Poeti i zërave të natyrës në 100 vjetorine vdekjes

0
57

100 vjet më parë vdiste poeti Italian dhe një prej figurave më emblematike të Letërsië italiane të fundit të viteve ‘800, Xhovani Paskoli. Ai lindi në vitin 1855 në Romanja nga një familje në gjendje të mirë dhe me shumë fëmijë. Kur ishte vetëm 10 vjeç, pësoi traumën e parë të jetës, humbi të atin e vet, pas një vrasje ndoshta me motive politike. Kjo ngjarje la shenja të thella në jetën e poetit : familja po humbte statusin ekonomik, por edhe fatkeqësitë familjare nuk iu ndanë.

Në vitin 1871, në moshën 16 vjeçe braktisi kolegjin dhe u transferua në Rimini bashkë me vëllezërit e tjerë që kishin mbijetuar. Pas përfundimit të shkollës së mesme në Çezena, përfitoi një bursë dhe u regjistrua në Universitetin e Bolonjës, ku pati si profesor poetin kombëtar, Xhozue’ Karduçin dhe u njoh të tjerë miq poetë dhe kritikë. Por nuk mbeti jashtë vëmendjes edhe lëvizja politike me të cilën bënte shumë takime në qytetet e ndryshme të krahinës.

U arrestua në vitin 1879, pasi mori pjesë në një protestë kundër dënimit të disa anarkistëve. Pas lirimit, burgosja zgjati vetëm 100 ditë, hyn në një fazë depresioni dhe tenton shpesh vetëvrasjen. Braktisi edhe studimet universitare për pak kohë, por siç është shprehur vetë ai, zërat e të ndjerëve të tij e inkurajuan dhe e nxitën që t’i rifillonte ato, me qëllim që të bëhej mbështetje e familjes. Vrasja e Umbertit I e hidhëroi pamasë dhe krijoi edhe një poezi dedikuar atij. Pas diplomës në vitin 1882 filloi karrierën si mësues i latinishtes dhe greqishtes dhe mori me vete edhe motrat që ta rindërtonte bërthamën e familjes, pas ngjrjeve tronditëse.

Nga viti 1887 deri në vitin 1895 dha mësim në Livorno dhe filloi bashkëpunimin me revistën Jeta e re ku dolën veprat e tij të para. Gjatë punës së tij si poet fitoi 13 herë medaljen e artë në konkursin e poezisë latine në Amsterdam. Në vitin 1894 e ftuan të bashkëpunonte me Ministrine e Arsimit dhe pas botimeve të tjera u njoh me poetin Gabriele D’Anuncio. Transformimet poltike dhe shoqërore që po i trazonin fundvitet e shekullit dhe që po i paraprinin Luftës së pare, e hodhën Paskolin në një gjendje pasigurie dhe pesimizmi, pasoja që e çuan drejt alkolit.

Në vitin 1906 filloi punë në Universitetin e Bolonjës si profesor i Letërsisë italiane menjëherë pas vdekjes së Karduçit. Në vitin 1911 mori pjesë në konkursin kombëtar me rastin e 50 vjetorit të Bashkimit të Italisë me një poemë dedikuar heroit të parë të çështjes kombëtare. Pasi shpërtheu lufta italo-turke mbajti fjalimin e tij në favor të imperializmit, Proletaria e madhe lëvizi. Vdiq në vitin 1912 në shtëpinë e tij në Bolonjë pas një sëmundje të rëndë, cerroza hepatite, nga abuzimi i tepërt me alkolin, në moshën 56 vjeçare.

Paskoli pavarësisht formimit të tij positivist, është bashkë me D’Anuncion poeti më i madh dekadent Italian. Prej artikullit të tij programatik botuar në vitin 1897 del një konceptim intim dhe i brendshëm i ndjenjës poetike, e orientuar drejt vlerësimit të veçantisë, përditshmërisë dhe rekuperimit të dimensionit fëminor, gati primitiv. Vetëm një poet mund ta shprehë zërin e fëmijës kudo dhe kjo ide e lejon Paskolin ta kërkojë për vete rolin e “poetit të madh” dhe ta përsëritë në të njëjtën kohë dobinë morale dhe qytetare të poezisë.

