e liderëve,-
pambarim përsëritje ti.
Fryma jote e ngrohu grazhdën tonë të braktisur.
Orteku i arsyes lëvizi optimizmin e ditëve dimërore.
Requiem këngësh për miqësi të vjetra e të reja stisur.
Engjëll i qiejve ishe, kollarisur me ëndrra diellore.
Sinonimin e agimeve mbillje, na bëre si të harlisur.
Ti, në stinë ikanakësh, solle veç ditë pranverore.
Ikonë e përjetëshme do mbetesh,
me kuota të larta në bursën njerëzore.

* Kushtuar ish-ambasadorit te Italise ne vendin tim Paolo Foresti qytetar nderi i Durresit.