Piskama për piramidën

0
46


Nga Enver Robelli

Jashtë ngrenë, piramidën e turpit
Me ulërima, brohoritje, thirravaj.
Dritaret unë i mbylla trishtueshëm,
Të mos hyjë zhurmë e tokës, pluhuri i saj.

Ismail Kadare, poezia “Varri

Më 28 nëntor 2012 do të bëhen 100 vjet që nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë. Pa marrë parasysh se cila parti do të jetë në pushtet në këtë vend, “demokratët” apo “socialistët”, elozhet për të arriturat e fundit dhe për sukseset historike nuk do të mungojnë gjatë kremtimeve të jubileut. Nëse është në pushtet Sali Berisha, atëherë ai me siguri do ta zbraz një batare patriotike, duke thënë se e rrëzoi vetë regjimin komunist në Shqipëri, vetë e futi Shqipërinë në NATO-s, vetë e ndërtoi “Rrugën e kombit” dhe vetë e hoqi murin e vizave. Gjithsesi Berisha nuk do të harrojë t’i nëm nostalgjikët e komunizmit dhe të Enver Hoxhës.

Nëse është në pushtet Edi Rama, atëherë ai do t’i (keq)përdorë shpesh fjalët “qytetari”, “kulturë” e “civilizim”, do të deklamoj një monolog për vlerat evropiane, të cilat, më në fund, (“o më në fund”), duhet të mbillen edhe në Shqipëri. Në këtë vazhdë ai do ta mallkojë Sali Berishën se i ka shkaktuar shumë tragjedi Shqipërisë. Madje mund të thotë se Berisha ka qenë kapiten i të gjitha anijeve që duke kaluar Adriatikun dhe Jonin drejt Italisë janë fundosur bashkë me qindra varfanjakë shqiptarë në kërkim të një vendi nën diell dhe mirëqenie. Kështu është kjo puna e retorikës politike në Shqipëri. Kundërshtari nuk kursehet, atij s’i falet asgjë, nuk ka respekt për dinjitetin e tij.

Një shembull legjendar

Fjalimin e tij me rastin e 100-vjetorit të mëvetësisë së Shqipërisë Sali Berisha dëshiron ta mbajë në Kuvendin e ri, të ndërtuar aty ku sot gjendet Piramida që dikur i dedikohej shokut Enver Hoxha dhe sot është Qendër Ndërkombëtare e Kulturës me emrin Pjetër Arbnori. Edi Rama, ndërkaq, fjalimin e tij me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë më së miri do donte ta mbante ose në Parlamentin e vjetër, të tanishmin, ose në ndonjë shesh, ndoshta për këtë solemnitet ai do të vishte edhe ndonjë këmishë me shtatë ngjyrat e ylberit, këtij harku të bekuar e të ndritshëm në qiell, që i shfaqet njerëzimit pas shiut.

Ekzistojnë pak arsye që të bëjnë të besosh se Berisha dhe Rama do ta ndërrojnë retorikën deri në vitin 2012. Një retorikë përjashtuese, diskualifkuese, shpeshherë cinike, jo rrallë fyese, gati gjithnjë e paargumentuar dhe kryesisht e stolisur keq me ndonjë kunj humoristik. Një shembull pothuaj legjendar se politikanët shqiptarë vështirë emancipohen është debati i zhvilluar para pak ditësh mes kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të Tiranës Edi Rama. Sebepi që u takuan këta dy politikanë ishte një mbledhje e komitetit shtetëror për ndërtimin e kompleksit të ri të Kuvendit të Shqipërisë. Synimi i Sali Berishës është i qartë: Piramida duhet të prishet, sepse është simbol i përgjakshëm i dhunës komuniste! Sepse është si një bri i futur në zemrën e shoqërisë shqiptare! Edi Rama, ndërkaq, e kundërshton këtë synim, duke thënë se objekti ka disa vlera kulturore dhe arkitekturore. Kështu mendon edhe Klement Kolaneci, kryearkitekti që ndërtoi Piramidën dhe dhëndri i Enver Hoxhës.