Edhe pse nuk mori pjesë aktive në asnjë lëvizje letrare të epokës, as nuk tregoi prirje ndaj poezisë europiane të kohës, Paskoli tregon tek krijimtaria e tij prirje kryesisht spiritualiste dhe idealiste, tipike të kulturës së fundshekullit si pasojë e ezaurimi progresiv të Pozitivizmit. Vepra e tij përshohet nga një tension kostant midis traditës së vjetër klasike, të trashëguar nga mjeshtëri Karduçi dhe tematikat e reja dekadente, që shoqërohen me një eksperimentalizëm të dukshëm metrik dhe fonetik.

Në biografinë e shkruar nga e motra poeti prezantohet si një djalosh i qëndrueshëm dhe i gjallë, karakteri i të cilit nuk u prish nga fatkeqësitë. Përvoja poetike paskoliane futet me ravijëzime tepër origjinale në panoramën e Dekdentizmit europian dhe e shënon në mënyrë të pashlyer poezinë italiane : kjo i zhyt rrënjët në një vision pesimist të jetës, ku reflektohet humbja e besimit dhe një pasojë në gjendje ta shpjegojë plotësisht realitetin.

Bota i shfaqet autorit si një tërësi misterioze dhe e padeshifrueshme, aq sa poeti priret ta paraqitë realitetin me një penelatë impresioniste, që merr vetëm një të veçantë të përcaktuar të reales, duke mos qënë e mundur që autori të ketë një vision të tërësisë. Në mënyrë koherente me vizionin dekadent, poeti konfigurohet si një fallxhor i së ardhmes, ndërmejtës i një njohjeje fillestare në gjendje ta shtyjë shikimin përtej botës së ndjeshme : tek vepra Djalthi, Paskoli pohon sesa poeti fëmijë di t’ua vërë emrin sendeve, duke i zbuluar tek freskia e origjinës në mënyrë të imagjinueshme dhe alogjike.

Për Paskolin poezia ka natyrë irracionale dhe me të mund të zbulohet e vërteta e të gjitha gjërave. Poeti duhet të jetë një poet – fëmijë që mbërrin tek kjo e vërtetë përmes irracionalitetit dhe inuitës. Si rezultat e refuzon arsyen dhe Pozitivizmin, duke u afruar me Dekadentizmin. Poezia bëhet analogjike, pa lidhje të dukshme midis dy realiteteve që paraqiten, por vetëm në dukje, sepse në realitet ka një lidhje mes koncepteve dhe poeti shpesh dhe me dëshirë, detyrohet të bëjë fluturime marramendëse që t’i futë në komunikim këto koncepte.

Poezia irracionale apo analogjike është një poezi e zbulimit dhe jo e shpikjes. Motivet kryesore të kësaj poezie duhet të jenë gjëra të përulta, të jetës së përditshme, modeset, familjare. Në jetën e letrarëve italianë të dy shekujve të fundit ka referime të qëndrueshme tek kontradikta problematike midis botës qytetare dhe asaj rurale, si mbartës të vlerave të kundërta, ndërsa fusha duket gjithmonë e më shumë si parajsë e humbur e vlerave morale dhe kulturore, qyteti bëhet simbolikë e një gjendje njerëzore të mallkuar dhe të denatyruar, viktimë e degradimit moral, të shkaktuar nga një ideal progresi krejt material.

Kjo kundërvënie mund të interpretohet si nën dritën e prapambejtes ekonomike dhe kulturorë të pjesës më të madhe të Italisë në lidhje me evolucionin industrial të kombeve të mëdha europiane, qoftë edhe si pasojë e ndarjes politike dhe e mungesës së një metropolis të madh bashkues, siç ishte Parisi për Francën dhe Londra për Anglinë. Vendet poetike të tokës, të periferisë, të popullit të përulët që shfaqen deri në vitet e pasluftës së dytë nuk bëjnë gjë tjetër veç se përsëritin ëndrrën e një atdheu të vogël të largët që ideali i bashkimit të etur apo i realizuar nuk e fik kurrë të gjithin.

