PIKËPAMJA E KRIST MALOKIT PËR ÇËSHTJEN SHQIPTARE

0
76

(Krist Maloki: 08.04.1900 – 24.11.1972).

… Për mue – si kosovar – i gjakut shqiptar dhe si humanitar i kulturës oksidentale – ka vetëm nji politikë: Politika e Kombit Shqiptar…
Krist Maloki

Shkruan: Shefqet DIBRANI

Jetëshkrim i shkurtër në vend të hyrjes:

Krist Maloki, lindi më 8 prill 1900 në Prizren të Kosovës. Shkollimin fillor e nisi në vendlindje dhe e përfundoi në Austri. Ai ishte njëri nga nxënësit më të mirë të atij brezi, prandaj qysh në moshën 12 vjeçare, si bursist i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Austrisë, shkoi në qytetin Graz të Austrisë për ti vijuar mësimet. Të mesmen e ndoqi në Vjenë, Salzburg e Graz, kurse nga viti 1921-1929, Krist Maloki studioi filozofinë, ndërsa në vitin 1929 mori gradën e doktorit të shkencave në këtë fushë.

Në mes viteve 1929-1934, Krist Maloki punoi si mësimdhënës dhe në të njëjtën kohë studionte edhe shkencat juridike, ku do të marrë doktoratën e dytë në lëmin e drejtësisë. Përveç punës së mësuesit nga e cila nxirrte jetën, Krist Maloki punoi edhe në lëmin e administratës si instruktor dhe në të njëjtën kohë merrej edhe me studime shkencore, përkatësisht mësonte gjuhët botërore dhe kur gjente kohë edhe me muzikë ngase ishte i njohur edhe si kompozitor, autor këngësh dhe instrumentalist i violinës.


Krist Maloki në Grac të Austrisë

Në vitin 1940 atij iu besua hapja e katedrës për çështje të Evropës Juglindore në Universitetin e Graz-it duke u emëruar profesor për letërsinë shqipe e ballkanike si dhe për degat tregtare e juridike në Akademinë Tregtare të këtij qyteti, punë që i kreu deri në daljen e tij në pension në janar të vitit 1966.

Në rrethanat shoqërore e politike të kohës emri i Krist Malokit vjen si një zë i artikuluar, kurse shkrimet për problemet shqiptare kurdoherë kanë zgjuar interesimin në opinionin e kohës duke u shquar sidomos në kritikën letrar për veprat shqiptare të botuara në atë kohë. Krist Maloki gjatë gjithë jetës së tij u mor me veprimtari studimore në fusha të ndryshme duke lënë pas vetes një mori studimesh të cilat edhe sot e kësaj dite (pjesa dërmuese) mbeten të pa publikuara dhe fare pak të njohura për lexuesin dhe studiuesit shqiptar në Kosovë, Shqipëri dhe përgjithësisht në hapësirën shqiptare apo në mërgim. Padyshim ai ishte një personalitet erudit dhe me dije të veçanta, ai u qëndroi besnik pikëpamjeve të tija deri në çastin e fundit të jetës, sado që sëmundjet e larguan më herët nga puna e tij studimore, hulumtuese e shkencore.

Krist Maloki u shqua për dijetar dhe studiues i zellshëm, kishte një gamë prurës dhe një qasje specifike të fenomenit, ai mbetet një perlë e rrallë e cila do t’u shërbente edhe tashti shqetësimeve shqiptare në Ballkanin e trazuar. Krist Maloki si erudit që ishte u angazhua edhe në studimet e fushave të tjera: Politikës, ekonomisë, filozofisë dhe gjuhësisë duke e kundruar çështjen shqiptare karshi të gjitha zhvillimeve të kohës. Edhe si qytetar, edhe si njeri, por më shumë si profesor universitar dhe studiues i zellshëm ai u dallua për sinqeritet dhe për ruajtjen e asaj trashëgimie kulturore e etnografike që kishte përvetësuar në vendlindje duke i zhvilluar këto koncepte nga një mentalitet i vjetruar që ai e quante oriental, kah një mënyrë dhe formë moderniste, dhe ku duhej kërkuar e gjetur interesin shqiptarë që ai e kishte përkufizuar si oksidental.