Dueli mes Berishës dhe Ramës është zhvilluar deri më tani në distancë. Kësaj radhe, në mbledhjen e komitetit për ndërtimin e Kuvendit të Shqipërisë, ata ishin ulur përballë njëri-tjetrit. Në hapje të mbledhjes Rama e porosit kundërshtarin e tij më të madh politik se nuk duhet të bëhet taliban sikur Enver Hoxha, që shkatërroi “2400 e kusur kisha dhe kapela romane”. Ai nënvizon se as gjermanët s’e prishën “Reichstagun”, por vetëm e angazhuan arkitektin Norman Foster, që të vendosë një kupolë mbi këtë ndërtesë. Këtu Edi Rama tregohet një nxënës i dobët i historisë, sepse ai aludon se gjermanët nuk e kanë prishur ndërtesën e “Reichstagut”, e cila gjoja qenkësh ndërtuar në kohën e nazizmit. Kjo nuk është e vërtetë. Godina e “Reichstagut” është vepër e arkitektit Paul Wallot dhe është ndërtuar mes viteve 1884 dhe 1894 në stilin e neorenesansës. Deri në vitin 1918 ka qenë seli i “Reichstagut” të Perandorisë Gjermane, pastaj parlament i Republikës së Weimar-it. Pra, kjo ndërtesë ka një histori të gjatë para ardhjes së Hitlerit në pushtet, në fillim të viteve 30-të të shekullit 20-të.

Nga një degë në tjetrën

Në vazhdim të debatit Berisha merret me psikologjinë e Ramës, duke aluduar në të kaluarën e tij si gjoja adhurues i sistemit komunist. Kjo akuzë është groteske, duke pasur parasysh si moshën ashtu edhe profesionin e Ramës si piktor. Berisha thotë se ka qenë e parashikuar që në Piramidë të balsamosej trupi i diktatorit, ashtu sikur Lenini në Sheshin e Kuq të Moskës. Meqë një proces i tillë ishte, siç thotë Berisha, i komplikuar, u hoq dorë nga ky synim. Këtë gjuajtje të topit Rama e shfrytëzon për kundërgoditje: Ai thotë se nuk ka haber nëse ka ekzistuar ideja për balsamimin e Enver Hoxhës, por këtë mund ta dijë Berisha, sepse paskësh qenë mjek në Byronë Politike.

Ndërhyn këtu menjëherë, me dialektin e saj shkodran, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli dhe thotë, jo, s’është e vërtetë që Berisha ka bërë atë punë. Këtu Rama kërcen dhe vë në dyshim seriozitetin e Berishës. Shefi i qytetit të Tiranës thotë se njerëzit seriozë nuk hidhen nga një degë në tjetrën. Qysh? Po, nga një degë në tjetrën! Kështu kërcen vetëm majmuni. Ose huti. Debati vazhdon, me qeshje dhe me ironi. Rama nënvizon se Piramida është pjesë e trashëgimisë. E akuzon Berishën se po sillet si ai “gjenerali serb, që kur u shemb ura e Mostarit tha: Mos u mërzisni dhe mos u shqetësoni, do ta bëjmë dhe me të bukur edhe më të vjetër”. Krahasimet kur janë të qëlluara shpesh mund ta argëtojnë publikun.

Këtu Rama dështon. Urën e Mostarit e kanë shkatërruar nacionalistët kroatë. Citati që sjellë Rama është përdorur në një kontekst krejt tjetër nga një ushtar serb, i cili gjatë rrethimit dhe bombardimit të Dubrovnikut në fillim të viteve 90-të kishte thënë se do ta ndërtojmë një qytet tjetër edhe më të vjetër. Vazhdon shkëmbimi i llafeve të kota. Berisha flet diçka dhe i drejtohet Ramës me “ti”, por ky ndërhyn menjëherë dhe i thotë: “A ka mundësi të mos më flasësh me ti? A ka mundësi të mos flasim me ti? Nuk ka të bëjë me forcën këtu. Ne nuk jemi as shokë dh as miq. Mua me ti nuk mund të më drejtohesh. Unë t’u drejtova me ju”.

