Po “vdes” politika

0
48


Nga Enton Palushi

Gazetari Mero Baze në një shkrim të tij paralajmëron për “vdekjen” e gazetarisë në vend përderisa ka ardhur dita kur dy gazetat më të mëdha në vend kanë komentator Rezart Taçin. Kjo është e vërtetë edhe për politikën, përsa kohë në qendër të saj është një figurë si Albana Vokshi, që mesa duket njeh vetëm një dimension ligjor të politikës: atë që të jep liri për të shpifur pa mbajtur përsipër pasojat. Sigurisht ato ligjore, e jo ato morale. Kështu, ajo deklaron se kur ishte në Venezuelë kishte dëgjuar se në Tiranë po përflitej se bashkëpartnerit të saj biznesmen i kishte hyrë në hise një person i quajtur Tan Lepri, i njohur si njeri pranë kryetarit të Bashkisë së Tiranës.

Pa pyetur të shoqin (të paktën kështu thotë një deklaratë e saj para prokurorëve, e botuar në media), ajo lëshon një prononcim nga Venezuela ku akuzon se Tan Lepri i ka kushtëzuar të shoqit lejet e ndërtimit me marrjen e 20 përqindëshit. Në prokurori ajo pranon se e ka bërë në nxitim deklaratën kur ishte në Venezuelë. Por mbetet për tu sqaruar fakti pse ajo ka dalë në ambientet e Kuvendit për të bërë këto akuza disa herë, madje duke tundur një letër në dorë e duke thënë se ai është dokumenti që provon korrupsionin e Bashkisë së Tiranës.

Ajo që është e rrezikshme në këtë situatë është qasja që ka media e politika ndaj të vërtetës, të drejtës e të moralshmes. Ndaj mund të thuhet se media e politika po lëngojnë. Sepse demokracia ka shumë mekanizma për të mbrojtur të vërtetën. Ndërsa kështu duket se e vërteta po mbytet përsa kohë politika e media ia kanë lënë të gjithë barrën prokurorisë e gjykatave.

Seanca e fundit e parlamentit ishte një ilustrim i qartë i gjithë kësaj.

Në këtë seancë kryetari i mazhorancës nuk lejoi opozitën të hetojë për zgjedhjet parlamentare, duke u kërkuar të sillen si prokurorë.

Pak sekonda më vonë, kjo mazhorancë miratoi një rezolutë me terma abstrakte për progres- raportin e Komisionit Europian, që si rrallë ndonjëherë fliste shumë qartë. P.sh një trupë politike si KE thoshte qartë se kryetarja e Kuvendit po keqpërdor postin. Sepse e vërteta në këtë rast nuk fshihet dot. Madje- madje, në këtë seancë kryetarja e Kuvendit i futi dhe një të shkelur rregullores ndërsa hodhi për miratim rezolutën e mazhorancës, ndërkohë që ishte opozita që kishte propozuar rezolutën e normalisht duhej të hidhej ajo për votim.

Tashmë e vërteta, e drejta dhe e moralshmja në politikë kanë vdekur. Që pas krijimit të koalicionit PD- LSI, asgjë nuk ka të ndalur. Retorika e mazhorancës është bërë e frikshme. Ndërsa harxhon me miliona euro për të propaganduar arritjet e saj (të habit fakti që arritjet e qeverisë nuk ua mbushin mendjen njerëzve pa koncerte e spote), kërcënon opozitën që të mos fitojë kapital politik në shpinë të dështimeve të qeverisë.

Dëmi që i bëhet mënyrës se si funksionon media dhe politika është shumë i rëndë. Do duhet kohë për të riparuar këtë situatë. Deri atëherë do na duhen shumë gjeste të forta e njerëz me guxim.