Studioi në tri fusha të ndryshme kurse doktoroi në dy sish, ka mbrojtur dy doktorata, (siç e theksuam më parë), të parën më 1929 në Filozofi dhe të dytën në Shkencat Juridike më 1934, që do të thotë se ai ishte intelektual i kompletuar dhe dijetar i rrallë. I lindur në Prizren, qytet ky i cili në atë kohë dallohej si njëra nga qendrat më të kulturuara të Kosovës dhe i shkolluar e specializuar në universitetet austriake, Krist Maloki do të shfaqet si emër emblematik i atyre viteve, ku dallohet si një erudit i vërtetë, me njohuri të thella në fushën e studimeve, kritik gjuhësor e letrar i shquar, pastaj ishte i dalluar edhe në fushën e muzikës, drejtësisë, filozofisë, historisë etj.

Specifikimi i veprës dhe karakterit në vend të mendimit kritik

Mendohet se Krist Maloki ishte njëri ndër mendimtarët më karizmatik i viteve ’30, ai trajtoi në mënyrë specifike, kahet dhe zhvillimet e letërsisë dhe të politikës, ndaj ky qëndrim i tij u mor dhe u kuptua për të keq duke e izoluar dhe duke e lënë në harresë të pamëshirshme, madje duke e cilësuar edhe si idhnak. Por vepra e tij kur shikohet nga ky kënd dhe në dimensione të reja, qëndrimi i tij do të kuptohet si studiues principiel (që pavarësisht nga tagri), i mbetet besnik botëkuptimeve personal gjatë gjithë punës studimore e hulumtuese.

Studimi më i njohur që u propagandua është “Oriental apo Oksidental” duke e radhitur Krist Malokin ndër personalitetet e shquara të kohës siç ishin Gjergj Fishta, Faik Konica, Mithat Frashëri, Branko Merxhani, Anton Harapi, Ernest Koliqi, Tajar Zavalani dhe një plejadë e tërë krijuesish që i dhanë emër dhe kuptim letërsisë, filozofisë dhe shkencës shqiptare në mes dy luftërave botërore. Por, studimet e Malokit, sidomos ato për poezinë e Naim Frashërit, Gjergj Fishtës, veçanërisht studimi simplicitër (ballëhapët), për poezinë e Lasgush Poradecit mbeten perla të pa kaluara jo vetëm si qasje, por më shumë si veprim i guximshëm dhe mendim profesional i vyer.

Ndonëse kundër pikëpamjeve të Krist Malokit, (sa i përket poezisë së Lasgush Poradecit), në atë kohë ka reaguar Mitrush Kuteli, por kundërpërgjigja e Krist Malokit do të ketë ndikuar drejtpërdrejt në mbylljen hermetike dhe përfundimtare të Lasgush Parodecit. Mendoj se gjeneza e mbylljes dhe kalimi i jetës në mënyrë misterioze duhet të kërkohet te kjo kohë, te kjo kritikë, jo për interesa të caktuara politike, nefretizmi (pezmatimi) i Lasgush Poradecit t’i ngarkohet një sistemi tjetër që si duket nuk e paska pasur tërë mëkatin sa i është ngarkuar. Kritika e ashpër që ia ka bërë Krist Maloki që në lulëzimin dhe bulëzimin e poezisë së Lagush Poradecit ka bërë që ai të heq dorë nga lirikat pa motive e ndjenja nacionale.

Parë nga ky prizëm mendojmë se kritika e re, e liruar nga bagazhet e kohës dhe të çliruar nga interesat e çastit të caktuar do të merret me këto shqyrtime, përkatësisht me fenomenin për të cilin folëm më parë dhe për të konstatuar më saktë shkaqet e mbylljes së Lasgush Poradecit. Një qasje e tillë profesionale duhet të bëhet edhe për poezinë e Naim Frashërit, sidomos ka nevojë studimi i karakterit të Naimit, butësia dhe melankolia e tij, shkaqet dhe arsyet, pikëpamja dhe delli shqiptar i vonuar dhe sidomos duhet të studiohet mirë dhe drejt “urrejtja” e një kristiani siç ishte Krist Maloki kundër kulturës, mitologjisë dhe përgjithësisht kundër Greqisë që shfaqet te trajtimi për poezinë e Naimit.