Kujt i duhet viagra?

Me ti e me ju – muhabeti vazhdon. Berisha pretendon se Rama s’merr vesh gjë nga arkitektura dhe fillon ta përqesh bojatisjen e ndërtesave në Tiranë. Këtë lloj stolisjeje të qytetit Berisha e quan “strukturë afroziadike”. Rama e sheh të nevojshme ta korrigjojë kryeministrin: “Nuk thuhet afroziadike, por afrodiziakë”. Berisha arsyetohet se për këtë më kompetent është të flasë Rama, duke aluduar se atij mund t’i duhen afrodiziakë, pra ilaçe që ndezin epshin seksual. “Ti e di më mirë dhe të falënderoj, sepse e njeh më mirë”, thotë Sali Ramë Berisha nga Vuçidoli i Tropojës. Ku i duhet shqiptarit alpin viagra!

Berisha është 66-vjeçar tani. Gjatë diskutimit Rama i thotë Berishës në latinisht: “Ignorantia argumentum non est”. Berisha ia kthen: “Tani unë ju dëgjova juve edhe kur shqipëruat latinishten, sikur vjen prej Dragobie”. Disa në sallë qeshin, të tjerët tundin kokën. Berisha përpiqet t’i japë fund debatit dhe i thotë Ramës: “Uroj dhe dua ta mbyll duke të thënë: dhëndër i ri me mendime të reja”. Siç e ka mësuar gjithë opinioni shqiptar Edi Rama së fundi është martuar. Për një çast dy elefantët e politikës shqiptare çohen në këmbë dhe largohen. Jozefina Topalli thotë, jo pa dëshpërim: “Dale ku shkoni. Nuk kemi mbaruar”.

Megjithatë, një vendim u mor. Komiteti shtetëror miratoi shpalljen e njoftimit për organizimin e konkursit ndërkombëtar për idenë e kompleksit të ri parlamentar. Njoftimi përkatës do të botohet në gazetat më të rëndësishme ndërkombëtare. Janë ftuar 32 studio të arkitekturës nga mbarë bota për të ofruar projektet e tyre. Çdokush që interesohet për arkitekturën pret me padurim se cilat studio do të ofrojnë idetë e tyre. Janë ftuar të gjithë ata që sot kanë emër, nam, rang e prestigj në fushën e arkitekturës. Për shembull: Alvaro Siza (Portugali), Daniel Libeskind (SHBA), Jean Nouvel (Francë), Mario Botta (Zvicër), Jacques Herzog dhe Pierre De Meuron (Zvicër), Norman Foster (Britani e Madhe), Rem Koolhaas (Holandë), Renzo Piano (Itali), Santiago Calatrava (Spanjë), Zaha Hadid (Britani e Madhe). Në mesin e të ftuarve janë edhe arkitektët nga Zagrebi Lulzim Kabashi dhe Krunoslav Ivanishin.

Flamuri i spanjollit

Duke pasur parasysh polarizimet e thella mes politikanëve shqiptarë vështirë të besohet se 100-vjetori i pavarësisë së Shqipërisë do të shënohet në godinën e re të Kuvendit, që do të ndërtohet aty ku sot gjendet Piramida e Enver Hoxhës. Nëse ndërtohet, atëherë ndoshta me atë rast opinionit do t’i shpaloset flamuri me të cilin më 28 nëntor 1912 u shpall pavarësia e Shqipërisë. Ky nuk është flamuri gjoja i qëndisur nga Marigona, një vajzë e përrallave e shndërruar në figurë historike nga pseudoshkencëtarët e stalinizmit. “Në momentin e shpalljes së pavarësisë në Vlorë u gjet vetëm një flamur për t’u ngritur: ai që Eqrem bej Vlora kishte marrë disa vite më parë në Paris nga pretendenti i fronit Aladro”, shkruan historiania franceze Nathalie Clayer në librin e saj “Në fillet e nacionalizmit shqiptar – Lindja e një kombi me shumicë myslimane në Evropë”. Ky tip – Aladro y Perez de Velasco – para shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë thoshte se ishte pasardhës i familjes së Skënderbeut dhe synonte të bëhej Mbret i bijve të shqipes. Aladro ishte spanjoll. Me fjalë të tjera: Pavarësia e Shqipërisë u shpall me flamurin që Eqrem bej Vlorës ia kishte dhënë një spanjoll.

