Po fryn era e zgjedhjeve të parakohshme

0
55

Natasha Lako

Kur flasim sot për konfliktet dhe kundërthëniet që shkaktojnë krizë politike, nuk jemi më as në kohën e parlamentit të Ypit, që rrethonte në vitin 1923 opozitën e Nolit dhe të Gurakuqit, as në vitin 1936 kur mbylleshin të gjitha gazetat dhe revistat që flisnin për grevën e bukës, as në vitin 1946 kur eliminohej opozita shqiptare e pas Luftës së Dytë Botërore, as në vitin 1956 kur rrënohej nëpër konferenca partie çdo lloj qëndrimi liberal dhe zbutës, as në vitin 1991 kur filluan grevat e studentëve dhe të Valiasit, që ndikuan në përshpejtimin e ndryshimeve dhe kthesave vendimtare.

Plot indiferencë apo vitalitet, plot dyshime për jetën politike, apo plot shpresa për të përmirësuar jetën e familjeve të tyre, shqiptarët e vitit 2010 sot bëjnë pjesë në aleancën e madhe të NATO-s dhe kanë të drejtë të flasin edhe për zgjedhje të parakohshme, si në të gjitha vendet më demokratike të botës. Megjithatë kjo kërkese nuk është artikuluar ende qoftë nga opozita shqiptare, qoftë si një rrugë tjetër kompromisi e natyrshme, përderisa të gjithë korridoret e një marrëveshjeje mbi transparencën e zgjedhjeve të vitit 2009 janë krejtësisht të bllokuara.

Dikush i quan ato korridore konstitucionale, dikush i quan ato korridore të manipulimeve.
Ndërkaq, 22 parlamentarë shqiptarë, që përfaqësojnë mijëra dhe mijëra njerëz, edhe sikur të mos kishin pasur asnjë mbështetës tjetër, po shkojnë rreth tri javë në grevën e tyre të urisë, pa lëkundur asnjë qëndrim të pozitës në pushtet.

Duket sikur po vazhdon një ndeshje e madhe nervash dhe pushteti, ku 50% e popullsisë qëndron e patundshme përballë 50% tjetër të popullsisë, të paktën si e kanë përcaktuar deri tani zyrtarisht zgjedhjet e një sistemi proporcional rajonal.

Është hera e parë në historinë shqiptare që vendoset të paktën zyrtarisht një ekuilibër, të cilin bota politike është e paaftë ta menaxhojë. Dhe kjo nuk është një gjë e lehtë, përderisa vijmë nga një shoqëri ku votat ishin diçka e panumërueshme dhe ku rezultatet shpalleshin mbi 96%, siç ndodhi edhe në zgjedhjet e vitit 1986, pas vdekjes së diktatorit, kur kolumnistët e një bote perëndimore kureshtare shpallën termin Tirana Indeks për të gjitha vullnetet totalitare botërore. Pjesëtarët e grevës së urisë nuk kanë kohë dhe fuqi për t’i shënuar edhe njëherë këto memo historike.

As bota e normalitetit të përditshëm pas një vuajtjeje kaq të gjatë demokratike nuk i artikulon dot kërkesat për zgjedhje të parakohshme, as tezat e tjera të demokracisë së brishtë shqiptare. Por në vitin 2010 nuk bëhet fjalë vetëm për ëndrrat e doganierëve dhe tatimorëve shqiptarë që kërkojnë stabilitet të vendit të tyre të punës, përfshi këtu edhe faturisten e dritave, më të lumturën anëtare të çdo partie që vjen në fuqi dhe që shpreson të përfshihet në elitën politike të së ardhmes.

Nuk bëhet fjalë as për të paralizuarit e spitaleve, që nuk kanë forcë të ngrihen më këmbë, as për energjitë e atyre që kërkojnë për të gjithë të tjerët një mendje të vdekur. Nuk bëhet fjalë madje as për zonjën Doris Pak, e cila gjendet në telashet e krizës europiane dhe Eurozonës, ose mungesës së fondeve për vëzhguesit e saj të ardhshëm, ose nuk e ka vënë ende mbi tryezë planin e saj të veprimit.

Këtu bëhet fjalë për një vend ku njerëzit fatmirësisht e ndjejnë vitalitetin e tyre dhe ku ekonomia e tregut fatkeqësisht nuk ka lindur si në vendet e tjera perëndimore në mënyrë të vetvetishme dhe ku, sipas Hayek, një prej teoricienëve të demokracisë liberale, “jetojmë më shumë në një rend të organizuar, se sa në një rend të vetvetishëm, dhe si pasojë gjendemi gjithnjë përpara rrezikut të një hapësire totalitare, që vihet në shërbim të ndonjë koalicioni interesash të organizuara”.

