Pjetër Bogdani, i pari i Çetës së profetëve

0
44

Ndue Ukaj

Gjergj Kastrioti, Pjetër Bogdani dhe Gjergj Fishta, janë tri figura themeltare të kulturës dhe historisë shqiptare që nuk kanë varre. E këto figura, s’janë dosido figura. Ata, me veprën dhe veprimtarinë e tyre, u ngjajnë apostujve dhe misionarëve. Ndonëse jetuan në periudha të ndryshme kohore, i ndërlidh fati i tyre i pasvdekjes- mungesa e varreve. Dhe kështu përbëjnë tri shtylla qendrore që e mbajnë lartë ngrehinën kulturore e identitetin europian të shqiptarëve.

Ismail Kadare, te eseu monumental “Mosmarrëveshja” dhe te tregimi “Raporti i fshehtë” e trajton këtë çështje, duke tërhequr një paralele domethënëse, mes mungesës së varrit të heroit tonë kombëtar dhe atij të Jezu Krishtit. Kadare e përforcon filozofinë e tij sidomos te tregimi në fjalë, nëpërmjet frazës: “Zbrazëtia e varrit dëshmon shenjtërinë.”

Një shenjtëri të tillë e dëshmon edhe jeta dhe vepra Pjetër Bogdanit (1630-1689). Ky shkrimtar i shquar nga njohës të veprës së tij është vlerësuar si korife i shkencës dhe arteve shqiptare.
Në fakt, te mungesa e varreve qëndron analogjia filozofike e influencës që kanë ushtruar këto figura në jetën shpirtërore e kulturore të shqiptarëve. E dimë se krishterimi si fe, është ngritur mu në saje të mungesës së varrit të Krishtit, pra ai qëndron te ngjallja e tij. E në kulturën shqiptare, zhvarrimi i Gjergj Fishtës e sforcon mitin e martirizimit të krijuesve shqiptarë, të ngjashëm me Pjetër Bogdanin-shkruan Sabri Hamiti.

Te tri figurat e lartpërmendura, përbëjnë boshtin qendror të kulturës e identitetit shqiptar.
Në jetën e një kombi, të rralla janë ato figura të cilave u bie barra e rëndë, të kenë njëkohësisht role të shumëfishta: të jenë prijës politikë, ushtarakë, religjiozë e kulturorë. Pjetër Bogdani ynë, i traditës së Hasit, për të cilën fliste Dhimitër S. Shuteriqi e studiues të tjerë, nga elteri ku predikonte dashurinë dhe mirësinë kristiane, iu desh të ngjitej në male dhe të zbriste në fusha, për t’i bashkuar shqiptarët në një kryengritje të armatosur kundër pushtimit osman që dvarte gjuhë e kulturë. Misionari në aksion, s’mund të ndalej me kaq.

Ai përshkoi qytete e vende, për të kërkuar dije e kulturë. U bë doktor i parë i filozofisë dhe teologjisë ndër shqiptar. Mësoi për artin e kulturën, për poezinë e filozofinë, për historinë e shumë dije tjera në Itali, dhe kështu përftoi kulturë e dije, të cilat do t’i manifestoi te libri monumental, Çetën e profetëve, një vepër misionare e shëlbuese dhe do të influencojë kulturën shqiptare që nga botimi i parë me 1685 e gjer në ditët tona. Shëmbëllimin e figurës së Bogdanit e gjejmë të mishëruar te njeriu i shekullit tonë, Ibrahim Rugova. Ky i fundit, si erudit i shkëlqyer, njohës dhe studiues i veprës së Bogdanit, nga libri do të kalonte në aksion, për të shpalosur identitetin kulturor e shpirtëror të shqiptarëve dhe për t’i udhëhequr ata drejt lirisë e pavarësisë. Rugova, mësues e udhërrëfyes pati Bogdanin. I tillë është fati i kryeveprave të mëdha të njerëzimit, që frymëzojnë pareshtur kulturën dhe qytetërimin. E tillë është Çeta e Bogdanit.

Pjetër Bogdani, siç shkruan në parathënie të librit, ishte prej Gurit të Hasit të Prizrenit, ku para tij ishte ngjizur një kulturë e shkrimit dhe e rezistencës kundër turqve. Të dhënat biografike, tregojnë se nga sëmundja nuk arriti ta realizonte përpjekjen me Pikolominin për të organizuar betejën kundër osmaneve, sepse ushtria e gjeneralit austriak niset në drejtim të Shkupit, po nuk mund të hyjë në qytet, sepse e kishte marrë epidemia e murtajës, prandaj e djeg qytetin dhe kthehet prapë në Prishtinë. Në këtë kohë, Bogdani ia siguron ushtrisë së Pikolominit 6000 shqiptarë dhe bashkë me të niset për në Prizren, ku shpartallohet ushtria e Pikolominit nga sëmundja e murtajës dhe forcat turke. Me të arritur në Prizren, Bogdani sëmurët nga murtaja dhe vdes më 6 dhjetor të vitit 1689, në Prishtinë. Pas vdekjes, siç njofton nipi Gjergj Bogdani, turqit dhe tatarët trupin e tij e kanë nxjerrë nga varri dhe ua kanë hedhur qeneve në mes të piacës së Prishtinës. Këtu mbaron veprimtaria e tij tragjike dhe fillon jetën vepra e tij kulturore, si zgjatim i frymës së tij, i kujtesës dhe identitetit shëlbues që la si testament të përhershëm për ne. Më këtë akt, tatarët tentuan ta zhduknin filozofinë bogdaniane, mirëpo ajo triumfoi dhe i qëndroi stoikisht kohës së mëvonshme, kur persekutimet dhe kalvari i shqiptarëve veçsa u thellua. Megjithatë, Çeta e tij, si kulturë e ideologji s’u ndal. Ajo marshoi deri në ditët tona. U mishërua te dishepulli i ideve dhe idealeve të tij, Ibrahim Rugova, i cili, ashtu si Bogdani u shkëputë nga jeta, pa e finalizuar misionin e tij. Një shëmbëllim që na shtytë të përsiasim dhe meditojmë.