Ai kurdoherë e ka trajtuar at vend dhe politikën e tij të dëmshme dhe armiqësore kundrejt Shqipërisë, ka shprehur simpatinë e hapët për liberalizmin e atëhershëm që ndihej në Turqinë Evropiane, përkatësisht për kulturën evropiane të Stambollit, që në planin e politikave afatgjata dhe largpamëse ky element mbetet njëri nga rastet provokuese për mendjen e një studiuesi, madje dhe të një lexuesi të rëndomtë. Pastaj Maloki, ka treguar respekt të veçantë për besimin bektashian të Naim Frashërit, për inspirimin që ka gjetur te ai besim, sidomos përformanca e misticizmit bektashian i ka bërë përshtypje specifike, sepse duke e krahasuar me mënyrën e të besuarit te budizmi, ai ka qit në pah argumente pozitive të cilat me sa di unë nuk janë prekur e trajtuar, madje as nuk janë zhvilluar më tej.

Kur të studiohet edhe nervi patriotik te poezi e Gjergj Fishtës, e cili ishte e robëruar nga një koncept që ngjasonte me solidarizimin komunist siç thotë vet Maloki, për të përfunduar se nuk ka pasur asnjë arsye sistemi komunist në Shqipëri ta sakatoj kulturën kombëtare, duke i mohuar veprat e Fishtës. Vlen të trajtohet edhe respekti i Fishtës për kundërshtarin të cilit ia ka njohur meritat, trimëritë dhe guximet (gjithmonë sipas Malokit), që edhe në këtë plan Fishta nuk ka urryer popuj të tjerë, pra as sllavët, prandaj nuk është dashtë që eshtrat e tij të nxirren nga varri dhe të hidhen në Ujanën e ujërave të rrëmbyeshme duke e varfëruar Shqipërinë edhe për një varr të shkrimtarit dhe heroit epik të paarritshëm deri më sot.

Nëse këto shkrime merren për t’u parë e kundruar nga pikëpamja e studimeve të Krist Malokit dhe kur të kuptohen si qasje serioze, atëherë do të specifikohet më mirë, dhe më saktë karakteri “idhnak” i një studiuesi dhe shkencëtari të papeshuar sa duhet nga shkenca dhe studimet shqiptare.

Veprat e shkurtra dhe provokimet e mëdha

Lirisht mund të thuhet se veprat e Krist Malokit janë vepra të shkurtra por që kanë bërë provokime të madha. As vepra “Oriental apo Oksidental” nuk është voluminoze sikurse studimet për poezinë e Naimit, Fishtës dhe Poradecit që nuk janë as si studime veç e veç e as si tërësi voluminoze që do të shteronin mendimin krijues. Por, provokimi është i madh, i pasuruar me ide të shumta sa që mendohet se ideja në veprat e Malokit nuk shteron, më sa gurra e ujit që del nga “kroi i fshatit” të kritikuar nga vet ai.

Maloki ishte një personalitet me sedër, dhe kjo i vinte për dy arsye. Tek ai kishte lënë gjurmë edukata familjare dhe tradita e të qenit nga gjeni shqiptar, dhe e dyta është thithja e dijeve gjatë shkollimit dhe emancipimit në një vend me kulturë dhe me shkolla me ndikim në atë kohë. Atje ai fitoi njohuri të mjaftueshme në shumë fusha të dijes dhe kulturës, shkencës dhe letërsisë veçmas u shqua në filozofi, letërsi dhe ekonomi, por Maloki ka hulumtuar edhe në fushën e muzikës, si kompozitor e instrumentist. Mendja na thotë se ai bëri nam sidomos në kritikën letrare duke mbetur njëri nga personalitete e shquara të kohës që me përkushtim u mor me çështjen shqiptare.

I mbrujtur nga një karakter i fort që e lidhte me kulturën tradicionale si një entitet historik e kulturor ai u angazhua të bashkonte në një trup të gjitha personalitetet e shquara kudo që ishin në botë, ai ishte një eveniment i rrallë që e ka shoqëruar jo vetëm jetën dhe karakterin e autorit, por këto elemente janë reflektuar kudo në veprën e tij studimore e kërkimore duke iu bërë parim edhe në qasjet kritike apo ato të artit muzikor. Me një fjalë Krist Maloki ishte i kompletuar, dhe njëri nga personalitete e rralla jo vetëm të kohës, por edhe i ditëve të tashme, si një nga figurat më të shquara që dijet e tija i ka avancuar në nivelin më të lart të një shkencëtari e dijetari të paepur. Botëkuptimi i tij nuk ishte një rastësi për t’u gjetur aq kollaj në akademitë dhe universitetet e Austrisë apo siç mund të parafrazojmë në kulturën oksidentale.