Sigurisht që këtë e di mirë edhe zoti Sali Berisha, udhëheqësi i opozitës së parë shqiptare, edhe shumica e njerëzve të grupuar në grevën e urisë pothuajse prej tri javësh të plota, dhe që po vazhdon të blasfemohet jo vetëm nga politika, por si askush në botë edhe nga njerëz të shpallur në listat e elitës shqiptare.

Një pozitë normale dhe e qetë duhej ta falënderonte opozitën shqiptare për këtë shqetësim universal, që besoj se është A.B.C-ja e mësimeve të para universitare të shkencave politike, dhe jo guva ku synojnë të përgatiten jeniçerët e rinj të jetës politike.

Ndërkohë edhe opozita shqiptare ka shumë për ta falënderuar pozitën në fuqi, pasi kjo forcë nëpërmjet patosit të vet voluntarist dhe subjektiv, vërtet ngatërron taktikisht qëndrimin ndaj komunizmit shqiptar me opozitën e sotme, por ka dhënë një kontribut të madh në rinovimin dhe vitalitetin e një partie socialiste, që ka pasur forcë të kapërcejë të kaluarën e rëndë, por që faktikisht sot me transparencën e zgjedhjeve po i sjell Shqipërisë një etapë të re demokratike, aq të nevojshme për integrimin europian. Pasi dihet që e drejta kalon gjithnjë në anën tjetër, sa herë që kjo është më se e nevojshme, aq më tepër kur ajo është një e drejtë konkrete ose e institucionalizuar.

Është e natyrshme që njerëzit e këtij vendi të mbajnë qëndrime të ndryshme karshi vullnetit të njerëzve që janë futur në një grevë urie. Por askush nuk mund të mbajë qëndrime të kundërta për çështjen më të ndjeshme të demokracisë.

Ka njerëz që po presin lodhjen e opozitës dhe mbylljen e grevës së urisë, pa e ditur që po të ndodhë kjo, Shqipëria nuk do të jetë më e para. Ose shqiptarët do të tregojnë se të gjithë së bashku i ka marrë malli për diktaturën, ose Shqipëria do të shkojë drejt mirëkuptimit të demokracisë. Dhe në rast se pritet shansi i fundit, për të mirën e një grupi të ngushtë njerëzish dhe interesash që përpiqen ta konsiderojnë opozitën si aneksin e kuzhinave të apartamenteve të dikurshme pseudomoderne komuniste, kjo ka për të qenë edhe falimentimi i shoqërisë shqiptare përpara vendeve demokratike europiane dhe euroatlantike.

Në fund të tetorit dhe fillimit të nëntorit të vitit 1992, para se si përfaqësuese e Parlamentit t’i kisha dhënë 1 të 73-tën e pushtetit presidencial zotit Sali Berisha, nëpër korridoret e Shtëpisë së Bardhë kam marrë leksionet e para të veprimit dhe hapësirës demokratike. Kam hyrë atje kur personalitetet më të larta të politikës amerikane po prisnin Presidentin e porsazgjedhur, Aristid, që ishte larguar nga Haiti, dhe të cilit të djathtët ia kishin mohuar fitoren e zgjedhjeve. Dhe ashtu mësova edhe njëherë para syve se çfarë domethënie kishte për të gjithë botën e përparuar transformimi i pushtetit prej sovranëve absolutë, drejt sovranitetit të popullit. Aso kohe nuk më shkonte mendja se shumë shpejt dhe për një kohë të gjatë Shqipëria do të renditej në shumë të dhëna pranë vendeve si Haiti, ose Filipinet dhe gjithë vendeve të tjera me demokraci të brishtë, ose aq më keq false.

Atyre që nuk e mbajnë mend se kam punuar për forcimin e jetës parlamentare shqiptare, mund t’ju them se për të forcuar një ekuilibër të ri dhe një marrëveshje të madhe midis shqiptarëve pas një sëmundjeje të rëndë të shoqërisë, kam ndikuar e para në sallën parlamentare për ligjin e parë të departizimit dhe depolitizimit. Por kjo nuk i përket së kaluarës, por së sotmes, që kërkon marrëveshje dhe mirëkuptime edhe më të mëdha, pasi asnjë marrëveshje dhe mirëkuptim nuk mund të kërkohet vetëm nga një palë e vetme, paçka se janë të njohura vendet dhe kohërat kur artistët dhe shkrimtarët bëhen gjithnjë njësh me pushtetet. Mund të flas këtu edhe për skena të tjera sublime, të ngjashme të paktën për rëndësinë e jetës njerëzore me ato të opozitës së sotme shqiptare, por që i takojnë opozitës së parë demokratike të fillimit të viteve ‘90.

