Poeti, kopshtar i fjalëve

0
65

Arjan Th. Kallço

Muajin e ardhshëm pikërisht më datën 21 mars do të festohet kudo në botë Dita Ndërkombëtare e Poezisë nën patronazhin e UNESKO-s. Kemi vite që e festojmë këtë ditë jo vetëm me miqtë tanë poetë, të mbledhur ashtu thjesht në ndonjë sallë, por edhe në auditorët e Universitetit Fan S. Noli me studentët tanë që aspirojnë drejt poezisë. Disa prej tyre kanë marrë pjesë edhe në takime ndërkombëtare në Itali dhe besoj se do të vazhdojnë të marrin pjesë, pasi do të matin penat me bashkëmoshatarët e tyre nga e gjithë bota. Edhe këtë vit poetët do të jenë përsëri bashkë në çdo cep të globit për të kremtuar këtë ditë që jo vetëm nxjerr në pah vargjet e tyre të thurrura në vite, por edhe vitalitetin e njërës prej formave më të mrekullueshme të artit që është poezia.

Fati, nëse do ta pranojmë këtë fjalë, na ka bërë të mundur që shpesh edhe vetë ne të ballafaqohemi me kolegët tanë nëpër botë, në konkurset e shumtë që na serviren në internet apo në ftesat që na vijnë. Fati na ka buzëqshur kur kemi patur rast t’i takojmë shumë prej tyre edhe në Shqipëri në Festivalin e Poetekës që organizohet çdo vit. Nuk do të mungojnë edhe në të ardhmen takimet mes poetëve në veprimtaritë e shumta kombëtare dhe ndërkombëtare që tashmë janë kthyer në traditë, prandaj poetët duhet të kërkojnë më shumë hapësira debatesh në lidhje me poezinë, me kritikën për poezinë, arritjet, cilësinë dhe jo të mbeten pre’ e disa llojë promovimesh që e thënë nga shumë poetë, duket se nuk kanë më asnjë shije.

Pas dimrit të gjatë, do të vijë përsëri pranvera dhe nuk do të rreshtin edhe botimet e librave dhe prezantimi i tyre për dashamirësit e shumtë të letërsisë, prandaj le të futim një frymë të re, atë të kritikës, pas një dimri të gjatë 20 vjeçar që ende nuk e ka thënë të qartë dhe të plotë fjalën e vet për letërsinë e “re”. Pak kohë më parë tek lexoja një artikull në lidhje me poezinë dhe poetin, më shkoi në mendje një thirrje që shpresoj ta përkrahin të gjithë poetët, atë të një lloji forumi në internet dhe që ka në qendër të vëmendjes poetin dhe poezinë.

Nuk besoj se do të ketë vështirësi që bashkë me ndonjë sit interneti që i bashkon të gjithë poetët, të mund të botojmë aforizma mbi poetin dhe poezinë. Po sjell disa thënie të shkrimtarëve të shquar në shekuj, duke e bashkuar edhe zërin tim me atë të shumë e shumë të tjerëve që ende nuk u është shuar pasioni dhe zjarri për poezinë, në pritje të prurjeve të reja deri në datën 20 mars 2012 në adresën a.kallco@hotmail.com.

Poezia thotë shumë në pak kohë, prosa thotë pak dhe i duhet shumë kohë.
(Charles Bukowski)

Poezia është muzika e shpirtit.
(Voltaire)

Poezia i shton jetë jetës. Është një jetë në katror.
(Mario Luzi)

Poezia e vërtetë mund të komunikojë edhe para se të kuptohet.
(Thomas Stearns Eliot)

Nuk do t’ia arrij dot t’ua shpjegoj njerëzve se poezia është shprehje e një pasioni që ndizet.
(Lord Byron)

Poezia është pamundësia e mundësuar.
(Federico Garcia Lorca)

Poezia ndodhet kudo, por vetëm pak e shohin.
(Lèon-Paul Fargue)

Kujtimi është poezi dhe poezia nuk është veç kujtim.
(Giovanni Pascoli)

