Poezi nga Vaso Papaj

0
56

Mikut që e deshi vendin tim*

Mik i dashur s’di ku je.
Si u ndamë mirë e kujtoj.
Që atëhere më s’u pe.
Unë vazhdoj të të kërkoj…

Kur u nise, miku im,
me të qeshurën e dlirë,
porosi më le kujtim:
Për një rrugë sa më të mirë…

Në këtë rrugë që keni nisur,
hiqni dorë, miqtë e mi,
nga veturat kapardisur,
sirena e xhama të zinj.

Ka kaluar kohë shumë.
Ne u dogjëm disa herë.
Po s’vazhduam n’atë gjurmë.
Mënd nuk zumë asnjëherë.

Si të çmendura sirenat.
Trembin burra e fëmijë.
Ndërsa BMW – X 5(pesat)
ngjajnë me krokodilë të zinj’.

Po të pres me mall të vish,
miku im i paharruar.
Me sirenat flejmë sërisht
dhe me benzat e llastuar.

*- Ambasadorit të parë të SHBA në Shqipëri pas rënies së komunizmit.

Domethënë

Domethënë…
Në tridhjet fjalë,
njëzet herë e the…
Domethënë…Domethënë…
Domethënë
S’e di sa i pasur je!?
Po
Domethënë…
Pasuri sa të duash ke.
Edhe shkollë,
pse ta fsheh?
Domethënë… Domethënë
Megjithatë…
S’e di,
a ka varfëri të vërtetë tek ne?
Domethënë…
Ka, po
Ti dhe vetëm ti je.

Profesor i dashur!

Profesor i dashur!Kam kohë që t’ kujtoj,
si duket provimet kurrë s’do t’i mbaroj.
Kam mbetur në vjeshtë e nga vjeshta s’dal,
hallet dhe kujtimet më janë bërë mal.

Të kujtohet Edi, nxënësi më i mirë?
Ai që na ndihte në ditë të vështirë?
Sapo më ka shkruar, sot është i papunë.
Ka një vend te tregu, në shi e furtunë.

Eh, kjo koha jonë, qenka kohë pa emër.
S’i dashka të mirët, i përçmon me zemër.
Ke të fala shumë, të kujton dhe ty :
“Në matematikë, një dhe një s’bëjnë dy.”

Profesor i dashur! Të kujtohet tjetër :
Kino “Iliria “, në lagjen e vjetër?
Me Artën përqafuar në radhën e fundit,
Më skuqej fytyra si djalë i katundit.

Nuk e di dhe Shpresa, seç ka një problem
Kam dëshirë ta shoh:” Më fal!” un’ t’i them.
Ishin kohë rinie, kohëra pa timon.
Çdo trill dashurie, siç vjen edhe shkon.

Me një barkë peshkimi u nis fati i saj.
Thonë, jasht ka shkuar dhe rrit kalamaj.
S’jam i qartë akoma, në më mban mëri…
Unë kam qenë atëhere një djalosh-fëmi.

Sa shumë që i donte qiejt, hapësirat!
Borën, poezinë, lulet, cicërimat!…
Po vrapimin tonë, zilen sapo binte,
nëpër shkallë si zogj, kush e kush të printe?!…

Për të bler’ te kioska byrekun e radhës,
ngjesheshin e shtyheshin çunat tan’ të klasës…
Ç’kemi për të pritur e ç’ka mbetur tjetër?
Fati ynë i gjorë i grisur në letër…