Ishte koha kur në të gjithë Shqipërinë po fillonin të organizoheshin antimitigjet e para dhe ishte rreziku i konfrontimeve. Në një natë të nxehtë shkurti, pas rrëzimit të monumentit të diktatorit, gjatë një pushimi midis seancave të mesnatës, kur në godinën e parlamentit përveç meje, Sali Berishës, Fatos Nanos dhe ca simpatizantëve të tij, nuk kishte asnjë njeri tjetër, një i afërmi im më njoftoi se grupet enveriste po marshonin drejt Tiranës.

Si tani e mbaj mend atë skenë ku Zoti Berisha kërkoi ta verifikojë këtë lajm me telefon me degën e PD-së së Lushnjës dhe të Fierit. Shumë të rinj të sotëm, ndonjë edhe në grevën e urisë, nuk kishin lindur në atë kohë të nderë, por unë kam dëshirë që deri sot të transmetoj trimërinë dhe inteligjencën e udhëheqësit të parë të opozitës më të re shqiptare përballë Fatos Nanos, me synim të shmangies së konfrontimeve dhe aventurave që sot tingëllojnë si Don Kishoteske.

Nuk po flas për zgjedhjet e vitit 2005, ku kam parë nga afër se si falsifikoheshin madje edhe firmat e kandidatëve, vetëm e vetëm nga sistemi i thellë i dyshimeve dhe mungesa e besimit.

Populizmi shqiptar filloi të fitojë terren si në të gjitha vendet e varfra dhe të prapambetura. Ai është mjaft i volitshme për t’u instaluar atje ku në vend të veprimeve të ftohta të institucioneve vendosen lidhje të drejtpërdrejta emocionale dhe manipuluese. Përgjigje e këtij populizmi është edhe gradacioni i kësaj greve të re urie. Por ajo tregon se shtresa të reja shqiptarësh dhe shqiptaresh kanë nevojë të dëgjohen më tepër në konceptet e tyre të lirisë dhe të transparencës, në të drejtën e çdo qytetari të këtij vendi, i cili sigurisht përballon kontradiktat e veta.

Situata ka precipituar kaq tepër, sa sot partia që përballoi kundërmitingjet e djeshme, organizon antimitingje në ditën e Një Majit, ndonëse e di mjaft mirë se këtë datë e kanë përdorur për të mobilizuar njerëz rreth vetes liderit më të rrezikshëm të këtij planeti. Por le ta quajmë edhe këtë moment tashmë të kapërcyer. Megjithatë, çdo ditë shteti dhe pushteti vazhdon ta quajë të rrezikshme për të ardhmen e Shqipërisë, madje edhe për integrimin, gra dhe vajza fisnike të respektuara, më tepër se kush prej mandatit të fituar, paçka se njerëzit mund të kenë dhe mund të ndajnë pikëpamje, qëndrime dhe interesa të ndryshme. Ka njerëz që vetëm rikujtimi i zgjedhjeve ju kujton shpenzime të një luksi të shfrenuar, që si çdo luks, i kthen në përdorime jashtëzakonisht të rralla.

Ka njerëz që janë të lodhur nga fjalët për demokracinë që kërkon vepra dhe veprim. Ka njerëz që nuk duan t’ia dinë që integrimi i parë europian fillon nga marrëveshja dhe mirëkuptimi për zgjedhjet. Ka njerëz që nuk e kuptojnë se populizmi shqiptar dhe greva e re e urisë krijojnë të gjithë simbiozën e shoqërisë së sotme, mes dy palëve që jetojnë së bashku me njëra-tjetrën në një kundërshti të tepruar nga ana e një pushteti të shpallur legjitim.

Ka njerëz që kërkojnë të arrijnë me vonesë nga viti 1990 në vitin 2010, për shkak të shtypjes që sjell prapambetja e thellë demokratike dhe civile e shoqërisë shqiptare. Ka njerëz që ushqehen dhe manipulohen nga prapambetja historike dhe përfytyrime variabël mbi gruan që gjithkund të kujton kornizat e kanuneve dhe të ngujimeve të tyre, ka njerëz që u prishet komforti nga lëvizja dhe energjia e ndryshimit, të cilin PD e ka në rrënjë të saj.

Ka njerëz që qëndrojnë vigjilentë ndaj çdo veprimi të pozitës. Ka njerëz që nuk dëshirojnë ta vrasin mendjen madje edhe brenda opozitës shqiptare, përse rezultatet e zgjedhjeve u shpallën me aq vonesë, sa nuk ndodh as në Sri Lanke e as në Nigeri, dhe përse exit pollet ishin ca skeçe që ia kalonin “Portokalli”-së. Ka njerëz që mund të pyesin përse unë po shtroj edhe këto pyetje, kur mund të qëndroja e qetë në shtëpi dhe çfarë pasoja do të kem nga ushtrimi i së drejtës sime të profesionit, që më është privuar për një kohë të gjatë nga diktatura e djeshme.

