PLAÇKITJA E VENDIT DHE DËNGLAT MORALE

0
43

Mustafa Nano

Mustafa Nano

Zululand
Para ca kohësh, duke ndjekur një film dokumentar mbi nazizmin, më mbeti në mendje një fakt, që më trazoi në mënyrë të veçantë. Në hyrje të kampit të famshëm polak të përqendrimit, Auschwitz-it, ishte shkruar me germa të mëdha “arbeit macht frei”. U trondita kur mora vesh kuptimin e kësaj fraze në gjuhën gjermane. “Puna të bën të lirë”, donte të thoshte. “Çfarë gjetje perverse!”, mendova. “Nuk janë mjaftuar me projektin për t’i vënë në punë të detyruar (e për t’i vrarë e shfarosur më pas) hebrenjtë e kampit, por i kanë lejuar vetes të shtojnë pak tallje e përqeshje përpara se t’i kallnin në dhomat e krematoriumeve”.

Punë nazistësh? Jo, është punë e pacipësisë humane, të cilën në forma të tjera e gjen edhe gjetkë. E gjen edhe në Shqipëri. Gjatë regjimit komunist po se po (demagogjia e atij regjimi shtazarak ishte e ububushme), por edhe në periudhën që pasoi rënien e tij. Po e ilustroj.

Sipas perceptimit popullor këtejpari (ky perceptim është një gjë që preket dhe ndihet, bash si të ishte një trokitje në derë), politikanët shqiptarë janë absolutisht të korruptuar. Është vetëm e thjesht perceptim? Jo, si të gjitha perceptimet, edhe ky ngrihet mbi një këqyrje të realitetit; bëhet fjalë për një këqyrje jo metodike e jo shkencore, por për një këqyrje amá. E mbi bazën e kësaj këqyrjeje arrihet lehtësisht në përfundimin, se klasa politike shqiptare është një klikë të korruptuarish (ndonjë përjashtim bën atë që di të bëjë në rrethana të tilla: përforcon rregullin). Të zgjedhurit për ta drejtuar e qeverisur nuk kanë bërë gjë tjetër, veçse kanë bërë plaçkë me pasuritë publike të këtij vendi.

E megjithatë, ka një gjë më të ndyrë se sa kaq, dhe në këtë pikë mund të bëhet lidhja me perversitetin nazist. Këta njerëz, edhe pse mendojnë vetëm për të abuzuar me pushtetin e për të mbushur xhepat e tyre, i lejojnë vetes megjithatë (lejohen dhe prej nesh) të shtiren sikur nuk i zë gjumi prej shqetësimit publik lidhur me korrupsionin e të deklarohen si udhëheqës të betejave morale kundër korrupsionit. Mund të mjaftoheshin, dreqi ta hajë, me beteja të stisura politike kundër korrupsionit, e me ndonjë iniciativë ligjvënëse sa për sy e faqe (ndryshe, s’do mund të fshihnin gjurmët), por ata shkojnë më tutje: shesin moral e shiten si të vetmit njerëz të moralshëm të këtij vendi.

E nuk është se e bëjnë rrallë e tek këtë gjë; përkundrazi, e bëjnë ditë për ditë e gjithë ditën. Pa u skuqur e pa u zverdhur. Çfarë ironie! Sjellja e tyre prej banditi pra është një gjë e rëndë sa të duash, por ata s’e kanë për gjë edhe të na përqeshin duke na hedhur fytyrës dëngla e çaprashitje të natyrës morale. Bash si ata nazistët, që pasi i torturonin hebrenjtë me punë të detyruar, i përqeshnin me slogane të llojit “puna të bën të lirë”.