Nga Xhogu Ç.
Në mbledhjen e djeshme të Qeverisë, kryeministri Berisha duke iu referuar opozitës për ndryshimin e Kushtetutës së Shqipërisë u shprehu se “Kushtetuta nuk është statut partie.” Eshtë për t’u habitur të dëgjosh nga goja e një njeriu që ka bërë dhe bën çfarë do ai me Kushtetutën e më gjithë institucionet e shtetit demokratik. Mjaftojmë të kujtomë se më 9 Prill 1992 kur për herë të parë u bë President i Shqipërisë demokratike, ai mori shumë nga kompetencat që kishte kryeministri sipas Kushtetutës, dhe e la këtë të fundit, pothuajse vetëm me “teshat e trupit.”
Dhe si për ta “korrigjuar gabimin,” sapo u zgjodh Kryeministër më 8 shtator 2005, i rrëmbeu përsëri kompetencat që kishte si President, duke e lënë postin e Presidentit të Republikës sikur është “pozita e shefit të pritjes në ish-Shqipërinë Socialiste.” Eshtë një turp për të gjithë politikanët dhe, padyshim, përgjegjësi të veçantë ka edhe opozita që për interesa të ngushta partiake, kanë heshtur për këtë “marrje dhe heqje” kompetencash, që cenon shumë rëndë institucionet tonat demokratike. Një shtet demokratik, mbështetet ne tre shtylla të pavarura: pushteti ekzekutiv, pushtetit legjislativ dhe organet gjyqësore. Sikur njëra nga këto shtylla të çalojë, çalon i tërë sistemi demokratik i një vendi.
Por ç’mund të thuash për shtetin tonë ku të tëra kompetencat janë grumbulluar në dorë të Ekzekutivit, pra në dorë të një njeriu, dhe pikërisht këtij njeriu që jep leksione për Kushtetutën? Në një rast të tillë, nuk mund të flitet aspak për një shtet demokratik, por për një shoqëri ku qeveriset nga një shtet totalitar njëpartiak. Por siç duket që ne si popull ndihemi rehat me këtë lloj qeverisje, se duke ndenjur 50 vjet në një diktaturë, ne nuk kemi asnjë përvojë sesi është vërtet jeta në një shtet demokratike. Për faktin që në Shqipëri njerëz të qeverisë vjedhin e vrasin, në mes të ditës, nuk e ka fajin as pozita e as opozita, por vetë ne, populli, që pranojmë të poshtërohemi deri në këtë derexhe.
Ajo që po ndodh prej ditësh në Angli, nisi si kundërpërgjigje e vrasjes nga policia e një të riu. Dhe përmasat që ka marrë përplasja me forcat e rendit dhe shkatërrimi është i pabesueshëm. Por a s’është e pabesueshme edhe ajo që ndodhi në Shqipëri, që ditën me diell vriten katër veta të pafajshëm, dhe populli pothuajse heshti?! Dhe akoma më e habitshme është fakti që “politikanët tanë” (fjala adekuate duhej të ishte: “sharlatanët tanë”) ditën me diell bërtisnin se “fajin për vrasjen e tyre e ka Edi Rama që i solli këtu?” Të dëgjojë populli shpjegime të tilla për vrasjet dhe të heshtë, kjo është më e habitshme se sa reagimi i të rinjve në Angli.
Le të kthehemi tek mbledhja e djeshme e qeverisë dhe të shohim sesi shprehet vetë zoti Berisha: “Nuk kanë shqiptarët preokupim sesi zgjidhet presidenti me 3/6 apo më 7/8.(?!?)” Jo zoti Berisha, jo! Ndoshta ngaqë keni mbi 20 vjet në krye të Partisë dhe në qeverisjen e vendit, keni harruar se në një shtet vërtet demokratik, ngritja e institucioneve demokratike dhe zgjedhja e njerëzve drejtpërdrejt nga vota e popullit është një detyrë dhe përgjegjësi për çdo qytetar të republikës. E vetmja armë që ka populli në duart e tij që një vend të mos shndërrohet në diktaturë, është ajo fletë votimi. Dhe kur bëhet fjalë për pozitën e Presidentit të një vendi, detyrimisht duhet të dalë nga zgjedhja e përgjithshme e mbarë popullit, që “karrigia e presidentit” të mos përcaktohet nga partia që ka maxhorancën.
Dhe pastaj, kryetari i maxhorancës, si të jetë Shahu i ndonjë vendi nga Afrika, emëron në pozitën e Presidentit ndonjë monstër të tillë si, si aktorin Ben, “alias gjenerali i 1997” apo arkeologun, “alias kryetari i Aleancës Demokratike”, apo Ilir Metën, “alias hajdutin në ekranin e televizorit” apo Fatmirin, “alias Gërdecin që mban në duar gjakun e 27 të vrarëve”, apo Lulin e vocër, “aliasi i tre pasaportave dhe i 200 mijë eurove e i katër vrasjeve, ditën me diell” e lista mund të vazhdonte kështu me ata sahanlëpirës e njerëz që u mungon palca kurrizore, ose ndoshta e kanë të shkretët, po kushedi ç’do të ketë në dosjet e tyre që pranojnë pozicionin e puthadorit. E pastaj, zoti kryeministër do të jeni njëkohësisht Kryetari i Partisë, Kryeministri i Vendit, dhe “Kryetari” i Presidentit. Dhe ke të drejtë të thuash me plot gojën: Tani jam vetë Perandor!!!
Mendoni për një çast sikur në një të ardhme, maxhorancën ta kenë përfaqësuesit e ndonjë partie me pikëpamje ekstremiste e fetare. (S’është për t’u çuditur kur sot në shekullin XXI në qytetin e Durrësit, arrihet që nën presionin e klerikut mysliman të mbyllet një galeri arti!?) Ç’do të ndodh me këtë vend të vogël që në të ardhem “ndonjë lloj partie e tillë të ketë edhe kryeministrin, edhe kryetarin e parlamentit si edhe karrigen e Presidentit?” Ja me këtë shkatërrim që po u bëhet institucioneve demokratike në Shqipëri, nga pozita dhe nga pazotësia e opozitës po u hapim rrugën, me duart tona, diktaturës.
Dje kryeministri i Anglisë David Kameron, kur foli për ngjarjet që po ndodhin atje tha se “një pjesë e shoqërisë britanike është e sëmurë”. Natyrisht e kishte fjalën për ata të rinj që kanë disa ditë që kryejnë akte vandalizmi. Po ashtu edhe “një pjesë e shoqërisë shqiptare natyrisht që është e sëmurë”, dhe kjo pjesë jemi vetë ne si popull që ashtu si në diktaturë pranojmë të na drejtojnë sharlatanë, hajdutë e vrasës.