Vetëm në një vend të tillë, opinionistë, gazetarë, përfaqësues të shoqërisë civile, e kanë më të lehtë t’i sulen një opozite, se sa t’i kërkojnë llogari të zakonshme apo të jashtëzakonshme si në rastin e grevës së urisë qeverisjes, apo gjykimit elektoral, ku e shkruar e zeza mbi të bardhë kanë mbetur të shkruara ca ligje të këtij vendi, që me sa duket nuk di t’i lexojë kush. Do të doja t’i pyesja këta njerëz se çfarë të mire do të kishte një vend, nga poshtërimi dhe nënshtrimi (i pamundshëm)i një opozite pas një greve kaq të fuqishme dhe të mbështetur dhe sa i mundshëm është kthimi i tyre në Parlament në rast se PD-ja nuk i përgjigjet një kompromisi.

Sa më tepër të blasfemohen gratë dhe vajzat e shkolluara parlamentare, si dhe grevistët e moshave të reja që kanë hyrë në grevën e urisë, aq më tepër në koshiencën e pushtetit është afruar mundësia e zgjedhjeve të parakohshme.

Këtë e tregojnë dhjetëra dhe dhjetëra emra që deklarohen publikisht si në një votim të hapur. Ndërkaq, greva e urisë rëndon jetët e dhjetëra dhe dhjetëra njerëzve. Më kujtohet përsëri greva e urisë së minatorëve të Valiasit dhe fyerja e madhe e sedrës njerëzore të njerëzve të vendosur që kuptonin me dhimbje të madhe se qeveria e tyre mund t’i braktiste njëherë e përgjithmonë. Sigurisht tashmë nuk jemi në vitin 1992. As në vitin 1996, pasi njerëzit kanë fituar një përvojë të madhe.

Por në fakt, në të gjithë Shqipërinë votimi i hapur vazhdon, pjesëmarrësit nuk kanë të mbaruar dhe ngjarjet do të precipitojnë edhe më tepër, deri në farsa dhe tragjedi, që do të cenojnë gjithnjë e më tepër krenarinë, dinjitetin dhe personalitetin e shqiptarëve, dhe pse jo edhe jetën e një grupi njerëzish që nuk kanë ditur çfarë rruge të zgjedhin tjetër. Sigurisht që në këtë vend ka pasur dhe do të ketë njerëz që do të vazhdojnë të jetojnë gjithnjë duke mallkuar opozitat përkatëse, ose duke pritur se çfarë do të thonë më në fund të huajt.

Por që një ish-deputete e Parlamentit të parë demokratik shqiptar të pranojë këtë lloj degradimi të demokracisë së brishtë shqiptare, është e pamundur. Por unë nuk jam Bertina e “Big Brother”, të cilën e dua shumë, që të flas në vetën e tretë. Ky njeri jam unë, që dua njësoj vajzat e bukura shqiptare që kanë hyrë në grevën e urisë dhe deputetet e tjera të Parlamentit shqiptar që mendojnë se jo për faj të tyre, Parlamenti shqiptar do të vazhdojë të funksionojë qetësisht edhe sikur greva të pushojë, sikur të mos ketë ekzistuar kurrë.

Kompromisi sigurisht që është i nevojshëm dhe ka filluar të artikulohet, përderisa zgjedhjet e parakohshme kanë filluar, këtë herë jo me fletë votimi, por me mitingje dhe me kundërmitingje. Madje edhe numërimi i pjesëmarrësve dhe konkurrenca mes tyre, të kujton numërimin e votave.

Periudha e zgjedhjeve të parakohshme po troket te dera, përderisa nuk po pranohet asnjë rrugëzgjidhje dhe asnjë kompromis tjetër. Fatkeqësia është se shumë shqiptarë kanë parapëlqyer që të mos ta respektojnë fare votimin e fshehtë, por me hov apo me këngë, kantata apo “reality show” nga një anë dhe nga ana tjetër me dramaticitetin më të lartë njerëzor, po tregojnë vullnetin e tyre në një katrahurë të re demokratike. Pasi të dyja palët nuk janë të barabarta, ose nuk respektohen njësoj.

Në këto kushte, respektimi i Kushtetutës në rast se cenohet nga kërkesat e deritanishme të opozitës, mund të çojë vërtet në zgjedhje të reja.

Sa për veten time, i falënderoj të gjithë deklaruesit e deri sotëm, që me deklaratat e tyre të hapura dhe votimin e tyre të hapur, njësoj si në kohën kur nuk përdoreshin fare kabinat e fshehta, për të shpëtuar degradimin e mëtejshëm të zgjedhjeve, po kontribuojnë drejt zgjedhjeve të parakohshme, të thjeshta dhe të qeta, të cilat po i provokojnë pa e ditur as vetë, por që mund t’i kenë thellë-thellë në zemër.