Plagoset kryeinspektori. Kreu i PS-së, Rama:U sulmua se zbatoi ligjin

0
59


Shekulli Online, 04.04.2011

Një ditë pas konfliktit me simpatizantë të LSI-së për çështjen e flamujve, plagoset me armë drejtori i Inspektoriatit Ndërtimor në Bashkinë e Tiranës, Ardit Kaja. Dy persona të armatosur, pasi kanë qëlluar mbi Kajën janë larguar me motor. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të Bashkisë së Tiranës, ndërkohë që Kaja po parkonte automjetin e tij tip fuoristradë. Mësohet se personat me kaska në kokë kanë qëlluar Kajën nga krahu i pasagjerit, duke e plagosur në kofshën e majtë.

Kaja është dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Mjekët janë shprehur se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen. Mësohet se pista kryesore mbetet konflikti i djeshëm, por ndërkohë nuk përjashtohen edhe përplasje të mëparshme, për shkak të vetë pozicionit të të plagosurit.

Kaja është ish deputet i PS-së, pasi ai u zgjodh deputet në zgjedhje të pjesshme për zonën 19 në Bulqizë, pas dorëzimit të mandatit nga ana e deputetit Ismail Lleshi me 15 qershor 2002. Kaja fitoi zgjedhjet e pjesshme duke u bërë deputet me 2 shtator 2002. Ai ishte kandidat për deputet edhe në zgjedhjet e vitit 2005 në zonën 20 në Bulqizë, por nuk arriti të fitojë. Kaja u emërua në postin e drejtorit të Inspektoriatit Ndërtimor duke zëvendësuar Afrim Qendron, në janar të vitit 2010-të.

Rama: U sulmua një punëtor që zbatoi ligjet
Ndërkohë në spitalin Ushtarak të Tiranës kanë mbërritur Kryetari i Partisë Socialiste dhe Kryetar i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, Kryetari i grupit parlamentar për PS-së, Gramoz Ruçi dhe deputet të tjerë të socialist. Kryetari i PS-së, Rama e ka cilësuar këtë si ngjarje politike. Ai tha se është sulmuar një punëtor i shtetit për shkak se ka bërë detyrën e tij.

“Është qëlluar në mes të Tiranë një punëtorë i shtetit, i cili gjatë zbatimit të detyrës është përballur me dhunën dhe paditurinë dhe forcën e plotfuqishme që me para të vjedhura që e gjithë Shqipëria e ka parë, ka dhunuar dhe ka ndotur qytetin tonë, me flamuj në pemë në dëm të shëndeti tonë. Këto nuk shihen në asnjë qytet evropian”,- tha Rama gjatë vizitës në spitalin ushtarak. Kreu i PS-së ka shtuar se forca e tij politike do të respektojë ligjet dhe normat e vendosura. “Në këtë rast do të nënvizojë se pavarësisht se PS nuk disponon mjetet e pallogaritshme financiare që ka pushteti i korrupsionit, ne jo vetëm që do kemi flamuj për të vendosur nëpër shtylla e pemë por asnjë postier nuk do të ngjisim jashtë vendeve të lejuar sepse qytetin e duam të pastës, sepse Shqipërinë e duam të pastër”, u shpreh kreu i PS-së.

Një ditë më parë
Incident mes militantëve të LSI-së dhe Inspektoriatit Ndërtimor dhe Policisë Bashkiake, për vendosjen e flamujve të Lëvizjes Socialiste Për Integrim, në rrugët sheshet dhe objektet e vendet publike në kryeqytet. Lëvizja e Inspektoriatit Ndërtimor, për heqjen e këtyre të fundit është kryer me argumentimin se subjektet e ndryshme politike mes tyre edhe LSI- ja, nuk kanë marrë leje për vendosjen e tyre në vendet publike.

Redaksia Online, Florenc Stafa