Podesta, lobisti i diktatorëve që Berisha e paguan 720 mijë USD

0
39

Nga Arbër Zaimi

Ndërkohë që SHBA-të shpenzojnë miliona dollarë për të promovuar demokracinë nëpër botë, madje kanë nisur dhe luftëra për të eksportuar demokraci, në Uashington ka aktorë që haptazi mbrojnë diktatorët. Kundrejt pagesës, sigurisht.

Kompani të mëdha të lobimit janë paguar vazhdimisht prej Mubarakut të Egjiptit, i cili që prej fundviteve ’80 ka mbërritur të marrë konsensusin zyrtar të SHBA-ve, gjersa e hoqi nga pushteti populli egjiptian, përmes protestash të dhunshme e të dhimbshme.

Ndërkohë që përfaqësues të të drejtave të njeriut, apo të organizatave që interesohen për demokracinë ngrinin zërin kundër Mubarakut dhe masakrave të tij, si psh. Freedom House, e cila në 2 shkurt shkruante “Obama duhet t’i kërkojë Mubarakut të largohet”, lobistë si John e Tony Podesta, të paguar nga diktatori egjiptian, vijonin të përfaqësonin interesat e tij pranë administratës Obama.

Po ashtu, ka kompani të mëdha lobimi që ende mbrojnë intersat e Gadafit gjakësor, apo dhe të Kim Jong-Il të Koresë Veriore, e të tjerë tiranëve të sëmurë që mbijetojnë përmes pazareve me shtetin më të fuqishëm në botë, e në të njëjtën kohë shtypin pa mëshirë popujt e tyre.

Një prej këtyre kompanive të lobimit që ndikojnë politikbërjen amerikane në favor të diktatorëve është edhe PODESTA Group, e themeluar nga John dhe Tony Podesta. Këta kanë mbrojtur për vite me radhë interesat e diktatorit të Egjiptit, Hosni Mubarak, si dhe të liderit të Koresë Veriore, Kim Jong-Il. Këtë e dëshmon shtypi amerikan, i cili ka qenë jo pak kritik ndaj veprimtarisë së kompanive të lobingut që favorizojnë diktatorë e Tiranë.

PODESTA Group, është e njëjta kompani lobimi që është paguar së fundmi nga kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, i akuzuar si diktator e si vrasës i protestuesve në 21 janar.

Në një artikull të 28 janarit 2011 Salon Media Group botoi një artikull të Justin Elliott, të titulluar “Kush përfaqëson interesat e Mubarakut në Uashington”. Në këtë artikull shkruhet se: “Podesta Group ka patur goxha fitime prej lobimit në emër të qeverisë së Mubarakut. Qeveria egjiptiane në 2007 lidhi një kontratë prej 1.1 milion dollarësh në vit me kompaninë PLM, një bashkim i firmave Podesta Group (afër Partisë Demokratike) dhe Livingston Group (afër Partisë Republikane)”.

Natyrisht që Mubarak, si diktator që ishte, ishte kritikuar gjatë nga institucionet e SHBA, edhe nga organizata të ndryshme, për mungesën e respektit për të drejtat e njeriut. Mirëpo pagesa e tij për lobim në të dyja partitë, i mundësonte një jetëgjatësi politike të padiskutueshme, së paku gjersa u ngrit më këmbë populli i Egjiptit.

Por me të nisur revoltat popullore, Mubarakun e lanë në baltë edhe lobistët që pagoi kaq shtrenjtë, siç thotë dhe Brian Katoulis tek artikulli i vet “Hapat e ardhshëm të administratës Obama në Egjipt: Nevojitet më shumë veprim proaktiv”.

Ky artikull i botuar prej CAP (Center for American Proggress), një institut që ka për shef vetë John Podesta thotë se: “nevojitet një bashkëpunim i gjerë me opozitën shumëngjyrëshe politike në Egjipt, nga ana e diplomatëve të administratës Obama”.

Megjithatë Katoulis, si nëpunës i John Podesta, nuk harron të vërë në dukje rreziqet e demokratizimit të Egjiptit, duke shkruar se: “Hapja demokratike e Egjiptit në mënyrë të paevitueshme do të shpjerë në pjesëmarrje më të gjerë në qeverisje nga ana e grupeve si puna e Vëllazërisë Muslimane”. Pra, përmes frikës nga radikalizimi islam, Katoulis përpiqet të justifikojë vijimin e tiranisë së Mubarakut si diçka më e vlefshme se demokracia.

Gjithsesi, Bennett Roth shpjegon se interesat e Podesta Group në Egjipt mbeten të paprekura, pasi John dhe Tony Podesta janë treguar aq të zgjuar sa ta ruajnë të paprekur kontratën e tyre, duke u lidhur me kabinetin e Mubarakut, i cili vazhdoi të mbetej në pushtet me fare pak ndryshime, edhe pas rënies së diktatorit.