Preç Zogaj, 17.03.2011
Qysh në krye dëshiroj të mirëkuptohem për përdorimin e epitetit ” i çmendur”. E kam vendour në thonjëza për të treguar se nuk jam duke e përdorur në kuptimin e marrëzisë, por në kuptimin e guximit të deputetit Dritan Prifti për të denoncuar në Prokurori një prej dosjeve më të mëdha të korrupsionit kapilar në Shqipërinë e viteve të fundit: atë të mashtrimit dhe vjedhjes me naftën “Virgjinia”.
Nuk është denoncimi i parë i këtij deputeti ish- ministër. Dhe, siç ka paralajmëruar vetë publikiksht, as i fundit. Denoncimet e zotit Prifti kanë disa veçori që meritojnë të nënvizohen. Së pari , janë denoncime të depozituara me emër dhe mbiemër në institucionin e akuzës që është Prokuroria . Së dyti janë denoncime konkrete, të mbështetura në provat që ka mundur të sigurojë gjatë ushtrimit të detyrës.
Së treti, janë denoncime për çeshtje me interes publik të gjerë. Së katërti, janë denoncime që kanë në fokus lidhjet e krimit me politikën dhe anasjelltas, lidhjet e politikës me krimin. Pra janë denoncime të një shkalle shumë të lartë rreziku për veten dhe devocioni për shoqërinë.
Deri edhe Makiaveli që është Makiavel thoshte se akuzat e zyrtarizuara i bëjnë mirë shoqërisë. Qoftë kur hidhen poshtë, qoftë kur provohen. Ndërkohë që akuzat dhe trillimet na hava, për të bërë zhurmë , për të përbaltur kundërshtarin apo për të legjitimuar një gjendje xhungle e shkatërrojnë një shoqëri.
Dritan Prifti ka zgjedhur Prokurorinë, ka zgjedhur të paraqitet atje me emer dhe mbiemër, ka zgjedhur t`u dalë zot denoncimeve të veta. Kaq do të mjaftonte për të folur për një qasje politike të pazakonshme të përballjes së një politikani me korrupsionin, me abuzimet dhe krimin në vendin e tij.
Qasja e Prifit kontraston thellë me kulturën politike mafioze të hedhjes së akuzuave tribunë më tribunë, pa i dërguar kurrë për hetim dhe ballafaqim në organin e ngarkuar me ligj për të hetuar.
Hetimet e deritanishme të prokurorisë dhe vendimet e gjykatës për masën e arrestit ndaj personave të akuzuar , tregojnë se në rastin e naftës “Virgjinia”, ish- ministri Dritan Prifiti ka denoncuar një vjedhje kolosale, që i ka sjellë dëmë të mëdha buxhetit të shtetit dhe përdoruesve të automjeteve.
Publiku ka mësuar se kompanitë nën akzuë e merrnin naftën bruto nga “Armo” , bënin sikur e eksportonin me levizje false dokumentash e anijesh, pastaj ua shisnin qytetarëve shqiptarë si naftë të mirë në pikat e tregtimit të karburanteve.
Merrnin edhe kompensimin e taksës së vlerës së shtuar nga shteti gjoja si ekportues. Këtyre po, që u pillte gjeli. Këta po, që na kanë shitur për shumë kohë sapunin për djathë. ( Gjykata duhet të vendosë a duhet të kthehet në buxhetin e shtetit kjo taksë e rimbusuar false).
Një prej ndjesive që të krijon ky megamashtrim dhe megakorrupsion është pak a shumë ajo që provon njeriu pasi ka kaluar pa e ditur përtej një rreziku të madh, që zbulohet nga një rrethanë e rastit.
Pse dridhërohemi në bregun e një ure që shembet, pasi kemi kaluar mbi të? Pse reqethemi kur shohim shpërthimin e një mine në fushën ku kemi kaluar më parë? Është para së gjithash ndjenja e pasigurisë që na pushton.
Rreziku i zbuluar nga një rrethane e rastit nuk është kurrë një rrezik i kaluar, i lënë prapa. Ai rrezik përgjon në çdo hap të jetës sonë. Kjo është ndjesia e megakorrupsionit të “Virgjinias”. Ky mashtrim nuk mund të fshihej si gjilpëra në kashtë.
