Piramida “më” e bukur

0
64

Nga Leart Kola*

Para disa ditësh Strazimiri, një deputet i mazhorancës, një nga ato karakteret e virtytshme të së djathtës, pa vese dhe pa fytyrë, i detyruar të skërmiste diçka në mbrojtje të çmendurisë së radhës së shefit të tij përpunoi këtë frazë që stonon në logjikën e saj: «Parlamenti i një vendi duhet të jetë ndërtesa më prestigjioze e tij». Gjatë kohës që po e dëgjoja përveç problemit idiomatik që më cingërisi nervat (togfjalëshi «më prestigjioze» nuk ka logjikë, sepse diçka o është prestigjioze, o nuk është) mu kujtua një skulpturë që gjendet mu përballë Parlamentit Serb.

Skulptura në njërën anë tregon një kalorës që tërheq kalin nga kapistalli duke e drejtuar qetësisht për nga parlamenti, ndërsa në anën tjetër të saj është po ky kalorës që e ka kapur forcërisht kalin nga koka e po tenton ta tërheqë drejt daljes, për nga porta e parlamentit. Skulptura mban diçiturën «është e lehtë të fusësh një kalë në parlament, por është shumë e vështirë ta nxjerrësh atë prej tij».

Duhet thënë që në rastin e serbëve skulptura nuk ia ka dalë mbanë të sensibilizojë krejtësisht publikun, duke pasur parasysh kuajt e ndryshëm që kanë hyrë brenda. Megjithatë ky akt, kjo skulpturë e gjendur aty në vetvete tregon një moment emancipimi dhe një të vërtetë të madhe – prestigji i Parlamentit nuk varet nga ndërtesa ku zhvillohen mbledhjet, por nga njerëzit (apo kuajt e gomerët) që mban brenda. Heroi ynë i mësipërm është prova e gjallë që shpjegon këtë paradoks të radhës në vendin e shqiponjave.

Berisha do ta shembë Piramidën, por jo për arsyet që tregon publikisht. Në 20 vjet berishizëm, një gjë është krejtësisht e qartë për të gjithë, ai as për së largu nuk është armik i autokracisë dhe i totalitarizmit, përkundrazi gjasat janë që të jetë një fan i sistemit total, edhe pse një fan surrogato.

Aq më tepër që Piramida është institucioni më pak domethënës i diktaturës shqiptare. E ndërtuar pa aprovimin e Enverit (meqenëse ai kishte vdekur), ajo ndërtesë më shumë ishte tregues i perëndimit të atij sistemi, sesa i forcës së tij. Historia e Piramidës është historia e post ’90-ës, e grupeve rock, e rin-festeve, e puthjes së parë të shumë të rinjve, e përdorimit të parë të drogës për shumë rebelë e për shumë dekadentë. Piramida më shumë se gogoli autokrat ishte parku i lojërave të një Tirane të kioskëzuar ku 30 vjeçarët e sotëm më shumë se sa për forcën ideologjike të manipulimit të masave e mbajnë mend për grisjen e pantallonave në fund-shpine, gjatë rrëshqitjeve në kohë të adoleshencës. Piramida në fakt nuk është simbol i diktaturës, e s’është kjo arsyeja për të cilën Berisha po e prish.

Megjithatë Piramida do të shkatërrohet nga buldozerët qeveritarë. Do të shkatërrohet sepse të rinjtë, studentët dhe pedagogët që do të duhej të ishin forcat katalizatore të revoltës anti-diktatoriale në Shqipëri, sot njëlloj si dje janë të gatshëm të dëgjojnë shifrat shumë milionëshe që do të përdoren nga qeveria për të shkatërruar e për të ndërtuar diçka të re. Ky gjest në tentativë i Berishës do të vazhdojë të komentohet me qetësi nga aulat e ftohta ku s’ka asnjë mjet didaktik si pasojë e mungesës së investimeve në shkolla, ashtu siç do të vazhdojë të komentohet në kafenetë e ngrohta, ku të papunët shtyjnë orët.

Rebelimi e tremb rininë shqiptare që është e gatshme të pësojë çdo lloj hegjemonie, nga prindërit e deri te qeveritaret. Sepse ata s’janë veçse rebelë në letër, nuk janë trup politik, por vetëm statistika INSTAT-i, e statistikat nuk trembin njeri. Berisha do ta prishi Piramidën, sepse atë dhe shumë gjëra të tjera nuk ka kush t’i mbrojë.

Berisha do ta prishë Piramidën, por jo pse realisht ka dëshirë të ndërtojë një parlament «prestigjioz». Por thjesht sepse në këtë krizë të thellë ekonomike ku është futur Shqipëria, nuk do të kishte artific më të bukur sesa zhvendosja e vëmendjes nga problemet e vërteta ekonomike tek një debat spektakolar dhe bosh mes «komunistësh» dhe «anti-komunistësh» pikërisht në vendin ku edhe në kohën e Komunizmit nuk ka pasur asnjë Komunist.

Me këtë trill absurd, Berisha arrin të mobilizojë të tijtë në një kryqëzatë të radhës në prag të zgjedhjeve lokale. E meqenëse nuk u premton dot punë njerëzve, u garanton që pasditet e tyre në kafenetë e lagjes nuk do të jenë monotone, ato do të ndriçohen nga debate të zjarrta mes socialistit dhe demokratit lokal.

Një tjetër memorie e qytetit do të prishet, për t’i lënë vendin institucionit “më” prestigjioz, që do të mbajë brenda njerëzit “më” të zgjuar, të cilët rastësisht janë dhe njerëzit “më” të pasur të një vendi “më” demokratik se të tjerët. Edhe neve, popullit, nuk na mbetet gjë tjetër veçse t’u bëjmë urimet “më” të mira, parlamentarëve “më” të zgjedhur të popullit “më” pellazg në Ballkan.

(Lum kush do të rrojë, të të shohë zonjë !!!)

*saktivista.com