Poezi nga Vaso Papaj

0
63

I nderuar Administrator!
Ju përshëndes dhe ju uroj vitin e ri me tre poezi nga vëllimi poetik qe doli se fundi “Mbeta mik me shpirtin
Sinqerisht, Vaso Papaj

Dhe yjet rrijnë e vështrojnë…”

Ca jetojnë nëpër barraka,
vilat ca s’dinë ku i kanë.

Cave peshku i vjen me barka,
ca dhe bukën han me gram.

Ca kanë vapë nëpër pishina,
ca shtëpinë e kanë pa ujë.

Ka që blejnë ç’far’ ka vitrina,
ca pse lypin bëjnë aq bujë.

Ca shtëpinë në lloto humbin,
ca një shtrat nuk kanë përjetë.

Ca për paqen po luftojnë,
paqe s’kanë në shtëpin’ e vet.

Ca kërkojnë pensione lufte,
kur s’kanë mbushur shtatëdhjetë.

Ca mbajn’ frymën me një qindëshe,
ndonse derdhën djersë një jetë.

Ca që thone:” Kapni hajdutin”,
antifurte kanë nga dhjetë.

S’i zë gjumi natë e ditë,
mbrojnë atë që kan’ vjedh vet.

Ca me qumësht vetëm lahen,
ca për foshnjet s’kan’ një gotë.

Disa zemër nuk kanë fare,
ca veç zemra gjuajnë sot.

Ca ndërtojnë në tokat arë
dhe kërkojnë bukë në Pazar.

Ca ndërtojnë brenda në det,
që ta pijnë dhe detin vet.

Disa bëjnë duva dhe lutje
dhe moralin flakin tutje.

Ca lexojnë te dora fatin,
dyqint n’orë me Benzin kapin.

Këto, Kroninin më kujtojnë,
“Dhe yjet rrijnë e vështrojnë…”

Heshtja

Mbyllur katër muresh
vetëm je gjithmon

Nëse të trokasin
s’di a i dëgjon!

Nëse të trokasin,
mos shko menjëherë.

Pyete dashurinë:
– Ta hap atë derë?

Dhe mbetesh me heshtjen,
të sheh nga çdo qoshe
e thot’ duke qeshur
mijra fjalë boshe…

Po mos rri i heshtur:
– Dil nga katër muret!
– Thuaje të vertetën!
Ajo s’mund të tkurret.

Grisi tisin heshtjes
e shih nga çdo anë.

Thuaja duke qeshur,
pa qën’ fjalaman.

Eh, moj ti, e mjerë!
Unë s’ të bindem ty.

Jam këngë në pranverë,
jam një, s’ bëhem dy.

Otranto

Otranto!
Lum i hidhur,
me lotët e hënës qendisur.
Në gjirin tënd ç’nuk ke:
Peshq me shuka flokësh gostisur.
Peshkaqen mishngopur, të hazdisur.
Ësht’ kohë e bollëkut :
E krisur… E krisur…
Bare e motele po mbijnë:
Si miza dheu
lëvrijnë…

Me vello të re, nusja plakë
e mbështjellë:
Dërgata e fundi që lindja sjell.
Kalon këtej dhe vdekjen mbjell…
E ne të tjerët, të gjithë, bëjmë sehir,
ditë e natë, kafe duke pirë.
Kafe të mbërdhirë…

Po përse, përse,
janë kthyer dallgët tabut dhe qefin?
Ah, vendi im, vendi im… i mirë!