Historiografia letrare shqipe dëfton se vepra e Bogdanit pati jehonë të jashtëzakonshme kulturore dhe ndikoi fuqishëm në konsolidimin e letërsisë dhe gjuhës shqipe. Ajo njihej nga rilindësit e shumtë, si Naimi, Mjeda, Konica, etj., dhe përjetoi botime e studime kritike të shumta. Kështu u bë pjesë e pasurisë së përbashkët kulturore të gjithë shqiptarëve.
Nga relacionet e Bogdanit me vlera historiografike e letrare, kuptojmë se bredhja ishte fati i Bogdanit. Ai vazhdimisht bredhte; herë duke kërkuar vendstrehim nga persekutimi dhe ndjekja që i bënin turqit; herë për të kërkuar aleatë e miq për të organizuar kryengritje kundër pushtimit turk; herë duke kërkuar mbështetës për ta botuar librin e tij, me të cilin dëshironte të ndriçonte mendjet, në vendin ku mbizotëronte pa dija.

Mirëpo, Bogdani si apasionuar për dije e kulturë, për të shëlbuar vendin e tij përball mëkatit dhe padijes, që zgjeronin hapësira në atdheun e plandosur në mjerim, dinte se armët më të fuqishme, ishin dija e libri. Në këtë mënyrë, ai mendonte se mund të ndikonte në vetëdijesimin kulturor dhe shpirtëror të shqiptarëve të shtypur. Atëbotë, vendi i tij dergjej në një robëri të errët dhe i verbuem me dy palë mjegulla të zeza mbi faqe, që janë mëkati, e padija sepse ishte dvarë dija e urtia.

Në parathënien “Të primitë përpara letrarit”, Bogdani në formë programatike e misonarike e shpalosi filozofinë e tij për librin, konceptet themelore për dijen, religjionin, kulturën dhe përparimin, dhe ato i ndërlidhte me misionin e shenjtë të kulturës e librit, të letrarëve e doktorëve. Ai ishte në kontakt me qendrat e mëdha të kulturës, ku lulëzonte humanizmi, dija e përparimi.

Ndaj, Bogdani i bindur në nevojën që të kultivonte bukurinë e giuhesë u rrek të shkruante një vepër për Arbërinë e tij dhe kulturën tonë, një vepër që do të mbetet përmendore e lartësuar deri në piedestalin më të lartë të kulturën shqipe.
Luigj Marlekajt, njohës i shkëlqyer i veprës së Bogdanit dhe i Shqipërisë së kohës së tij në studimin e tij monografik “Pjetër Bogdani e Shqipnia e kohës se tij”, tregon se Bogdani me guximin e pashoq, u bë “ai qe nuk len këtë vend te bahet turk”- thoshin sundimtarët osman. Kjo ishte një punë kolosale e një korifeu të madh; e një njeriu të përkushtuar për ideale të larta e sublime. Ndaj, “Conues prophetarum” mbetet Çeta e kulturës shqiptare, që marshon vetëdijshëm gjer në kohën tonë.

Pjetër Bogdani, me jetën e flijuar në altarin e idealeve kombëtare, fetare e kulturore, dhe me veprimtarinë e bujshme në shërbim të atdheut, mbetet apostulli kryesor i letërsisë dhe kulturës shqipe, ndikimi i të cilit në formimin e identitetit kulturor të shqiptarëve është i pazëvendësueshëm.

Bogdani, në kohen e përndjekjeve dhe persekutimeve, kudo që fshihej, me vete merrte libra. Sepse ai ishte i mishëruar me dijen, librin dhe misionin e bariut, sipas shëmbëlltyrës së mësuesit të tij të besimit. Kështu, kulturës shqiptare i la një kryevepër kulturore, që do të bëhet monument i identitetit shqiptar.

Të dhënat e historiografisë letrare shqipe, dëshmojnë se vepra e Bogdanit ishte e njohur përgjatë gjithë fazave të zhvillimit të letërsisë shqipe. U çmua dhe vlerësua nga rilindësit, mirëpo kulmi i influencës se tij u shfaq ne platformën e kulturore e ideologjike të Ibrahim Rugovës. Ne fakt, Rugova si dishepull i Bogdanit, e ndoqi ëndrrën e Bogdanit, për ta vazhduar aty ku mbet korifeu i kulturës shqiptare: betejën politike dhe kulturore.

Koha si gjykatorja më e drejt, ka dëshmuar se Pjetër Bogdani nuk shkroi dosido vepër. Ai shkroi një kryevepër, e cila përbën bazën e letërsisë shqiptare deri te fillimi i Rilindës Kombëtare, kur do të botohet “Milosau” i De Radës, me 1836.