Poezi nga Profesor Neki Babamusta

0
66

http://www.facebook.com/pages/Neki-Babamusta/133354036705685

KOSOVË, O VATËR STËRGJYSHORE

Kosovë e shenjtë,
o Dardani, ndër brezni,
me besnikëri e trimëri,
ke qit pushkë për liri.

Me kapedanë të dheut arbëror
me Ded Gjon Lulin, Idriz Seferin,
Isa Buletin, Azem e Shote Galica
i ke thënë jo robërisë, s’je nënshtrue Serbisë.

Gjithmonë mbi pushtues fitimtare,
para botës qëndron krenare.

Janë stërnipët e Skënderbeut,
të kalitur me forcën e Anteut.

Në Londër Europa ne na cungoi,
prandaj sot ajo t’mos vonojë,
të drejtat njerëzore të plotësojë,
për pavarësi siç dëshirojmë.

Serbët, zjarrvënës shovinista,
Pjell e sëkeqes, bolshevista.

Ndal, dorës gjakatare!
Krimeve makabre!
Jo, luftës në Kosovë!
Kosova do fitojë.

Prandaj vëllezër:
Një komb të bashkuar,
Rreth të shejtit flamur arbëror!
Ma bën thirrje Nëna Kosovë!
Për të emblën gjuhë prindërore,
për trojet tona stërgjyshore.

Kurrë, Kurrë më, s’do na e falë Historia,
Ç’menduri! Nën pushtetin gjakësor,
Të krajlëve nga Serbia!

* * *

Rruga drejt zhvillimit lokal: Alternativa vendase për ekonominë e Kosovës

Nga Dr. Ermira Babamusta
Eksperte e Punëve të Jashtme
Publikuar ne Gazeten “Dielli” New York, SH.B.A

http://www.facebook.com/ErmiraBabamustafans

Periudha pas luftës në Kosovë, sidomos pas vitit 1999 rezultoi në nivele të larta papunësie dhe defiçit buxhetor. Me pakësimin e donatorëve të huaj dhe asistencës financiare gjatë viteve, qeveria e Kosovës duhet të marrë masa për të ringjallur ekonominë vendore. Për këtë proces inkurajimi i zhvillimit lokal dhe vazhdimi i një zhvillimi të qëndrueshëm janë dy kushte të domosdoshme për të patur sukses ekonomik.

Sa ka arritur t’i realizojë këto kushte qeveria e Kosovës nuk dihet ende. Së pari duhet ngritur pyetja: Cila platformë po ndiqet në Kosovë, ajo për interesat vendore, apo ajo për të fituar vend tek BE-ja? Çfarë përfitimi kombëtar sjell anëtarësia tek BE-ja? Anëtarë të komunitetit ndërkombëtar, përkatësisht OKB-ja, BE-ja, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore kanë patur rol pozitiv për mbështetjen e Kosovës deri diku. Por nga ana tjetër, ato kanë patur dhe ndikim negativ duke përfshirë veten në punët lokale të qeverisjes së Kosovës, si dhe duke i zvarritur gjërat sa më gjatë, për shkak se nuk ka patur njëmendësi midis shteteve të huaja.

Kjo e ka bërë të pamundur qeverisjen e plotë të vendit nga vetë “zoti i shtëpisë” duke i detyruar drejtuesit shqiptarë të marrin aprovim nga të huajt për çështje vendase. Pavarësia duhet të ishte shpallur dhjetë vite më parë dhe sot duhet të diskutohej plani për bashkimin e trevave shqiptare nën një kufi dhe nën një Shqipëri të bashkuar etnike. Shteti i Amerikës e përdor komunitetin ndërkombëtar për të mbajtur imazhin e mirë para botës dhe për të patur lidhje me vendet e tjera.

Por në momentin që i preken interesat vendore, tërhiqet menjëherë pavarësisht se ka nënshkruar kontrata ligjore me institucionet e huaja, veprim i cili vë nën dyshim efektin dhe dobinë e këtyre organizatave kur i mungojnë masa të duhura zbatimi. Dhe Kosova gjithashtu, së pari duhet të mbrojë interesat e saj vendore, pastaj Evropa i lutet vetë, siç po i lutet Zvicrës për anëtarësi në BE që të mos pengojë zhvillimin rajonial. Dhe sidoqoftë, kur po e njëjta BE menjëherë i ofron Serbisë kartë anëtarësie gjatë tregtisë së negociatave duke i harruar shkeljet e të drejtave njerëzore si kurban për faljen e gabimeve fatale shekullore ndaj shqiptarëve.