Një qen dhe një skandal

Tash të merremi pak me futurologji: Kush do të marrë pjesë nga Kosova në ceremoninë e festimit të 100-vjetorit të Shqipërisë më 28 nëntor 2012, që do të mbahet në parlamentin e ri dhe me atë rast do të prezantohet edhe flamuri i spanjollit Alandro? Nëse në pushtet do të jetë Partia Demokratike e Kosovës, atëherë kryetari i Kosovës Jakup Krasniqi do të refuzojë ftesën nga Tirana së pari për shkak të dëshpërimit se është prishur Piramida e Enver Hoxhës dhe së dyti për shkak se Marigonës i ka rënë maska dhe tani s’është gjë tjetër veçse versioni shqiptar i Kësulëkuqes. Kryeministri Hashim Thaçi nuk do të ketë kohë të shkojë në kryeqytetin shqiptar, sepse bashkë me ambasadorin amerikan Christopher Dell do të gjenden në terren – jo duke gjuajtur lepura, por duke kërkuar jugosllavët e fundit, të cilët kundërshtojnë privatizimin e Postës dhe Telekomit të Kosovës.

Por, edhe kësaj pune do t’i gjendet çareja: Delegacionit të shtetit do t’i prijnë djemtë dhe çupëlinat e PDK-së, që s’kanë përvojë në brohoritjen e parullës “Parti Enver, jemi gati kurdoherë”. Më i përshtatshmi mund të jetë Berat Buzhala për shkak të emrit të tij të njëjtë me një qytet të Shqipërisë. Pas tij edhe Petrit Selimi si ministër për kulturë dhe diasporë (atëherë diaspora kosovare në Tiranë do të jetë bukur e madhe). Në prag të ceremonisë së festimit të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë do të ndodhë një skandal, sepse Selimi para parlamentit të ri të Shqipërisë s’do gjejë vend për ta lidhur qenin. Dhe do të thotë: “Sa i poshtër Alvaro Siza – hiç s’ka menduar për këtë punë”.

Gjatë kthimit në Kosovë, pas kalimit të tunelit të Kalimashit, delegacioni shtetëror i PDK-së do të dëgjojë lajmet e Radio Kukësit. Ngjarja e ditës: “Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar projektin e arkitektëve zviceranë Jacques Herzog dhe Pierre De Meuron për ndërtimin e godinës së re të parlamentit në Prishtinë. Në hyrje të kësaj godine impozante me kërkesë të kryeministrit do të vendoset pllaka: ‘Tempujt e demokracisë janë rreze drite për kombin dhe njerëzimin – Hashim Thaçi, kryeministër i përhershëm i Republikës së Kosovës’. Gjithashtu në oborr, pas ankesave të ministrit Petrit Selimi, do të vendoset një kolibe për qenin e tij.

Kjo kolibe do jetë dhuratë e firmës zvicerane Robidog, e cila merret me prodhimin e nevojtoreve për qenë. Ndërtimin e parlamentit të ri të Kosovës dhe transportin e kolibes së qenit nga qyteza Zeiningen e Zvicrës në Prishtinë do ta bëjë firma Mabetex e Behgjet Pacollit, e cila ka fituar tenderin përkatës. Pacolli e ka fituar tenderin me premtimin: Koliben ua sjellë falas, vetëm ma jepni…”. Këtu humbin valët e Radio Kukësit.