Po unë pse nuk kam? Si ish-rrjepacakët?

0
39

ResPublica.al, 20 gusht 2012

“Tetë vjet më parë, kur hyra në Parlament si deputet i PD-së, unë kisha një dhomë e një guzhinë në katin e nëntë të një pallati. Ligji i aprovuar ato kohë i ndalonte deputetit të merrej me biznes ose me dypunësi, qoftë dhe indirekt. Unë e respektova këtë ligj dhe mbeta në mënyrë të natyrshme në këtë apartament, megjithëse fëmijët u rritën. Mbeta në këtë apartament jo se desha të qëndroja në atë ngushtësirë, por se nuk kisha dhe nuk kam mundësi financiare të blej një apartament të ri”.

Fjalët janë të cituara nga deputeti Erjon Braçe. Në nje nga mesazhet e tij online (është deputeti më aktiv në këtë lloj komunikimi) edhe Braçe duket i mbërthyer fort nga pesimizmi i përgjithshëm, kur citon të ndjerin Teodor Keko se “është pa kuptim të ftosh popullin të votojë, kur pjesa më e madhe e politikanëve janë hajdutër” e në fund i drejtohet Prokurorisë:

“…E nisa nga analiza e vetvetes, për t’iu treguar se edhe unë habitem sesi shumë ish-kolegë të mi, dikur shumë më rrjepacakë ekonomikisht, nga unë, dhe ndryshe nga unë, pa asnjë të ardhur shtesë nga honoraret etj, sot banojnë në vila, apo apartamente superluksoze. Një prokurori serioze duhet të ndalojë, para një peisazhi të tillë dhe të bëjë pyetjen e thjeshtë pa asnjë tendencë: Mund të më thoni se ku i gjetët lekët?…”.

Pyetje e thjeshtë. Apo ashtu duket? A.N.

Në foto: Braçe gjatë një denoncimi në terren për ndërtime abuzive në zonën pranë Liqenit në Tiranë (LSA)