Po të ishte ky korrupsioni…

0
24

Preç Zogaj, 09.09.2010

Shndërrimi i rrufeshëm në euromilioner i ministrit Dritan Prifti i ka lënë pa gojë mjeshtrat e retorikës antikorrupsion të qeverisë. Po të kërkonte kjo qeveri një këshillë se si mund të dilet me sa më pak dëme nga rrethimi i aferave të këtij lloji, këshilla më e mirë që do t’i jepte një mendje djallëzore do të ishte anekdota e anijes me balenat. Për të shmangur ndekjen nga balenat , kapiteni urdhëron hedhjen në det të disa fuçive boshe.

Balenat, në vend që të ndjekin anijen, ndjekin fuçitë. Zbërthimi i kësaj anekdote në rastin tonë do të ishte ky: mënyra më e mirë për të çarë rrethimin e akuzave të bazuara është tërheqja e vëmendjes dhe energjive të opozitës drejt një korrupsioni të simuluar, të diskutueshëm apo mundësisht të rremë, me qëllim që neser, kur të thotë fjalën e saj edhe prokuroria, të dalë se qeveria është e pastër, kurse opozitës i bëhet ferra Brahim..

Në politikë, ku beteja është kryesisht në komunikim, një e vërtetë nuk i ndriçon dot dy të fshehta, por një gënjeshtër i mbulon dy të vërteta.

Nuk rezulton që qeveria “Berisha” të ketë porositur apo inskenuar një front të rremë kundër korrupsionit të saj, duke lenë me qëllim andej këndej copa letrash që do të bien në “duart e armikut”.

Po, kujdes! Atë që nuk e mendon qeveria, pra fshehjen e korrupsionit në tymnajën e antikorrupsionit, qëllon ta realizojë gratis pasioni i verbër i kundërshtarëve të saj.

Ky është pasioni i qëllimeve të mira, por që me mungesën e realizmit dhe aftësisë për t’i peshuar e dalluar gjërat e kompromenton luftën kundër së keqes po aq sa indiferenca kundër së keqes. Në mos më shumë.

Është një lajm i mirë që Prokuroria dhe Instituti i Deklarimit të Pasurisë kanë reaguar në mënyrë institucionale ndaj akuzave të ngritura nga opozita kundër qeverisë dhe anasjelltas.

Diçka do të dalë patjetër nga ky shqyrtim. Sado i madh të jetë presioni politik për të manipuluar rrezultatet e hetimit, e vërteta nuk mund të mbytet plotësisht.

Nga ky shqyrtim do të përfitojë edhe kultura e luftës politike në vend, e cila ka nevojë të mbështetet në fakte dhe argumente të studiuara mirë, duke braktisur dhunën verbale, mllefin apo letrarizmat e tipit “qyteza Rama & company”, që s’kanë asnjë lidhje me mënyrën si duhet të flasë qeveria apo çdo institucion tjetër i pushtetit.

Ndërkaq nuk është nevoja të presim përfundimet e prokurorisë për të kuptuar se akuzat e ngritura nga palët politike nuk mund të barazpeshohen, nuk mund të futen në një thes, pavarësisht se artikulimi politik i paraqet njëlloj, si atëherë kur dyshimet mbështeten në hamendje, si ateherë kur dyshimet mbështeten mbi indicie dhe fakte; si ateherë kur bëhet fjalë për afera ku janë shpenzuar miliona euro nga buxheti, siç është rasti i rrugës Rreshen-Kalimash, si atëherë kur nuk është shpenzuar asnjë lekë nga buxheti, siç është rasti i koncensioneve për hidrocentralet e vegjël; si atëherë kur në qendër të dyshimeve dhe akuzave janë ministra dhe deputetë, si atëherë kur të dyshuarit janë persona privatë!

Këtu nuk po merrem me akuzat e stërkonsumuara nëpër vite të qeverisë ndaj shefit të opozitës, sepse ato janë thjesht kundërakuza për të zhurmuar akuzat.

E reja në edicionin e ri të antikorrupsionit të muajve të fundit janë dyshimet dhe akuzat që po ngre opozita. Kjo është një lëvizje që meriton të mbështetet, por edhe të ndihmohet me kritika dhe qortime që nuk e lejojnë të degradojë në zhurmë vuvuzelash.

Realizmi, llogaritja e efekteve anësore të çdo akuze, janë tregues i seriozitetit të shtetarëve opozitarë, që neser do të jenë shtetarë qeveritarë. Tonet e ngritura dhe fytyrat e vrerosura mua personalisht nuk më impresionojnë.

Një nga “luftëtarët” më të mëdhenj kundër korrupsionit në legjislaturën e kaluar ka qenë pikërisht ministri i sotëm Dritan Prifti. Pavarësisht se qeveria nuk e merrte serjozisht, llokmat e tij ishin gjithnjë nga më të rëndat.

Ky rast dhe raste të tjera të ngjashëm më kanë bindur se “luftëtarët” e mëdhenj janë edhe të korruptuarit e medhenj kur u jepet rasti. Pra në vend të toneve, duhen argumente, ashtu siç e kemi parë në mjaft raste kur opozita ka denoncuar afera të dyshimta me tenderat publikë, me privatizimet, me transaksionet me tokat e tjerë.

