Nga Mero Baze, 9 Nëntor 2012
Kam në dorë disa shifra të frikshme. Rrethi i Kukësit paguan gjithsej vetëm 4 përqind të detyrimeve për energji elektrike, shumë nga e cila qytetarët paguajnë vetëm 1.6 përqind, ndërsa institucionet shtetërore, 2.4 për qind. Kjo është një statistikë zyrtare e CEZ, ose më mirë të themi një faturë e papaguar që kap vlerën 438 milion lek (të reja) ose afërsisht 4 milion e gjysmë dollarë. Fatura është vetëm për kabinat 100 përqind debitore, pasi nëse e llogarit në total, shifra mund të rritet ende. E gjithë kjo ka ndodhur tri vitet e fundit, pasi kompania është privatizuar dhe qeveria për nevoja politike u ka premtuar banorëve të zonës të mos paguajnë energjinë elektrike.
Një vit më parë në fushatën e zgjedhjeve lokale CEZ ishte gati të ndërpriste energjinë elektrike, por qeveria negocioi me drejtuesit e saj dhe u tolerua shtyrja e pagesës. E njëjta situatë vazhdoi të rëndohet dhe më tej këtë vit.
Dëgjova Sali Berishën sot që tha se qeveria ka mundur t’u mbledhë qytetarëve më shume para se CEZ dhe la të kuptojë qartë se qeveria është e gatshme të ribëhet pronare e CEZ. Do të ishte një lajm i mirë, por kjo histori nuk mund të mbyllet me rikthimin në shtëpi të një kompanie, e cila është përdorur si bankë private e PD dhe një biznes i partnerëve të Familjes Berisha.
Së pari, Sali Berisha duhet të hetohet personalisht si udhëheqës i këtij procesi privatizimi dhe garantues i tij, për dështimin e tij dhe humbjet e shkaktuar shtetit shqiptar. Procesi i privatizimit, i cili u shoqërua me koncesione të forta për shkak të nevojës politike që Berisha kishte me ish- qeverinë çeke të asaj periudhe. Ai i përdori favorizimet në dëm të buxhetit të shtetit shqiptar për një interes politik elektoral siç ishte fakti që kryeministri çek pranoi të bëhej gaz i botës dhe ta priste Berishën në Pragë pa pëlqimin e Brukselit me një dosje ku kërkohej statusi i vendit kandidat për në BE. Tre vite më pas ende nuk kemi marrë statusin dhe CEZ, mbi të cilin u bë pazari i kësaj ftese, po falimenton. Pra, tri vite më pas Berishës i ka skaduar dhe malli që ka shitur dhe afati i nderit që i bënë çekët. Dhe ai nuk mund ta kalojë pa lagur këtë lumë ku mbyti dhe ekonominë shqiptare dhe perspektivën evropiane të Shqipërisë.
Së dyti, Berisha e përdori gjatë këtyre tri viteve CEZ si një kompani të marrë peng dhe e ka mbajtur nën presion politik dhe financiar për ta pasur si kompani punësimi të PD-së. CEZ-it iu imponua mosndryshimi i ekipit menaxhues, që në fakt janë elektricistë nga ata që i zë korrenti, të futur në punë nga PD-ja dhe që janë “de facto” një rrjet militantësh të shpërblyer nga PD-ja pas vitit 2005. Këto struktura më shumë se sa nga çekët e CEZ, janë udhëhequr nga struktura paralele e CEZ në PD dhe kanë zbatuar të gjitha urdhrat se ku duhet të mbledhin lek dhe ku nuk duhet të mbledhin, kë biznesmen apo familjar opozitar duhet të gjobisin duke u sajuar prishje sahatesh dhe kë jo. Është në fakt një nga rrjete më mafioze dhe që i ka bërë më shumë dëm imazhit të CEZ se çdo gjë tjetër në Shqipëri. Është kjo strukturë që ka krijuar gjeografinë elektorale të mospagimit të faturave elektrike dhe po kjo strukturë që ka masakruar me fatura të fryra dhe fallco çdo biznesmen apo dyqan të biznesit të vogël ku kanë hetuar se nuk janë njerëz të afërt të qeverisë.
