Nga Ardian Vebiu
Kohët e fundit, kryeministri Berisha, në daljet e tij publike, po përdor gjithnjë e më dendur një ndërtim gjuhësor të njohur si sipërore relative, të tillë si: “ne miratuam një nga ligjet më të mira në Europë për konfiskimin e aseteve.” Me anë të këtij ndërtimi me mbiemër në shkallën krahasore, arritjet e shtetit shqiptar, të ekonomisë dhe të politikës, ose edhe të vetë administratës Berisha, krahasohen me modele të ndryshme të pranuara si të vlefshme ose standard, duke rezultuar sipërore ndaj tyre.
Fjalimet dhe ligjëratat publike të kryeministrit ofrojnë një larmi shembujsh të këtij ndërtimi. Kështu, tregu i forcës punëtore në Shqipëri qenka “më i miri” dhe “më i liri” në Europë; rritja e rrogave dhe e pensioneve “më e madhja” në Europë; Shqipëria qenka shndërruar “në një nga vendet më tërheqëse për investime në Europë dhe në botë”; madje këtë vit “Lezha dhe Shqipëria është shpallur e bukura e dheut, destinacioni turistik më i bukur i gjithë botës.”
Ndërkohë, ekonomia shqiptare qenka “nga më entuziastet dhe më të mirat në Europë”; Shqipëria paska tashmë “një nga sistemet më të mira në botë të prokurimit publik”, ndërsa është shndërruar “në Miss Bota 2011 për sa i përket turizmit.”
Që të mos mbetet më asnjë dyshim për këtë, kryeministri e rithekson: “Shqipëria sot është vendi më i mirë në botë për turizmin.”
Janë të mirënjohura garancitë e z. Berisha se qeveria e tij do të siguronte “standardet më të larta teknologjike për numërimin e votave” për zgjedhjet e fundit lokale. Të të njëjtit kalibër janë edhe sigurimet se “në tre vjet, Shqipëria do të ketë infrastrukturën më të mirë në Europën Juglindore dhe nga më të mirat në Europë.”
Gjetiu ai i premton publikut se “qytetarët [do] të kenë një nga rrjetet rrugore më të mira në Europë”, ndërsa kartat e identitetit do të ndjekin “standardet më të mira në Europë.”
Deri edhe për kandidatin për kryebashkiak të Tiranës, Lulzim Bashën, kryeministri është shprehur se ai është “studenti që shkëlqeu në Utreht, në një prej universiteteve më të mira në botë.”
Disa prej nesh i krahasojnë këto pohime me faktet dhe gjejnë një hendek midis realitetit të përftuar prej tyre dhe së vërtetës. Një kryeministër mund të ketë dëshira të mira dhe vizione të mrekullueshme për të ardhmen, por këto nuk mund të realizohen vetëm me rrugë ligjërimore.
Si duhet interpretuar, atëherë, kjo simptomë në ligjëratën e kryeministrit shqiptar?
Para së gjithash, ajo duhet interpretuar si produkt i një planëzimi të arsyetuar dhe të përgatitur mirë, i cili synon t’i japë një ngjyrim pohues dhe pozitiv kësaj ligjërate – për ta zhvendosur nga negativizmi i skajshëm i përplasjeve me opozitën, i pak muajve më parë.
Analistët e ligjërimit politik e kuptojnë se, në raste të tilla, është fjala për çfarë amerikanët e quajnë bullshit, e që në shqipe mund ta sillnim si “profka”; një lloj ligjërimi që synon të shmangë ballafaqimin me të vërtetën. Në sipëroret e Berishës gjen fakte të interpretuara sipas dëshirës, dëshira të interpretuara si fakte, koreografi të dhënash dhe të tjera përftesa të rëndomta të agjit-propit konvencional.
Bullshit-i nuk duhet ngatërruar me gënjeshtrën; kjo e fundit i ruan lidhjet me të vërtetën, madje e respekton atë në mënyrën e vet, duke iu referuar teksa e shtrembëron ose e fsheh. Përkundrazi, siç e kanë vënë në dukje tashmë, profkat kanë për efekt të zhvendosin vëmendjen e publikut nga tema e ligjëratës te personaliteti i ligjëruesit, duke u shfaqur si forma gjuhësore të narcisizmit.
