Rajmonda Moisiu:
Unë… e… Ti… mëkatarë
Të gjithë mëkatojmë,
Të gjithë e dëshirojnë atë,
si Unë edhe Ti….
Vështrojmë bahçen,
ka veshur fustanin e blertë,
në mes të saj lartësohen pemët me mollë.
Unë e Ti,
të harlisur nga delikatesa e perëndeshës dashuri,
vrapojmë drejt tyre,
të këpusim mollë.
Jo një mollë,
sa këputën e mëkatuan,
Eva me Adamin,
por më tej se një,
më shumë,
shuuumëshuuuumëshuuuumëëëë.
-.-
Vetëm do të mëkatojmë sot mes mollëve!
-.-
Të gjithë mëkatarët frikësohen,
por jo…
Unë e Ti…..!
Ne nuk kemi frikë;
se na ndrit, një kandil,
pasqyra në ujët e burimit.
Vështrohemi mbi burim,
duke përkëdhelur kaçurrelat e njëri-tjetrit,
mes burbuqeve të përflakura,
të puthjeve të nxehta.
Si dy nimfa të çmendura,
si luspat e midhjeve në ujë….
– nëpër përvëlimin e lakuriqësisë.
Dashuria,
vjen
si një këngë në muzg,
si gjinkalla në agim,
që e këndon sinfoninë,
me gjuhën e lepujve të egër,
në livadhin e praruar nga blerimi.
-.-
Unë e Ti,
shpupurishur në krahët e njëri-tjetrit,
si dy nimfa të pafaj,
vështrojmë bardhësinë,
kaltërsinë qiellore,
që na fton për të mëkatuar.
Diku pas reve po na kundrojnë Eva me Adamin,
që nga parajsa
duke pritur me nostalgji se si,
ne mëkatojmë si ata.
Dikur……
Atëherë…
Unë e Ti,
si dy oqeane të stuhishëm,
të valëzuar,
të përflakur,
që nuk ngurrojnë më, por…
përleshin me njëri-tjetrin,
lakuriqësinë e ujrave
Dallgët e zjarrta bien në qetësi,
flenë…….
si një çun harrakat,
që ka hypur tërë ditën majë mollëve,
dhe, ja, e ka zënë gjumi,
nën njërën prej tyre,
ndërsa agimi po zbret nga kurora e mollëve,
për ta zgjuar nga gjumi.
Unë e Ti…….. mëkatarë….. të Perëndeshës;
Dashuri!
Raimonda MOISIU
HARTFORD CT USA
Shenim: Kur lexon poezitë e Raimonda Moisiut të shkon mendja tek Sirenat e Uliksit, që të shtyjnë të mëkatosh me knaqësinë ma të madhe. Për këtë Uliksi / Odisea u kërkoi marinarëve që ta lidhin në dyrekun e anijes.
http://tribunashqiptare.net/?p=5180
Ripublikuar në http://kosova.albemigrant.com/?p=5262