Pluralizmi i munguar

0
64


Nga: AFRIM KRASNIQI

TIRANE – 20 vjet më parë në Shqipëri u rivendos pluralizmi politik. Me një model minor demokracie të referueshme (vitet 1920-23) pjesa tjetër e historisë gati 80 vjecare u dominua nga regjime personale autoritare. Kjo e bën pluralizmin e pas viteve 90, dekadat e para në sistem demokratik. 20 vjet më parë shpresa për një Shqipëri europiane u bë lajmotivi i pluralizmit politik, në kundërshtim me tezën e regjimit në ikje se kjo ishte një ide e gabuar për realitetin shqiptar.

Dy dekada janë pak për një popull pa traditë demokracie, dhe njëherësh janë shumë për një popull të uritur për liri. Në aspektin formal sistemi politik i këtyre viteve ka pësuar shumë ndryshime. Nga një parti – shtet sot kemi 73 parti politike, 6 prej tyre përfaqëson në parlament, 10 përfaqësohen në qeverinë qëndrore, 23 përfaqësohen në organet e qeverisjes vendore.

Askush nuk detyrohet të hyjë me forcë në një parti ose të dalë prej saj, askush nuk dënohet ose ndërshkohet për mendimet e tij politike, media krijon hapësirë shprehjeje dhe kushdo mund të bëjë greva, protesta, peticione etj, pa frikën e ndërshkimit personal e familjar. Çdo dy vjet zhvillojmë zgjedhje (parlamentare e lokale), kemi parlament dhe qeveri, votojmë për president dhe bashki, kemi bërë referendum dhe kemi kushtetutë.

Ky bilanc skematik jep përshtypjen se pluralizmi në Shqipëri është funksional dhe nëse do të ishte kështu, shqiptarët kanë arsye ta festojnë me shampanjë 20 vjetorin e pluralizmit. Një analizë tjetër, më në brendësi, cfarë ofron pluralizmi i sotëm dhe sa real është ai në raport me pluralizmin funksional perëndimor, jep një konkluzion tjetër. Raportet ndërkombëtare (i fundit ai ni BE-së) theksojnë se Shqipëria nuk ka përmbushur kriteret e Kopenhagenit, nuk ka mature politike, nuk ka demokraci funksionale dhe se shanset e saj për në BE janë ende minimale.

Brenda vendit një sondazh i besueshëm mbi ecjen 20 vjecare arriti në përfundimin se shumica e shqiptarëve janë të pakënaqur me tranzicionin, se shumica absolute e tyre e konsiderojnë politikën biznesin kryesor dhe vetë politikanët si njerëz mbi ligjin, se pritjet e mëdha janë shoqëruar me zhgënjime të mëdha dhe se përgjegjëse për dështimet është vetë klasa drejtuese politike në vite.

Mjaftojnë këto dy konkluzione (ndërkombëtare dhe shqiptare) për të arritur në konkluzionin se më 1990 shqiptarët fituan pluralizmin politik, por pas 20 vjetësh ende nuk kanë fituar demokracinë funksionale. Numri plural i partive konkurruese është një gjë, por të kesh parti politike modern, vizionare, programore e demokratike është një gjë tjetër. Pas 20 vitesh Shqipëria ka parti, por ato janë shumë më pak demokratike, shumë më pak konkurruese, shumë më pak alternative, shumë më pak programore dhe shumë më pak idealiste e motivuese sesa në vitet e para të demokracisë.

Të sundosh në emër të shumicës, të bllokosh në emër të minorancës, të aplikosh demokracinë e kartonave, të ruash apo të marrësh pushtetin përmes manipulimit, të krijosh rrjet oligark mbi institucionet publike dhe ta trajtosh paranë publike si një mall pa zot, asnjë nga këto nuk ka lidhje me parimet e demokracisë, mbi të cilat bazohet pluralizmi funksional politik. Të krijosh institucione dhe të hartosh kushtetutë demokratike është një gjë, por të pranosh në praktikë parimet kushtetuese, pavarësinë e institucioneve dhe ndarjen e balancën e pushteteve është një gjë tjetër. Të bësh zgjedhje periodike nuk mjafton.