Piktura është poezi e heshtur dhe poezia është piktura që flet.
(Pablo Picasso)

Poeti është një botë e mbyllur brenda një njeriu.
(Victor Hugo)

Shtëpia e poezisë nuk do të ketë kurrë dyer.
(Alda Merini)

Poezia është tingulli i të gjitha instrumentave muzikorë të marra së bashku.
Poezia është zgjimi i jetës në pranverë dhe lakuriqësia e vjeshtës.
Poezia është një kuzhinë plot oreks, ku nuk mungon asnjë përpbërës.
Poezia është shpirti sublim, që mbledh të gjitha dridhjet e ndjenjave të kohës në të cilën jetojmë.

(Arjan Kallço)

Shpesh në gazetat e ndryshme të huaja gjej artikuj mbi letërsinë, mbi shkrimtarë dhe poetë, mbi kritikën. Dikush e quan letërsinë ushqimin e shpirtit, shkrimtarët dhe poetët farkëtuesit e paepur të shpirtit dhe ndërgjegjes dhe kritikën, domosdoshmërinë e jetëgjatësisë së letërsisë, pasi pa të do të mpaket, ndrydhet, do ta humbë vlerën e vet. Kanë kaluar mijëvjeçarë dhe letërsia deri më sot nuk ka asnjë fund, ka vetëm transformime dhe risi. Por cilët e mbajnë gjallë poezinë?

Cilët e mbajnë gjallë prozën? Janë disa pyetje që në këtë artikull, bashkë edhe me mendime të kritikëve të tjerë, do mundohemi t’u japim përgjigje. Ekzistojnë përkufizime të ndryshme dhe të shumta të memorizuara në kujtesën e analeve se çfarë është poezia. Në ndryshim nga romani dhe proza në përgjithësi, ata që i ofruan këto përcaktime nuk janë kritikë dhe teoricienë të letërsisë, por vetëm dhe gjithmonë poetë. Ka shumë tekste mbi teorinë e tregimtarisë letrare, libra dhe mendimtarë që krijuan shkolla e vërteta të saj, si Lukács, Benjamin, Bachtin, ndërsa për artin poetik nuk ka asgjë të krahasueshme me këto lloj tekstesh.

Për poezinë duhet t’u drejtohesh edhe një herë vëzhgimeve të drejtpërdrejta të poetëve ose manualeve të thjeshta të metrikës, retorikës dhe stilistikës, pra një referim praktik, empirik – thotë një kritik italian. Midis përcaktimeve të penave të shquara po japim të Nobelisitit italian Euxhenio Montale që është i thjeshtë dhe i saktë: Poezia është një përbindësh; është muzikë e bërë me fjalë edhe me ide: lind ashtu nga një intonacion fillestar që nuk mund të parashikohet para se të lindë vargu i parë. Kjo thënie i ngjan një traktati të shkurtër mbi poezinë, që është i plotë dhe i përqëndruar. Montale e fikson syrin në një element kryesor të krijimit poetik : paparashikueshmëria. Gjuha është një tërësi e fuqishme dhe e brishtë. S’ka asgjë më të lehtë sesa ngrirja apo karbonizimi i saj, duke e bërë mjetin e vendeve tona të përbashkëta – thekson kritiku.

Po të mendojmë për poezinë dhe në reflektimet e shumë poetëve të kohës sonë, Montale, Sereni, Giudici, Zanzotto, Brodskij, Hughes, Milosz, Szymborska, do të shohim sesi është një prerogativë e hapjes në lidhje me realitetin, si një atribut i dallueshëm i gjuhës poetike. Frymëzimi sido që të jetë, lind nga një gjë e paditur që nuk ndërpritet – thotë poetja Nobeliste polake që ndërroi jetë vetëm pak ditë më parë, Szymborska. Prandaj i çmoj shumë dy fjalë të vogla : nuk e di. Të vogla por me krahë. Edhe poeti, nëse është vërtet i tillë, duhet t’ia përsëritë vazhdimisht vetvetes dyfjalëshin “Nuk e di”. Mirë paparashikueshmëria, le ta quajmë edhe parregullsi të poezisë së matshme, na sjell drejt shpëtimit të gjuhës nga turpi. Në krijimin e një poezie raporti shkak-pasojë çdo herë thyhet dhe riformohet në një mënyrë të re.