Këto botëkuptime ai i fitoi në familje dhe shoqërinë e hershme për t’i avancuar e përparuar në një rreth dhe shoqëri përparimtare që ai e pat përkufizuar si kulturë oksidentale, gjë që në shkrimet e tija kemi një fjalor dhe një gamë prurje të shprehjeve dhe fjalëformimeve interesante që do t’u shërbenin studiueseve të ndryshëm, veçmas linguistëve për t’i regjistruar dhe për ti futur në fjalorët e shqipes së sotme si një pasuri e rrallë dhe e domosdoshme, nëse dëshirojmë përparimin e gjuhës dhe kulturës kombëtare. Padyshim vepra e Krist Malokit mbetet një burim i pashtershëm edhe në këtë plan, edhe në këtë fushë, sepse ai ishte një dijetar dhe njohës i mirë i gjuhës gjermane. Duke bërë përpjekje për të gjetur shprehjen adekuate në gjuhën shqipe për ta artikuluar më mirë mendimin e tij krijues, ka zbuluar fjalë e shprehje të reja.

Veprat e Krist Malokit, të botuara viteve të fundit, vijnë si një margaritar për të sotmen, për të tashmen dhe do t’i shërbejnë së ardhmes së kombit. Sado që veprat e tij nuk ishin aq të njohura, kohë më parë është ribotuar vepra “Oriental apo Oksidental”, kurse në Kosovë vepra tjetër “REFLEKSIONE” që përmban kritikë letrare, analiza dhe mendime, duke e bërë autorin më të njohur, dhe duke i kompletuar njohjet tona për këtë personalitet të shquar i cili pas tridhjetë e ca vjetësh do të na zbulohet si një margaritar i rrallë, i veçantë dhe i pa njohur sa duhet nga breza të hershëm, po më shumë nga brezi i ri që po hapëron në këtë fushë.

Përfundimi që të rikthen te një fillim i ri

Ndonëse qëllimi i shkrimit tim nuk ka të bëjë me analizën dhe trajtimin esencial të veprës letrare të Krist Malokit, por e shoh të arsyeshme t’i jap (edhe pse të ripërsëritura), disa sugjerime, veçmas për studiuesit e letërsisë, fushë kjo që për mua fle më shumë në zemër, dhe që kam njohje më të kompletuara.

Bërja publike e veprës “Refleksione” e cila përmban shkrimet më të mira të Krist Malokit për Naim Frashërin, Gjergj Fishtën dhe Lasgush Poradecin do t’u vë pikëpyetje mjaftë veprave kritike e studimore që janë bërë (sidomos për Naimin dhe Lasgushin), të cilat nuk kanë marrë në konsideratë pikëpamjet e Malokit, sepse veprat e këtyre dy autorëve janë trajtuar mjaftë dendur dhe kryesisht janë parë vetëm në prizmin “pozitiv”, ku nuk kanë munguar hyjnizime e teprime, kurse te shkrimet e Malokit reflektohet edhe ana tjetër e medaljes, përkatësisht e veprës çka nuk e kemi njohur. Nëse vepra e Naimit kundrohet nga ky prizëm qasjesh e trajtimesh do të vlerësohet më mirë, më drejt dhe do t’i jepet vendi i merituar në letërsinë shqipe, sepse sipas doktrinës së Krist Malokit, poezia e Naim Frashërit nuk i ka epitetet e një poezie të nivelit të Gettes apo Aligerit. Lavdërimet në periudhën e realizmit socialiste, janë mbushur me epitete e frazologjizma tipike të një rendi shoqëror që pat ndikuar edhe në krijimet letrare.

Edhe poezia e Lasgush Poradecit do të ketë mundësi të ketë një përthyerje tjetërfare, si një poezi e parametrave të lartë që mund të reflektonte ndjenja të holla lirike në të gjitha gjuhet e botës, ndoshta do të përftonte ndonjë gjuhë tjetër edhe më shumë sesa gjuha shqipe, nga e cila kjo poezi ka buruar, por asaj i mungon ajo ndjenja shqiptare dhe përpjekja tradicionale për çka është angazhuar Krist Maloki, kurse kritika letrare s’ka nevojë ta fsheh një gjë të tillë, por duhet pasur guxim e kuraje ashtu siç ka pasur Krist Maloki në atë kohë, pikërisht në fazën e evulimit që me sa duket do të ketë luajtur rol vendimtar në hermetizmin e Lasgush Poradecit, që pastaj ta gjej koha e realizmit socialist të mbërthyer në egon e tij si në një guaskë, dhe jo pak është trajtuar si një madhështi perandori që nuk ka pranuar diktatin politik për të krijuar poezi me një koncept të porositur. Sigurisht studimet e më vonshme do të qesin në pah dhe do të vejnë në spikamë këtë pikëpamje që po e theksojmë.