Duhet edhe serioziteti i shtetarit. Me seriozitet shtetari kuptojmë vertetësinë dhe kujdesin për të mos nxjerrë nga vaska bashkë me ujin e ndotur edhe foshnjën.

Deputetët opozitarë, përshembull, e kanë për detyrë të përcjellin informacione të sakta në lidhje me konçensionet e hidrocentraleve të vegjël dhe për natyrën e abuzimit të mundshëm në këtë sektor. Kjo do t’u jepte besueshmëri shqetësimeve dhe akuzave që ata ngrenë.

Andej këndej shihet se është krijuar një përfytyrim i gabuar për këtë lloj hidrocentralesh sikur është bërë nami, sikur dikush ka shpërndarë me mik dhe me ryshfet miliona euro hidrocentrale! E vërteta është se hidrocentralet e vegjël, që janë dhënë me konçension për 35 vjet pas vitit 2006, nuk ekzistojnë.

Ato janë leje për të ndërtuar në degëzimet e lumenjve apo në grykat e përrenjve në bazë të projektit që kanë bërë vetë firmat kërkuese. Ato janë letra. Qeveria nuk ka vënë dhe nuk ka shpenzuar asnjë qindarkë. Siç e kam thënë në mënyrë jo krejt të figurshme edhe herë të tjera, në rastet e konçensioneve ndërtuese, qeveria shpenzon një letër format A4.

Gjithë riskun e kanë firmat. Studimi i fisibilitetit, projektideja, studimi gjelogjik e topografik dhe kërkesat e tjera ligjore që duhen plotësuar për të shkuar deri te leja kushtojnë nga 60 mijë deri në 100 mijë euro. Ndërtimi varion sipas megave, nga tre-katër deri në shtatë-tetë milion euro.

Në planin e interesave të ngushta të të palës, qeveria luan me qarin. E para, sepse nuk riskon asgjë. E dyta, sepse i ka detyruar firmat me ligj, që kur të fillojë nga puna hidrocentrali, të japin një sasi energjie falas për publik.

E treta, sepse pas njëzet vjetësh firmat janë të detyruara të rinovojnë teknologjinë për të mos dorëzuar në përfundim të kontratës një karakatinë dhe, kryesorja, pas 35 vjetësh hidrocentrali i kalon si aset qeverisë.

Këto kushte dhe sanksionet e tjera që lidhen me zbatimin e kontratave favorizojnë qeverinë dhe shtërngojnë privatin. Konçensionet për shfrytëzimin e burimeve ujore për prodhimin e energjisë përbëjnë një risi të mirëfilltë të qeverisë “Berisha”.

Për rëndësinë që kanë këto investime në planin konkret dhe strategjik dhe për riskun që paraqesin, unë nuk do të isha kundër që t’i ndërtonin ministrat me paratë e tyre.

Por kushdo që mendon vetëm pesë minuta mbi këtë realitet e kupton menjëherë se zotërinjtë dhe ustallarët e korrupsionit, që janë mësuar ta marrin pjesën në dorë dhe tani, pa bërë çak as bam, nuk hedhin asnjë lekë në investime të tilla që kërkojnë mund dhe djersë dhe nuk dihet si do të përfundojnë.

Nuk ka dyshim se ndonjë konçension është marrë me mik, me ndërhyrjen e ndonjë zyrtari, me qëllim që marrësi të mund ta shesë neser pasneser tek ndonjë firmë e huaj. Opozita bën mirë që e denoncon këtë aspekt të abuzimit me liçensat. Por nuk duhet harrur se ligji parashikon afate për zbatimin e kontratës. Thyerja e afateve e bën nul konçensionin.

Pra duke pritur blerësin, që nuk po duket gjëkundi, marrësi rrezikon të humbë liçensën. Problematika e konçensioneve duhet pozuar në gjithë gjerësinë e saj. Abuzimet kanë një vend në këtë problematikë, por kryeproblemi mbetet investimi. Firmat kanë vështirësi të marrin kredi për shkak të tkurrjes së bankave në këtë kohë krize.

Në këto kushte opozitës i shkon dhe i kërkohet të propozojë paketën e saj për sot dhe për neser. Konçensionet ndërtuese janë zgjidhja kryesore, për të mos thënë e vetmja në këtë periudhë, që mund të zgjojë punën dhe punësimin, lëvizjen dhe zhvillimin.

Dështimi i konçensioneve do të ishte një humbje shumë e madhe, e pashpagueshme dhe e pakompensueshme për vendi. Kjo është ende e nesermja. E sotmja na tregon një pamje tjetër të shqetësimit, për të cilin u ula të shkruaj.

Është komenti që bëri një sipërmarrës nga Lezha, i cila ka parë abuzimet qindramilioneshe që janë bërë e vazhdojnë të bëhën me tokat në bregdet. Kur dëgjoi se si akuzohej burri i deputetes Rajmonda Bulku për një konçension që firma ku është i punësuar e ka marrë përpara se e shoqja të bëhëj deputete, sipërmarrësi në fjalë tha: Po të jetë ky korrupsioni, ne jemi vendi më i pastër në botë. Por nuk është ky. Unë e di.