Nuk mund të ndodhte pa përfshirjen dhe dijeninë e një numri të madh njerëzish. Nuk mund të realizohej pa “vullnetin” dhe “miratimin” e heshtur të Inspektoriatit të Karburanteve, te strukturës së krimit ekonomik në policinë e shtetit, të drejtorisë së Doganave dhe Tatim-Taksave…
Janë një ushtri me zyrtarë dhe nëpunës që taksapaguesit shqiptarë i paguajnë për të kontrolluar cilësinë e karburanteve, për të penguar vjedhjet dhe korrupsionin me karburantet, për të taksuar karburantet, për të mbrojtur konsumatorët…E të tjera e të tjera.
Si është e mundur që nuk është ndjerë kush, që kanë kapitulluar të gjithë, që kanë bërë sikur nuk po shohin e nuk po kuptojnë , që janë frikësuar , që janë korruptuar! Kjo që ka ndodhur është shprehje e degradimit të skajshëm të shërbimit publik dhe e një tëhujëzimi të skajshëm të nëpunësve apo zyrtarëve të shtetit me shtetin e tyre.
Të duket se askush nuk bën detyrën dhe të gjithë kanë vetën një hall: si të marrin rrogën dhe ndonjë përfitim shtesë, pa për sherbimin publik kush po pyet më. Në fakt kjo është pasoja që prodhon vendosja e shtetit politik mbi shtetin ligjor, vendosja e interesave të një klani qeveritar mbi interesat e publikut të gjerë. Hipokrizi në një anë, korrupsion dhe abuzime në anën tjetër.
Kur zoti Prifti publikoi për herë të parë denoncimet e tij për naftën “Virgjinia”, drejtori i Përgjithshëm i Doganave e mohoi faqe gjithë botës. Drejtues të tjerë të institucioneve të kapura folën për “çmendurinë” e Dritanit. Por jo në kuptimin që po flas unë në këtë shkrim.
Sot të gjithë ne pyesim: Si do ta merrnim vesh këtë që ka ndodhur me naftën “Virgjinia” po të mos “çmendej” Dritani? Deputeti Dritan Prifti mund ta kishte mbajtur për vete informacionin që depozitoi në Prokurori dhe publiku nuk do ta kishte marrë vesh se ai e kishte atë informacion.
Unë nuk jam i interesuar të mësoj apo të zhbiroj në motivet që e shtynë këtë deputet t’i drejtohej prokurorisë dhe publikut për naftën “Virgjinia”, për vidion “Meta” e tjerë. Si ish ministër, si deputet dhe si qytetar ai ka përmbushur një detyrë, ka kryer një shërbim.
“Puritanistët” e shtirur apo edhe të pashtirur janë të prirur ta zvogëlojnë aktin e tij, duke nënvizuar faktin se prokuropria po e heton edhe atë vetë për pjesëmarrje në korrupsion pasiv. Është e vertetë. Dritan Prifti duhet të hetohet edhe për deklarimin e pasurisë, nëse nuk është hetuar ende nga Inspektorati përkatës.
E vërteta është se ai ka hyrë në këtë betejë duke dalë hapur në fushën e përballjeve me ligjin, me politikën, me kundërshtarët. Tani është edhe pa imunitet. Nuk mund ta di a do të dalë gjë kundër tij apo jo.
Edhe po t’i dalë ndonjë gjë, problemi se kush duhet t’i denoncojë abuzimet, korrupsionin apo krimet është plotësisht pa kuptim. Kushdo duhet t’i denoncojë. Ne nuk jemi një shoqëri engjejsh. “Engjejt”, po të ekzistojnë, nuk mund ta luftojnë korrupsionin për një arsye praktike. Ata nuk kanë akses në sistemin e mbyllur te krimit dhe janë të fundit që marrin vesh ndonjë gjë.
Prandaj qeveritë dhe parlamentet e angazhuara serjozisht në luftën kundër korrupsionit, mafias dhe krimit të organizuar kanë shkuar deri te “statusi i të pënduarve” për bashkëpunëtorët në këtë luftë. Që do të thotë se denoncimet kundër së keqes janë të mirëpritura edhe kur bëhën nga ata që kanë bërë vetë keq.
Duke thënë këto, është e detyrueshme nga ana ime të përsëris se Dritan Prifti, edhe pse nën hetim, nuk është i dënuar, por është një deputet i Kuvendit të Shqipërisë, që ka hapur në nivel institucional, si akush tjetër para tij, një betejë me korrupsionin dhe kapjen e shtetit. Është “i çmendur”? Është “i keq”. Nuk më intereson. Di të them se guximtarë të tillë e bëjnë më të pastër vendin dhe më të respektuart ligjin.