Edhe te qasjet e Krist Malokit për Fishten do të gjejmë një përkushtim të madhnueshëm që ky autor ka shpreh si admirim për Heroin e Epikave shqiptare i cili arriti ti jap nam dhe famë ligjërimit epik shqiptar. Ndonëse dihet se Krist Maloki ka vizituar disa herë Shqipërinë e regjimit komunist, qasja që i bënë Fishtës dhe sidomos akuzat që i bënë pushtetit komunist për aktet barbare që kanë bërë kundër veprës, emrit dhe madje edhe kundër eshtrave të Fishtës është padia më e rënd që dikush i ka bërë atij regjimi.

D.m.th. Krist Maloki nuk i ka vënë interesat politike e partiake të regjimit komunist mbi ato nacionale dhe kombëtare edhe pse ai regjim atij i ka krijuar privilegje të rralla sepse ishte ndër personalitetet e pakta të asaj kohe që ka pasur mundësi me udhëtua dhe me vizitua Shqipërinë. Po më së miri këtë konstatim po e ilustrojmë me fjalën e tij: “Gjithë jeta e jeme ka kalue pa u përzie as në politikën e Shtetit Shqiptar e as të ndonji shteti tjetër, due me thanë s’kam marrë pjesë as ndër adventura të ndonji politikani ambicjoz e as të ndonji klike e grupi politik me interesa personale, lokale, regjionale edhe partiake”.

Mirëpo qëndrimet e tij prej një dijetari të paepur gjithmonë kanë hasur në refuzime duke e izoluar dhe përbuzur tej mase. Ndonëse mendimi i tij ka ushtruar ndikim në qarqet intelektuale të kohës, dhe ai u ka ndejtë konsekuent pikëpamjeve të tija edhe kur ka bërë ndonjë vlerësim për Shqipërinë ai ka folur troç: “Shqipnija e 1913 për mue ma fort – shkodranisht – asht nji vend dreqit a ma mirë vend haram e vend vakuf: I mallkuem nga DJALLI por i bekuem nga ZOTI: Si i mallkuem nga Djalli ka për të qenë gjithmonë objekt grindjesh, gryksinash e inatesh … personale, lokale e internacjonale; i bekuem prej Zotit sepse çdo dorë grabiqare që në të digjet, shkrumbohet e cungohet për të zezën e vet”.
Kontributi i prof.dr.Krist Malokit për nacionalizmën shqiptare qysh nga vitet 30-ta të shekullit të kaluar është i madh.

Ai ishte një kritik letrar mjaftë i rreptë. Një filozofë i mendimit të preftë. Dhe një ekonomist i dalluar, po aq dhe muzikolog i dashur dhe respektuar. Ai, tha se Naim Frashëri nuk mund të krahasohet me poetët e mëdhenj “Dichter” të kohës siç janë Gette e Dante. Ai shtroi dilemën “A është poet Lasgushi”, kritikoi Mitrush Kutelin, lavdëroi Fishtën me të gjitha mangësitë e një heroi epik që ia ka theksuar. Adhuroi Avni Rrustemin si hero i veprimit politik, dhe krenohej vazhdimisht që ishte kosovar, humanist dhe me pikëpamje oksidentale deri në çastin kur i mbylli sytë më 24 nëntor 1972.

Ai, u varros në Graz të Austrisë i përcjellë nga bashkëshortja Prof. Freya Maloki, kushëriri Rrok Maloki, si dhe nga kolonia e vogël shqiptare e Graz-it, po më shumë nga një numër i madh nxënësish e kolegësh akademikë që e kanë nderuar dhe respektuar vazhdimisht. Sot, trupi i Krist Malokit prehet në varrezat e qytetit të Graz-it në Austri, duke lënë pas vetës një opus të gjerë studimor e shkencor me vlera të rralla e specifike për trashëgimin kulturore, shkencore e studimore për kulturën austriake, e veçmas për atë shqiptare.