Së treti, Berisha e ka përdorur, ose më mirë të themi e ka përdhunuar CEZ, duke i imponuar partnerë të saj në furnizimin me sahate, energji apo materiale të tjera. Shikoni listën e partnerëve të CEZ dhe do të shikoni se e kanë të gjithë adresën e biznesit tek pallati i Sali Berishës dhe bile lidhje të forta të Familjes së tij. Dhe kjo nuk është se ka qenë ndonjë dashuri e CEZ për ta, por një imponim i dhunshëm i Berishës për ta pasur CEZ një bankë politike për nevoja të bandës së pushtetit.
Së katërti, Berisha i ka imponuar CEZ, dhe këtu ka faj dhe vet CEZ, politika elektorale dhe pastaj rritje anormale çmimesh që nuk realizonin të ardhurat për shkak të selektivitetit politiko-elektoral. Kështu CEZ hyri në pazar me Berishën në vitin 2009 për të mos bërë një rritje graduale të çmimit të energjisë për shkak të zgjedhjeve, dhe këtë nuk kishin turp dhe e pranonin të dy palët. Pas zgjedhjeve çmimi kërceu në hava, por siç rezulton, atë e paguajnë jo bastionet politike të Berishës, por pjesa tjetër e popullsisë, që duket se ka lindur të paguajë për votuesit e Berishës. E vetmja politikë elektorale e Berishës vitin që shkoi në zgjedhjet lokale të Kukësit ishte “Flamuri ju ka pagu dritat, jepini votën”. Në fakt Flamuri i Berishës i ka dhënë CEZ vetëm 4 përqind të faturës, dhe nga ky 4 përqindësh, vetëm 1.6 përqind kanë dhënë votuesit e tij. Kështu nuk ka se si të mos blesh vota, pasi i blen ato me paret që duhet të jenë në buxhetin e shtetit, duke i vjedhur ato brutalisht.
Së fundmi, Berisha ka lejuar me vetëdije piramidën financiare të krijuar në katërkëndëshin shtet – CEZ – KESH – konsumator, pasi siç shihet ai është i interesuar që kjo histori të mbyllej me faliment, pasi gërmadhat e falimentit shpreson se do mbulojnë llokmat e floririt që ai ka futur në xhepin e tij nga kjo histori piramidale, të cilën ai e ka profesion. Berisha ka lejuar CEZ të marrë energji pa lek te KESH, ka lejuar KESH të blejë shtrenjtë e të shesë lirë për interesa të Fazlliçit, ka lejuar konsumatorët të mos paguajnë CEZ politikisht dhe ka lejuar qeverinë të marrë përsipër borxhet e CEZ pasi i ka prodhuar ato me vetëdije.
I gjithë ky lëmsh borxhlinjsh i krijuar me vetëdije është thjesht vjedhje e pastër, bile vjedhja më e pastër dhe me e madhe e këtij pushteti me letra të hapura. Është e kotë të thuash se Sali Berisha duhet të kalbet në burg për këtë, pasi ka bërë shumë të tilla, por ai meriton për këtë një gjyq më special. Të dërgohet për gjykim në Kukës dhe gjyqi t’i bëhet në një sallë me gjenerator për shkak të errësirës që mendohet se duhet të shoqërojë atë qytet ku Berisha ka blerë vota me fatura të papaguara energjie. Ai duhet të përballohet me vjedhjen e tij, me krimin që ka kryer mbi ata qytetarë të mjerë dhe të varfër që i ka gënjyer duke i zhytur në borxhe dhe mjerim njësoj siç ka zhytur gjithë ekonominë shqiptare, vetëm për të pasuruar Familjen e tij dhe partnerët e saj.
Çdo histori e dështuar privatizimi në këtë vend mban shenjën e dhëmbëve të pamëshirshëm të Familjes së tij për ta grabitur pas privatizimit, ndaj dhe sot atij njësoj si në vitin 1997 nuk i ka ngelur asnjë ndërmarrje rentabël në këmbë. I ka kthyer të gjitha si Sudja, Xhaferri, Gjallica dhe VEFA. E vetmja gjë që di të bëjë mirë!