Ujku dhe delja nuk ulen në të njëjtën vatër, vetëm kur ujku është i ftuar për darkë, dhe delja është e shtruar për të. Pikërisht, ishte ajo platforma e huaj që ka sjellë sot mohimin e identitetit të lashtë shqiptar, në faktin që Kosova shpall para botës një flamur të sajuar, në vend të kuq-e-ziut. Kuptohet që një shtet i ri ka simbolet e veta dhe natyrisht dhe flamuri i ri duhet zgjedhur. Por gabimi ishte që Shqipëria dhe Kosova heshtën në vend që të propozonin një plan dhe kushtetutë të re për realizimin e Shqipërisë së Bashkuar si federatë ose konfederatë.

Pavarësia e Kosovës është një hap më afër këtij qëllimi, por ky është vetëm një hap i përkohshëm. Synimi duhet të jetë largpamës, në kuptimin që një komb shqiptar i bashkuar nënkupton një komb të fuqishëm – një komb i fuqishëm nënkupton një ushtri dhe një ekonomi të fortë. Shqipëria si federatë (me të gjitha trojet shqiptare në një kufi), pastaj mund të vendosë sa përqindje dëshiron të dhurojë drejt komunitetit ndërkombëtar, nëse dëshiron të ketë rol vendim-marrës midis shteteve të botës.

Luksemburgu për shembull, pavarësisht nga cënimet historike territoriale nga Gjermania dhe Belgjika, një vend jo më shumë se 500,000 banorë, sot ka arritur jo vetëm që të mbrojë gjuhën dhe simbolet etnike, por të jetë një nga shtetet themeluese të BE-së dhe OKB-së. Alternativa e vetme për Kosovën është zhvillimi vendor i ekonomisë. Raporti i Standardeve të Kosovës tregon se mbi 300,000 persona ishin të regjistruar si të papunësuar në vitin 2009 në Kosovë, duke arritur 45%, gjashtë përqind më lart se në 2006.

Kosova duhet të prodhojë produkte vendore që t’i këmbejë me vendet fqinje dhe t’i prodhojë në sasi të mëdha. Deri tani ekonomia e Kosovës është e tipit të biznesit të vogël familjar dhe tregtisë në shkallë të vogël dhe nuk ka arritur të realizojë tregti në shkallë të mëdha. Sektori i agrikulturës ka pësuar më shumë sepse qeveria nuk ka ofruar subvencion për të ndihmuar bujkun që prodhon ushqimin.

Kosova ka potencial që të jetë vetë-mbështetëse, por problemi është që vende pune të reja nuk janë hapur dhe agrikultura ka marrë pak vëmendje nga politikanët. Urgjentisht, politikanët e Kosovës duhet të reformojnë politikën vendore duke zhvilluar së pari sektorin privat dhe duke përmirësuar tregun e punës. Politika ekonomike e re duhet të inkurajojë konkurencë në biznes që të hapi vende pune të reja, të ndërtojë infrastukturën dhe të ulë mbështetjen tek investimet e huaja.

Kosova duhet të mbështetet në një qeverisje demokratike dhe të jetë e përgjegjshme për të eliminuar varfërinë në vend dhe gjatë kohës të ketë zhvillim të qëndrueshëm. Reforma duhet filluar që në nivelet lokale dhe qëndrore. Zgjedhjet e parregullta në Gjakovë në 2009 treguan se Kosova ka nevojë për mekanizma të duhura qeverisje dhe ligjore. Populli Kosovar ka humbur besim tek institucionet qeveritare nga premtimet boshe të politikanëve.

Gjithashtu Kosova është nën hetim të kujdesshëm nga komuniteti ndërkombëtar ndaj plotësimit të standarteve të OKB-së. Kjo konditë kufizon rolin e institucioneve lokale qeveritare. Ka ardhur koha që UNMIK-u dhe EULEKS-i të jenë vëshgues dhe jo drejtues të çështjeve shqiptare dhe ne shqiptarët të mos presim që bota të vejë në ujdi çështjet e shtetit.

Dërguar nga Ermira Babamusta (ermirab@yahoo.com)