Që si gjymtyrë e dytë e këtyre krahasimeve shërben zakonisht Europa dhe ndonjëherë edhe bota nuk përbën ndonjë habi; Shqipëria tanimë synon të radhitet mes vendeve të tjera të kontinentit dhe të plotësojë një numër kriteresh dhe kushtesh që ia kanë imponuar tutorët e vet. Për fat të keq, rezultatet e përpjekjeve të administratës Berisha në këtë drejtim nuk kanë qenë të mira dhe, pavarësisht nga sipëroret në ligjëratën e kryeministrit, Shqipëria mbetet në shumë anë në bisht – për standarde politike, tregues ekonomikë, veprimtari kulturore dhe peshë të shoqërisë civile në jetën e vendit.
Njerëzit natyrshëm do të pyesin sa seriozisht duhet marrë kjo ligjëratë, teksa i mungojnë lidhjet e mirëfillta me realitetin. Mirëpo ligjërata e kryeministrit, në llojin e vet, me sipëroret e veta relative, vizionet dhe dëshirat e përkthyera në fakte, është fund e krye serioze. Për këtë nuk duhet pasur pikë dyshimi, meqë z. Berisha është politikan i suksesshëm dhe një pjesë të këtij suksesi të vet ia detyron, pa dyshim, edhe mënyrës si komunikon në publik.
Për ta kuptuar këtë paradoks, duhet pasur parasysh se kjo mënyrë të shprehuri me hiperbola, krahasime bombastike dhe zbukurime shumëngjyrëshe është karakteristike për ligjëratën shitëse, ose sales pitch, siç e quajnë në anglishte. Një tregtari që rreket të bindë klientin për vlerën e mallit të vet, ose për çmimin me të cilin e mban, do t’i falen teprimet në përshkrim, ose orvatjet për t’i fryrë karakteristikat e mallit.
Në thelb, sipërorja relative, e tipit “Shqipëria sot është vendi më i mirë në botë për turizmin” tregon se folësi po përpiqet dëshpërimisht të “shesë” diçka – një imazh, një pozicionim imagjinar, një optimizëm të mbështetur jo aq në fakte, sesa në interpretimin agresiv të tyre. Duke pasur parasysh realitetet shqiptare të kohëve të fundit, mund të formulohet hipoteza se z. Berisha përpiqet të reklamojë Shqipërinë në sy të investuesve të huaj dhe të autoriteteve që mbikqyrin procesin e integrimit shqiptar në Europë; sikurse përpiqet të reklamojë qeverinë dhe administratën e tij në sy të publikut në vend.
Nëse është kështu, atëherë suksesi i një ligjërate të tillë, të mbështetur në teknikat e marketing-ut, lidhet drejtpërdrejt edhe me besueshmërinë e folësit, ose të kryeministrit Berisha vetë. Kur ky u drejtohet investuesve të huaj, për t’u thënë se Shqipëria u ofron “tregun e forcës punëtore më të mirë në Europë” dhe njëkohësisht “më të lirin,” e bën këtë me shpresën se do t’ia besojnë fjalën; jo aq përmbajtjen e drejtpërdrejtë të sipëroreve dhe të vetë-lëvdatave, e cila mund të verifikohet dhe të përgënjeshtrohet menjëherë, sesa idenë e përgjithshme që në Shqipëri punët shkojnë mirë, sa kohë që z. Berisha është në pushtet.
Mbetet për t’u parë nëse publiku në Shqipëri do ta pranojë këtë lloj marketing-u kaq agresiv. Qytetarët shqiptarë ende presin të dëgjojnë të vërteta nga politikanët e tyre, në një kohë që ligjëratat shitëse i pranojnë më lehtë kur i dëgjojnë nga një koncesionar veturash të përdorura. Ka mundësi që zyra e kryeministrit, në adoptimin e këtyre teknikave ligjërimore, të jetë ndikuar jo pak nga këshilltarët amerikanë të marrëdhënieve me publikun; meqë kjo martesë e marketing-ut me politikën e ka zanafillën dhe e gjen akoma përligjjen pikërisht përtej detit. Përndryshe, shqiptarëve – madje edhe atyre që ia japin votën z. Berisha – nuk do t’u shpëtojë fakti që krahasimet mes Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Europës, në momentin e tanishëm, nuk mund të ngjallin veçse pikëllim.