Skicë:
Nga: Murat Gecaj
Nuk ka shumë ditë, qëkur doli në qarkullim libri “Modernët e kohës” (Tiranë, 2015), me autor arsimtarin, publicistin dhe studiuesin Sejdo Harka. Siç mund të keni lexuar në ndonjë shkrim të mëparshëm, libri në fjalë është i ndarë në tri pjesë: “Analiza dhe shënime letrare”, “Portrete” dhe “Esse”. Hyrjen e ka bërë shkrimtari i njohur Bardhyl Xhama-“Mësues i merituar”. Janë bërë analiza letrare ose është shkruar për 28 autorë meshkuj dhe për 4 femra. Ndër këto të fundit është edhe poetja Reshida Çoba.
Sigurisht, për ta analizuar në mënyrë të zgjeruar këtë botim të ri dhe me interes, sidomos për mësuesit e letërsisë dhe studentët e kësaj dege, duhen disa faqe. Por kësaj here po ndalem pak, vetëm në një shkrim, që S.Harka ia ka kushtuar librit “Unë, gruaja”, me autore poeten R. Çoba, e cila është me banim në Kaliforni të SHBA-ve. Rasti e ka sjellë që edhe unë kam shkruar pak radhë modeste, në librin tim “Për ju, krijuese” (Tiranë, 2015). Gjithashtu, me kënaqsi kam marrë pjesë në përurimin e organizuar në kryeqytetin tonë.
Komentit të tij, në faqet 231-235 të antologjisë, S. Harka ia ka venë titullin “Kur një grua shkruan për dashurinë” dhe me këto fjalë të nënvizuara, qyshë në fillim dhe që i drejtohen Nënës, nga emigracioni: “Do të kthehem, moj nënë, që të mos plas si guri!?”.
Ndoshta, domethënia e përmbajtjes së tërë këtij shkrimi janë fjalët e mëposhtme: “Sapo mbaron së lexuari librin me poezi erotike, “Unë, gruaja”, shkruar nga emigrantja në Kaliforninë e largët, Reshida Çoba, përpara të shfaqet poetreti i një gruaje, sa të çiltër aq dhe të dashuruar, sa të lumtur aq dhe të trishtuar, sa ëndrrimtare aq dhe të zgjuar,sa të guximshme aq dhe të ligështuar, sa të gëzuar aq dhe të hidhëruar, që s’di të urreje, por vetëm të dashurojë; që s’di të ecë me hap, por vetëm të fluturojë…”.
Ndër poezitë e Reshidës, autori veçon edhe atë me titullin “Luksi me gaxhej”, ku tregon se si, kur ishte në moshën 15-vjeçare, u elektrizua nga vështrimet, grindjet e zënkat e gaxhejve me njëri-tjetrin, vetëm e vetëm, “se kush do ta cikte i pari, pa dashje,/ gjoksin e madh të leshverdhës”(fq.72).
Ashtu siç shpehet S.Harka, në mbyllje të analizës së tij, libri poetik i Reshida Çobës “është një hit i bukur për dashurinë”.
Por, një lexues i vëmendshëm, ka vërejtur që kjo autore e talentuar nuk e ka ndërprerë krijimtarinë e vet poetike as mbas botimit të librit, “Unë, gruaja”. Përkundrazi, në faqet e FB ose në portale të tjera, ajo ka publikuar poezi të tjera të bukura. Ndoshta, së shpejti ajo do t’i tubojë ato në një vëllim të ri poetik, të cilën përsëri do ta përuronte në vendlindje.
Në mbyllje të kësaj skice, i urojmë nga zemra poetes Reshida Çoba: Gjitha të mirat në jetën e përditëshme dhe gjithnjë të ketë krijimtari të bukur e cilësore, që t’i kënaqë sa më mirë shijet e lexuesve të saj!
Tiranë, 9 tetor 2015