Poet i internuar, me shpirt prej loti…

0
32

Nji pikël shiu
Prej qiejsh të qorruem
Tejpërtej e shpoi
Shpirtin tim prej loti…

Marrë nga libri “Fletorja e vjeshtës” të autorit Jozef Radi. f.20

Nga Keze Kozeta Zylo

Kam gati një javë që jam duke lexuar librat e dhuruara në New York nga z. Jozef Radi, libra që kanë për autor z.Radi dhe babain e tij, intelektualin e shquar, të burgosur dhe të internuar të Kombit, Prizrenasin prej Kosove, të ndjerin Dr. Lazër Radin.

Jam ngujuar brenda botës së një poeti të internuar, mos e dhëntë Zoti që kritika të bjerë në “koma” për moslexim të këtyre librave, se ndryshe nuk do të shërohet kurrë e keqja kanceroze, harrimi i vuajtjeve të bashkatdhetarëve tanë, piklat e gjakut të djemve që u binin nënokeve në përparëset e punës, një punë dhe dhunë aq e rëndë dhe tronditëse gjatë sistemit që kaluam, jo pak, por 50 vjet.
Libri është shkruar i tëri në gegnisht, një pasuri aq e vyer e gjuhës amtare.

Autori Radi na ka vënë në pëllëmbë të dorës me gjithë çiltërsinë, zemrën e tij të artë, ku ne lexojmë qartësisht mendimin e tij të hapur se: “Kët liber kam tan jetën që e shkruej. Tash atij i erdh dita mos me qenë ma veç i imi.”

I lexoj dhe rri mendueshëm përballë këtij arti të shprehuri aq të ndjerë dhe të dhimbshëm, shkruar nga dora e nje shkrimtari, që u lind dhe u rrit në internim, nga se babai i tij, intelektual i shquar i Kombit, u burgos, internua sepse kishte mendime drejt orientiemit perëndimor, ai kishte mbaruar avokatinë në universitetet e Italisë, profesion që s’e ushtroi kurrë.

Nuk ka lexues, dhe bir shqiptari që të mos kaplohet nga trishtimi i thellë, por njëkohësisht të mos ngazëllehet shpirtërisht kur autori flet me adhurim për të ëmblën gjuhë shqipe gjuhë me të cilën ka shkruajtur këtë libër. Ja si shprehet autori: “E kam shkrue dhe e përsëritë jo vetëm si poezi, por dhe si muzikë, edhe si dhimbje lindjeje, e kam lexue e stërlexue gjer në lodhje rrjedhën e saj, e s’ka njeri qe ma mbush mendjen se gjuha shqipe asht e vorfën dhe e pamundun”…

Fletorja e vjeshtës me autor Jozef Radin

Çdo fjalë e autorit është art, është mjeshtëri pene, ndaj dhe ai flet me aq zjarr dashurie për gjuhen shqipe, duke e quajtur atë aq poetike dhe aq e lidhun me shpirtin e karakterin e shqiptarit sa asnji identitet s’asht ma i fortë se ajo…

O Perëndi them me vete duke mbajtur duartë në tëmtha gjatë leximit të librit: “Më duket sikur një muzikë hyjnore dëgjohet nga qielli dhe këndon aq ëmbëlsisht për gjuhën tonë dhe pikërisht është kjo gjuhë thotë poeti që s’e la qoftë dhe një ditë të vetme me e gjetë vedin viktimë e së keqes, ku qe zhytë jo vetëm fati i tij prej fëmije”…

Libri është ndarë në tri fletore vjeshte që janë aq të lidhura pazgjidhmërisht me njera tjetrën, janë fijet shpirtërore edhe pse t’ikunish kahera…Poezitë në të tria fletoret e vjeshtës janë pa tituj, por që vetë vargjet e pagëzojnë bukur titullin brenda tyre. Liria për autorin e lindur dhe rritur në inernim është pikërisht brenda tyre, brenda gjakut të kuq shqiptar dhe jo ata që i burgosën, dogjën dhe i rrethuan. Për këtë autori do të arrijë në përfundim llogjik se: “Jo, s’jane të lirë ata që ngrenë rethime/ të lirë janë ata që rrethohen me mure/ prandaj i rrethojnë: të vritet liria e tyne!”

Autori nuk pajtohet kurrë me politikën ulëritëse të botës së çmendur, por as dhe djali i poetit që i njeh mirë në ekranet gri fytyrat e sadamëve me mustaqe apo dhe gangsterëve të tjerë politikë, ndaj dhe ua pret kokat me t’vetmen lodër që ka, telekomandën. Fëmija i tij mbeti peng i udhëkryqeve politike…
Në mënyrë vëllazërore i drejtohet mikut të tij se kur si hije të kenë ngelur duhet të ketë mbetur dikush për të dëshmuar mizoritë dhe barbarizmat.

E gjithë kjo më kujton librin e At Zef Pllumbit, “Rrno për me tregue”, ku me të drejtë Kadareja e vlerëson këtë libër brilant me këto fjalë: “Gjithë shoqëria shqiptare ka nevojë për këtë vepër. Kanë nevojë për të ata që e kanë jetuar atë kohë, e po aq, në mos për më tepër, ata që s’e kanë jetuar. Kanë nevojë të shtypurit e të nëpërkëmburit, e po aq, e mos më tepër, ata që shtypën të tjerët. Kanë nevojë antikomunistët, e po aq, ndoshta më tepër, komunistët. Shkurt për të ka nevojë ndërgjegjja jonë”.