Ato duhet të jenë zgjidhje për problemet, të kenë alternativë, të kenë produkt legjitim, të pranohen, të sjellin zhvillim e stabilitet, të bëhen nxitëse dhe jo pengesë e proceseve integruese. Zgjedhjet në Shqipëri kanë qenë një histori dështimi, dhe kur themeli i demokracisë bazohet mbi dështimin, produkti i tyre lehtësisht është i brishtë. Pas 20 vjetësh ne kemi demokraci mendimi, por ende nuk kemi demokraci funksionale. Fjala e thënë hapur nuk ka vlerë dhe shoqëria vepron si një rreth i mbyllur.

Politika, biznesi, media, shoqëria civile e cdo segment tjetër i shoqërisë veprojnë si monopol në duart e pak njerëzve, publiku nuk ka mekanizma për mbrojtjen e interesave të tij. Jeta politike vuan nga pushteti ekstra kushtetues i partive dhe liderëve politikë të radhës, nuk ka ende konkurrencë të pranuar në parti dhe jashtë tyre, në elektorat; nuk ka ende sistem karriere profesional dhe garë idesh, nuk ka ende institucione të besueshme e funksionale që japin drejtësi dhe mbrojnë sistemin kushtetues, ne ende kemi lider të fortë, parti të forta, por nuk kemi institucione të forta. Çfarë duhet të ndodhë që pluralizmi politik të jetë funksional? Ideale do të ishte vetë ndërgjegjësimi i liderëve dhe aktorëve vendimmarrës, gjë që mbetet utopi.

Mekanizmi i dytë do të ishte presioni brenda partive për zgjedhje e konkurrim vlerash, gjë që në PD, PS, LSI e parti të tjera nuk pritet të ndodhë. Formë demokratike mund të jetë detyrimi i partive për zgjedhje 1 anëtar – 1 votë, por një nismë e tillë e marrë nga Instituti Demokratik Amerikan nuk dha sukses. Mjet nxitës mund të jetë ndryshimi i sistemit zgjedhor për të krijuar më shumë shanse për parti të reja (psh Kosova suksesi me Vetvendosjen), kalimi në votimin me lista të hapura (e kanë 12 vende europiane), apo edhe më tej, kalimi në zgjedhje direkte të Presidentit, të deputetëve etj.

Në sistemin kushtetues zgjidhje afatgjatë mund të jetë kalimi në sistemin me dy dhoma parlamentare, një senat që kontrollon dhe garanton stabilitetin demokratik apo liberalizimi i vendimmarrjes përmes demokracisë direkte (referendumeve). Në aspektin shoqëror mjet ndihmës mund të jetë presioni pozitiv i grupeve civile për transparencë financiare e politike të partive, zgjerim të kontrollit demokratik dhe llogaridhënies së institucioneve apo për lëvizje qytetare kundër cdo forme abuzimi të politikës me ligjin dhe pasuritë publike.

Natyrisht që nuk ka zgjidhje mekanike, cdo zgjidhje kërkon kohë, energji, vullnet dhe përkushtim, ndaj edhe secila prej tyre më vete ose të gjitha së bashku mund të jenë rruga e vetme për të ndryshuar gjendjen parademokratike të politikës shqiptare. 20 vjetori i pluralizmit nuk mjafton të kujtohet me fjalë, fjalime apo koncerte. Ai duhej të ishte një moment bilanci e reflektimi për gjerat që u bënë mirë, për ato që u bënë keq dhe për ato që duhen bërë në 20 vitet e ardhshme, në mënyrë që pluralizmin të mos e trajtojmë si një dukuri negative por ashtu sic duhet të jetë, një pasuri e madhe kombëtare.

(G.SH/BalkanWeb)