Vendimtar në vazhdimësinë e kësaj tradite ishte Paskoli, edhe pse motivet e tij nuk ishin tipikë ideologjikë të shkrimtarëve të tjerë, por lindën nga rrënjë më intime dhe subjektive. Në vitin 1899 i shkruan piktorit De Ëeit : ka shumë dhimbje dhe mister në botë, por në jetën e thjeshtë dhe familjare dhe në kundrimin e natyrës, veçanërisht në fshat, ka ngushëllim të madh, i cili nuk mjafton që të na çlirojë nga fati i pandryshueshëm. Në këtë kontradiktë midis jashtësisë së jetës shoqërore dhe brendësisë së ekzistencës familjare, gjendet ideja dominuese – pranë asaj të vdekjes – në poezinë paskoliane. Nga shtëpia e tij në Kastelvekio, e mbrojtur ëmbëlsisht nga pyjet, Paskoli nuk doli më, nga pikëpamja psikologjike, deri në vdekje.

Edhe pse vazhdoi me një punë intensive me botimet poetike dhe eseiste, duke pranuar edhe të zëvendësonte Karduçin në Universitetin e Bolonjës, ka lënë një vision njëzëshmërisht të ngushtë për botën përreth një qëndre, të përfaqësuar nga misteri i natyrës dhe nga raporti mes dashurisë dhe vdekjes. Ngjan sikur i kapur nga një ankth pamundësisht të dominueshëm, poeti të gjente në mjetin intelektual të kompozimit poetik, të vetmin mjet që ta detyronte frikën dhe fantazmat e ekzistencës, të strukeshin në një rrethim të përcaktuar mirë, jashtë të cilit të mund të vazhdonte një jetë të lidhjeve normale njerëzore. Në këtë rrethim poetik ai punoi me impenjim të jashtëzakonshëm krijues, duke ndërtuar një përmbledhje të vargjeve dhe formave, si kompleksitet dhe varietet, që letërsia italiane nuk e shihte që nga koha e Kiabrerës.

Kërkimi gati sofist dhe artificial tek eleganca e vet, i strukturave metrike të zgjedhura prej tij – përzjerrja me nëntërrokshin, pesërrokshin apo katërrrokshin në të njëjtin krijim e kështu me rradhë, u interpretua si një punë e durueshme dhe e kujdesëshme organizimi racional i formës poetike, rreth përmbajtjeve psikologjike të paforma dhe të pakontrollueshme, që e detyronin të pandërgjegjëshmen. Pra krejt e kundërta e asaj që shpallnin simbolistët francezë dhe avangardat artistike, të pjesës së parë të ‘900, ndaj spontaneitetit ekspresiv. Paskoli e prish formën tradicionale të gjuhës poetike, me të poezia italiane humb mbështetjen tradicionale logjike, ecën me simbole dhe imazhe, me fjali të shkurtra muzikale dhe sugjestive.

Gjuha është fonosimbolike me një përdorim të dendur të onomatopeve, metaforave, sintezave, aliteracioneve, anaforave, fjalëve të gjergeve. Disintegrimi i formave tradicionale sjell konceptimin me imazhe të izoluara, periudhën e frazave të shkurtra, fjala është e rrethuar nga qetësia. Paskoli theu kufirin midis gramatikës dhe evokimit të gjuhës, por fshiu edhe kufirin midis melodisë dhe efikasitetit, d.m.th mes rrjedhës fluide, vazhdimësisë së fjalës dhe imazheve të izoluara të vetëmjaftueshme, pra me një fjalë theu kufirin midis të përcaktuarës dhe të papërcaktuarës.
Disa nga mendimet e tij lidhur me botën që na rrethon dhe me paraardhësit.

Ëndrra është ija e pafund e së Vërtetës
Poeti është poet, jo orator apo predikues, jo filozof, as historian, as mësues, as tribun apo demagog, as shtetar apo oborrtar…
Poezia konsiston në vizionin e një veçantie të pavënë re, jashtë dhe nrenda nesh.

Ky det është plot me zëra dhe ky qiell plot me imazhe.
A do të jetë e mundur që ta njohësh dhe ta përshkruash mendjen e Dantes? Ai eklipsohet në thellësinë e mendimit të vet : me dëshirë e eklipsuar.
Veprat e tij më të rëndësishme janë :
Përmbledhja me vargje Myricae, 1891
Antologjia Lyra, 1895
Shkrimi Djalthi, 1897
Poezitë Këngët e Kastelvekios, 1903
Poemat e para, 1904
Ode dhe himne, 1906
Poema të reja, 1909
Poema italiane, 1911
Poemat e Rilindjes, 1913

Përgatiti Arjan Th. Kallço