Po me Rudinën çfarë pate?

0
66

Anila Basha

Dëgjova kryeministrin para deputetëve të tij. U mor me Ramën, Klosin dhe me Rudi Xhungën. Me Ramën, ok, merret se i takon të merret. Me Klosin, bën gabim që merret pas vdekjes, sepse është shumë vonë për të bërë një përmbledhje të mënyrës sesi kryeministri ka pas menduar njëherë e një kohë për të. Po me kolegen tonë gazetare çfarë pati? Nuk guxoja ta shihja në sy, ndaj mendova t’i telefonoja në numrin e tij të telefonit.
Unë – Alo zoti Kryeministër.
Ai – Po.

Unë – Po si more zoti Berisha nuk të kurseu goja as sharjet dhe fyerjet në adresë të një gazetareje? Mund të mos ju pëlqejë Rudina. Keni zgjedhur të mos i shihni emisionet e saj, por sikurse ju dini ta bëni mjeshtërisht shumë mirë, me fjalën tuaj përpara burrave dhe grave të kuvendit, përfolët edhe atë. U habita se para shumë kohësh keni deklaruar se jeni totalisht në mbështetje të medias së lirë. Madje e bëtë këtë përpara komisionerit Fyle gjatë vizitës së tij të 3 majit në Tiranë. Të ish për Ju, ndoshta s’do e kishit thënë fare, por ç’t’i bënit Fyles.

Sepse as Brukseli nuk e pranon dot faktin që liria e medias në Shqipëri ka zbritur brenda vitit 5 shkallë më poshtë. Nuk e di nëse vërtet ju ka tmerruar fjalimi i Rudinës në varrimin e Ardian Klosit, por edhe sikur kjo të ishte e vërtetë, për hatër të deklaratave që keni bërë para shumë kohësh, këtë duhet ta kishit kursyer. Në fakt mund të na shani të gjithëve. Kanë mbetur fare pak media opozitare dhe nëpërmjet këtyre mënyrave kërkoni edhe t’i intimidoni.

Sepse jemi në një terren gazetaresk ku për disa kompani mediatike rrogat e gazetarëve paguhen me kamiona kromi pa letra, apo në disa të tjera paratë e buxhetit mbulojnë detyrimet e padeklaruara në shtet…Të gjitha ju bëjnë fresk nga mëngjesi në darkë. Por media opozitare, e pavarur, profesionale, kritike ndaj jush dhe ndaj vendimeve të qeverisë aty ku ka abuzime, do të vazhdojë. Dhe jo sepse ky është qëllim në vetvete për këto media. Por sepse, kështu do të përpiqemi të forcojmë demokracinë në Shqipëri. Në fakt, ju nuk keni sharë Rudinën, inatin e keni me gjithë median që nuk ju lë rehat.