Një poezi shtyhet tej territorit në të cilin është rrënjosur, përtej premtimeve : i ruan, ushqehet, por përmes zhvendosjes, një transformimi. Në këtë kuptim një poezi nuk është kurrë thjesht një pasojë e thjeshtë. Jeton me sensibilitetin, bindjet, idetë edhe me ideologjitë e poetit, por nuk përbën zbatimin mekanik. Era e lirisë që thith kur lexon një poezi, edhe në një vendosmëri të madhe shprehëse, ka të bëjë pikërisht me këtë : gjuha i shpëton reaksionit zinxhirr, sipas rusit Brodskij, duke mohuar atë armik që është parapërcaktueshmëria, me hemorragji kuptimi që në mënyrë të pashmangshme kjo sjell.

Kur fjalët humbin kuptim, forca fizike merr vrull – thotë Audeni. Edhe pse kishte marrë pjesë në dy luftra botërore dhe në një shekull me dhunë të pamasë, poeti e kishte në mendje së pari dimensionin individual, fjalët e veta si ato të çdo individi. Nuk është e rastësishme që në poezinë e viteve të fundit, jo vetëm italiane, u kthye shpesh figura e poetit si kopshtar i gjuhës, pra si ai që kujdeset për fjalët, jo për një çështje të thjeshtë të purizmit formal apo të ruajtjes arkeologjike, por shumë më të thellë, për të ruajtur aftësinë e kuptimit.

Dihet se gjuha e poezisë është një gjuhë e shumëfishtë dhe komplekse që zhvillohet në në nivele të ndryshme, por të gjithë të pranishëm, aq sa e detyrojnë lexuesin, nëse dëshiron të jetë i tillë, të aktivizojë në maksimum aftësitë e veta të ndjeshmërisë dhe perceptimit, të mendimit dhe imagjinatës, të mendjes dhe zemrës. Rryma e gërshëtuar e fjalës poetike është e aftë të mbajë shumë gjëra pa rënë në papërcaktueshmëri; por reciprokisht arrin të tregojë me forcë, pa e përjashtuar, të japë receta dhe pa e dëbuar.

Nga ky këndvështrim, gjuha e poezisë zotëron padyshim një virtyt të veçantë të kuptimit, në kuptimin e dyfishtë që merr, që fut brenda vetes, që merr përsipër, nga njëra anë, dhe që kupton, që tregon zgjuarsi jo vetëm për gjërat, por edhe për vetë natyrën, nga ana tjetër. Të kthehemi tek krijimi poetik dhe tek ai lloj skartimi të paparashikuar që sipas Montales i paraprin lindjes së një poezie. Është një pikë diskriminuese. Është e vërtetë që poezia lind nga poshtë, nga një situatë ekstreme e hapjes dhe deri çorientim ndaj realitetit.

Por megjithë madhështinë dhe besueshmërinë, të së drejtës së saj të zakonshme, kodi i madh i poezisë, përmes aftësisë qeverisëse të poetit, duhet të rifutet në lojë, i bashkëmatur sa herë nga fillimi me paparashikime lakuriqe. Shkendija, qarku i shkurtër, fokusimi, cilado qoftë natyra, nuk mund të dalë nga kjo perspektivë që është njëkohësisht e nevojës dhe e i gadishmërisë ndaj situatës së dhënë. Përvoja ndaj paragjykimeve, kjo është rifutja në lojë. Prandaj poezia, ky përbindësh i çuditshëm, që në latinisht do të thotë mrekulli, i lindur në një mënyrë gjithnjë të parregullt dhe gërmuq, gjendet për nga natyra e vet të formojë modelin e referimit më të besueshëm për etikën tonë, për praktikën tonë dhe jo verbale.