Piramida, Topalli varros abuzimin me 5 milionë eurot e Pangos për Teatrin

0
47

Nga Tema

Qytetarët shqiptarë kanë paguar para tri vjetësh 5 milionë euro nga taksat e tyre për të ndërtuar një teatër dhe një galeri arti tek ish- Qendra Ndërkombëtare e Kulturës (Piramida). Projekti duhej të mbaronte për 16 muaj. Pas 32 muajsh, jo vetëm që projekti nuk ka mbaruar, por Topalli shumëzon gjithçka me zero dhe shpall ndërtimin e një Kuvendit të ri në të njëjtin vend

Parlamenti i Shqipërisë ka miratuar dhe gati në fshehtësi një vendim, i cili i hap rrugë prishjes së projektit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë, Sportit dhe Turizmit, për ndërtimin e një teatri modern në vendin ku më parë ka qenë Qendra Ndërkombëtare e Kulturës.

Vendimi i papritur krijon një sërë problemesh ligjore dhe shpërdorime financiare me vetëdije, të cilat duhet të bëhen objekt i prokurorisë.

Dyshimet janë se nxitimi për të vazhduar me një projekt të ri, bëhet për të mbuluar dështimin e projektit fillestar dhe abuzimin e tmerrshëm që është bërë me 5 milionë eurot, të cilat, jo vetëm nuk kanë arritur të kthejnë QNK në Teatër, por kanë krijuar një sërë problemesh ligjore me sekserët e qeverisë që kanë hyrë në mes.

Historia e 5 milionë eurove për teatrin
Katër vite më parë, në përpjekje për të shantazhuar Top Channel, i cili kishte në ndërtesën e ish- QNK, zyrat e tij kryesore, qeveria mori një vendim për ndërtimin e një teatri. Për të rritur edhe më shumë presionin ndaj medias që transmetonte prej aty, ajo bëri një tender publik në vitin 2007 dhe prokuroi rikonstruksionin e godinës në një vlerë prej rreth 7 miliard lekë të vjetra, ose afërsisht 5 milionë euro.

Pas shpenzimeve për projektin, të cilin e fitoi një firmë belge “Louis Berger”, u shpall edhe kompania që do ndërtonte teatrin, e cila në të vërtetë ishte një sajesë e një kompanie greke, por që zbatuesit real ishin dy njerëz të afërt me ministrin Pango dhe ish- Sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë, Blegina Agolli. Formalisht ky projekt është shpallur fitues në korrik të vitit 2007, ndërsa në muajin nëntor u shpall tenderi për zbatimin e tij, që u fitua nga firma “ORION SA & AK & ART”/

Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Kultuës, “me një investim prej 700 milionë lekësh të reja, synohet që në 16 muaj t’i jepet Tiranës dhe gjithë Shqipërisë teatri i madh dhe Qendra e Arteve Pamore brenda Piramidës.”

Vendimi i ri për të mbuluar abuzimin e vjetër

Bendimi i ri mund të merret në dukje dhe si një tekë e zonjës Topalli, por po të gërmosh pak më tej shikon qartë se motivi kryesor është fshehja e abuzimeve që janë bërë me projektin e parë.

Tashmë kompania ndërtuese është paguar për punën e bërë përgjysëm dhe kur 5 milionë euro janë shpërdoruar, kryetarja e parlamentit, Jozefina Topalli, është shfaqur me një iniciativë të re, duke hedhur në kosh 5 milionë eurot e shpenzuara dhe duke rihapur një tender të ri për Kuvendin e Shqipërisë.

Nuk dimë sa fuqi ka një vendim parlamenti të shpërdorojë në mënyrë të vetëdijshme 5 milionbë euro të prokuruar zyrtarisht, por e sigurt është që dikush, ose Sali Berisha, ose Jozefina Topalli, ose Ylli pango, duhet t’u paguajnë shqiptarëve 5 milionë euro.

Kompania greke, e cila shërbeu si mbulesë për ndërtimin e teatrit, në të vërtetë pati shumë probleme ligjore me QKR, pasi dështoi në përpjekjet e saj për të formuar një filial në Shqipëri. Kjo firmë po fuste realisht në lojë njerëzit e afërt të qeverisë. QKR ka dhënë një vendim pezullimi për këtë firmë, për shkak të mungesës së dokumentacionit, ndërsa ata kanë vazhduar realisht punën pa një leje të rregullt ligjore. Këto parregullsi ligjore kanë shoqëruar të gjithë procesin, ndërsa dyshimet serioze janë se e gjithë kjo lëvizje e re bëhet që të mbulohen abuzimet me projektin e mëparshëm, i cili, jo vetëm ka dështuar, por nuk ka lënë asnjë gjurmë serioze për të justifikuar haxhimin e 5 milionë eurove.

Një tjetër problem është edhe tenderi i bërë për ndërtimin e një kompleksi parlamentar pas zyrave të ish- Komitetit Qëndror, për të cilin u bë një tender ndërkombëtar. Edhe pse në atë rast shpenzimet ishin më të vogla, sërish serioziteti i shtetit shqiptar vihet në dyshim, duke u sjellë me paratë e qytetarëve si të ishin të gjetura në rrugë. Dhe e gjitha kjo bëhet acaruese kur paraqitet si një “tekë” e kryetares së Kuvendit, çka na bën të frikësohemi për pasojat e gjithë tekave të saj.