Libri ndertuar mbi metaforën e vjeshtës është një sagë e vuajtjeve të autorit gjatë periudhës diktatoriale, ndaj ai lutet që dikush duhet të jetojë: “Rrno për me tregue”…
Lexon poezitë e autorit Radi të përmbledhura në “Fletoren e vjeshtës” dhe të duket sikur lexon Migjenin me Vjeshtën në parakalim në të cilën shkruhet:

“Vjeshtë në natyrë dhe vjeshtë ndër ftyra tona/ Afshon erë e mekun, lëngon i zymtë dielli/ Lëngon shpirt’ i smum ndër krahnore tona/ Dridhet jet’ e vyshkun ndër gemba të një plepi”.

Autori edhe pse ishte rrethuar nga sytë e urrejtjes ai nuk pati kohë me humb në urrejtje të askujt, ai mban në ninëzën e syrit dashninë e atyne dyqind syve, që besonin tek jeta-te ajo foshnja në grazhd…Ashtu siç dhe e thashë pak më lart pena e tij sjell një magji hyjnore, sjell frymën e Zotit, që të mban larg nga e keqja, larg nga qeniet jo njerëzore. Poezitë e këtij libri kanë frymëzuar z.Leka Ndoja i cili shkruan: “Betlehemi” i poetit Jozef Radi.

Ai sot jeton në një strehë me vrasësit e poetëve, që natën të vrasin dhe ditën të qajnë me lot krokodili, e megjithatë poeti ka shpirt prej loti lutet per ta duke thënë: “Jetoj nën një strehë me vrasësit e dritës, Zoti i pshtofte shpirtnat e tyne prej Ferrit…”

Vargu i poetit është dhe cicërimë zogu, cicërimë që e ka vetëm per qiellin e kthjellët të shpirtrave të kristalta, ndaj dhe ai ndalon në ndonjë degë dhe këndon!

Edhe bukurisë magjiplotë të botës femërore ai i këndon: “Ishe pishe a s’ishe pishë, qiellit retë me kreshtë m’ia shprish, pashë as pashë veç shtegut rashë, s’ishe pishë, por ishe vashë’…

Buzëqeshjen e trëndafiltë të vashave dhe imazhin e bukur të tyre që jetojnë brenda shpirtit të poetit e përshkruan me këto vargje: “…dhe qesh lehtas kur ndokujt nga ne i humb filli/ e qelqet nder buzë i krisin si puthje prilli/ ajo hesht e bindun se imazhi i saj jeton mbrenda nesh/ ndaj ecën e shlirët dhe lutet dhe lotet, na shkel padashtas dhe qesh..”

Autori duke qenë në internim njohu nga afër figura të shquara, të ndritura intelektuale dhe shpirti i tij u lidh me ta pafundësisht. Ai i respekton ata gjer në dhimbje, respekton mikun e ngushtë të të atit, Pashko Gjecin një përkthyes nga më të zotët. Në poezinë: “Requiem për Pashko Gjecin” ai e ngre lart atë shpirt prej shenjti dhe ja si shkruan: U shue si qiri nji njeri, jo s’u shue bota, u shue pak Homer, pak Gëte, pak dante Shqipnie, u shue shum njeri te “nji tesh” prej Shkodre, e kori i kambanave nën za e tha alelujan e mbrame.

Nuk ka lexues me ndjesi njerëzore që nuk do të shokohet kur të lexojë këtë sagë vuajtjesh të treguara aq mjeshtërisht dhe artistikisht nga pena e autorit, por dhe pse autori e mbyll librin duke thënë se kët libër mund t’mos ma lexojë askush; fëmijët e mi sigurisht asgja veç kopertinës, (ata po i lexon për qejf marria e kohës së tyne)…

Por tjeter gjë mendon autori për bashkëshorten e tij, bashkëvuajtesen besnike. Ai është i bindur se gruaja e ka lexuar të pashkruar këtë libër, por megjithatë ajo s’ka për ta hequr nga çanta e saj.
Eshtë tragjike në se ky liber do të bjerë në veshët shurdhane, është ngjethëse në se këto poezi nuk do të lexohen dhe komentohen nga kritika profesioniste, ky do të jetë një mëkat tjetër karshi kulturës dhe letërsisë, ku një prej tyre që e përfaqson denjësisht është dhe poeti i nternuar me shpirt prej loti…z.Radi.

Megjithatë shkruan poeti, “ky libër është shkruar me shumë gjak, ma shumë se me penë asht shkrue, me dhimbje ma shumë se me vrull, me heshtje ma shumë se me fjalë…

Se jo gjithkush i bje mëkatit në gjunjë mëkatit të vet e pendohet me t’vërtetë prej tij…ky libër është mëkati im i fundit, e mëkati i fundit i këtij libri jam bash unë vete”…f.130, përfundon librin “Fletorja e vjeshtes”, poeti Radi i cili pyet se deri kur do të jemi pemë të frigueme lulesh, dega t’thyeme nën peshë të fruteve tona…ndërkohë dhe unë si lexuese pyes: se a do të vijë ajo ditë që të kërkojnë falje mëkatarët? Përgjigja vjen natyrshëm në se lexojmë këtë libër të një poeti të internuar i cili thotë se: “Kët libër ua kam kushtue gjithe atyne që ma s’paku e meritojnë…ata janë pjesa ma e madhe e kësaj bote…e në se dashnia s’e zbut sado pak shpirtin e tyne, t’paktën s’ka me e egërsue edhe ma”…

Maj, 2011
Staten Island, New York