Mjekët francezë: “Ali Podrimja pati vdekje natyrale”

0
54

TemA, 25 Korrik 2012

Ka dalë rezultati i parë i autopsisë së shkrimtarit që humbi jetën në Francë. Një raport më i plotë do të jetë gati pas 15 ditësh. Ndërkohë, trupi pritet të vijë të enjten në Prishtinë.

PRISHTINË – “Vdekja e Ali Podrimjes nuk ka asnjë shkak të jashtëm, asnjë gjurmë të dhunës të shkaktuar nga jashtë ose në mjedisin ku ai ka lëvizur ato ditë. Ai nuk është rrëzuar, nuk ka asnjë lëndim në trup. Është fjala për një vdekje natyrale. Vendi ku është gjetur është një vend i hapur.

Nga aty ka parë qytetin. Aty ku ka qenë i shtrirë e ka parë edhe konsulli ynë”. Ky ka qenë konstatimi i autoriteteve franceze për rrethanat e vdekjes së poetit Ali Podrimja, bërë i ditur sot në portalin KosovaTimes prej ambasadorit të Kosovës në Francë, Muhamedin Kullashi. Një nga dyshimet e tjera është se poeti vdiq prej dehidratimit.

“Një raport më i plotë do të jetë i gatshëm pas 15 ditësh, ku përfshihen një analizë më e hollësishme nga ana e ekipeve të mjekësisë ligjore.”

Kthimi i trupit, të enjten

Ambasadori Kullashi tha se trupi i poetit Podrimja do të kthehet në Kosovë të enjten. Më saktësisht në orën 8:55 minuta të mëngjesit, kur në aeroportin e Prishtinës parashihet të ulet aeroplani që vjen nga Franca. Këtë e ka konfirmuar për “Koha.net” djali i poetit, Petrit Podrimja, i cili kishte udhëtuar në Francë nga Holanda, dhe po asiston në koordinimin e procesit të kthimit të të atit në vendlindje dhe të cilit lajmin ia kanë kumtuar autoritetet zyrtare të Francës.Nga Franca trupi i pajetë i shkrimtarit Ali Podrimja do të bartet me automjet në Gjenevë të Zvicrës. Prej aty, me avion në Prishtinë.

“Janë një varg procedurash të ndërlikuara që duhet të kryhen këtu. Orën e saktë të kthimit të trupit të poetit do ta dimë nesër”, tha ai. Ambasada e Kosovës në Paris do të organizojë të premten një tubim komemorativ për poetin Podrimja.

“Kemi ftuar korin diplomatik në Paris, përfaqësues të Ministrisë së Jashtme Franceze, shoqërisë civile, intelektualë, poetë, artistë. Poezitë e Ali Podrimjes do të lexohen në gjuhën frënge dhe shqipe”, tha ambasadori Kullashi.

Varrimi në Prishtinë

Podrimja të varroset në Prishtinë, një ditë pasi që trupi i tij të vijë nga qyteti Lodève i Francës ka deklaruar më herët djali tjetër, Dren Podrimja, i cili jeton në Prishtinë. Ai ka thënë se të atin po planifikojnë ta varrosin në varrezat e kryeqytetit, një ditë pasi që trupi i pajetë i tij të ketë mbërritur.

Podrimja ishte gjendur i vdekur në një pyll në anën perëndimore të qyteti të vogël e të qetë francez, Lodeve. Atje Podrimja kishte shkuar për të marrë pjesë në edicionin e 15-të të festivalit të poezisë “Voix de la Méditerranée” (Zërat e Mesdheut).

Koha Ditore
MA