Pija energjike B-52, në Shqipëri e falsifikuar, ‘luftë’ me origjinalin

0
65

Aktualitet Nga ARSEN RUSTA, 01 Shkurt 2013

Kanaçja ka ndryshuar qe nga viti 2011

TIRANE – B52 e njohur si një markë luftarake në Shqipëri ka hapur një “luftë” të zjarrtë midis pijes energjike origjinale dhe asaj të “falsifikuar”. Përfaqësuesit ligjor të firmës holandeze Bavaria, e cila ka pronësinë e markës, prej kohësh është në gjyq me firmën shqiptare Arseni Sh.p.k, e cila sipas holandezëve prodhon një pije me të njëjtin emërtim duke imituar dhe imazhin e kanaçes, por kjo pije është e “falsifikuar”.

Dikur B-52 u prezantua si një markë luftarake e avionit bombarduesit gjatë luftës së gjirit Persik në vitin 1992, ndërsa sot B-52 është një markë e cila i ka rezistuar kohërave dhe është kthyer në një pije energjike.

Por çfarë ndodh në tregun shqiptar? Në mungesë të avionit B-52, lufta bëhet për pijen energjike me të njëjtin emër në një treg, ku mungojnë rregullat dhe konsumatorët nuk mbrohen nga askush.

Në tregun shqiptarë ekzistojnë në fakt 3 modele të pijes energjike B-52, një proces i hapur gjyqësor dhe dy palë të cilat pretendojnë të drejtën e pronësisë mbi markën dhe tregtimin e kësaj pije energjike!

Tregu – 3 kanaçe
1. Origjinale me ngjyrë gri dhe gërma të kuqe që e prodhojnë holandezët
2. Ngjyrën gri me blu dhe jeshile me blu që prodhohen në Maqedoni

Konflikti
Përfaqësues ligjorë në Shqipëri të shoqërisë “Bavaria”, Arian Gjolaj , që importon pije origjinale nga Holanda shpjegojnë se kompania shqiptare “Arseni sh.p.k” prodhon vetë pijen B52 në Gostivar të Maqedonisë dhe në kanaçe vendos emërtimin prodhues dhe importues në Evropë duke nxjerrë në treg 2 lloj të falsifikuara në shkelje të ligjeve dhe të drejtës së markës.

Në fakt kompania Arseni sh.p.k ka qenë distributor i “Bavarisë” dhe B52 origjinal, por vetëm nga viti 2006 deri në vitin 2010. Pas vitit 2010 deri më tani “Arseni sh.p.k” sipas Gjolaj, ka filluar ta prodhojë vetë pijen energjike në mënyrë klandestine.

Pija Origjinale – DALLIMET
Sipas importuesit Arian Gjolaj B-52 origjinal ka këto karakteristika:
Që nga viti 2010 e deri me sot, ngjyra zyrtare e B52 është gri me gërma të kuqe.
Pija e falsifikuar ka ngjyrën gri me blu dhe jeshile me blu.
Elementi tjetër dallues është numri i serisë së kanaçeve, i cili tek produkti i prodhuara në Holandë fillon me shifrën 8 ndërsa në kanoçet e falsifikuara fillon me shifrën 5.

Gjithashtu, në ambalazhin e pijes (kanaçe), shënohet vendi i origjinës, Holanda dhe emri i distributorit ekskluziv të autorizuar për tregun shqiptar është B&M sh.p.k, Koplik M.Madhe, Shkodër. Ndërkohë që në produktet e tregtuar nga “Arseni” Sh.p.k lexoime “prodhuar në EU (European Union)”.

Për kontrollin e produkteve që futen apo prodhohen në tregun shqiptar, përgjegjës për kontrollin e cilësisë dhe mënyrës së prodhimit janë drejtoria e markave dhe patentave, organet tatimore, organet doganore si dhe zyra e mbrojtjes së konsumatorit në varësi të Ministrisë së Bujqësisë dhe Ushqimit. Institucione të cilat përballë kësaj situate duken se kanë fjetur.

Prej viti 2005 deri në vitin 2010, Bavaria ka prodhuar pijen energjike B-52 me kanaçe me ngjyrë blu por kjo markë e regjistruar nuk përdoret më dhe ne prodhojmë vetëm kanaçe me ngjyrën gri dhe gërmat e kuqe, shton Gjolaj.

Dogana-Gjyqi
Sipas përfaqësuesve ligjorë të Bavaria, “Në doganën e Shkodrës u bllokuan 432 mijë copë kanaçe pijeje energjike joalkoolike B-52, që bëjnë në total një sasi prej 108 mijë litrash të ngarkuara në 5 trajlera.

Arsyeja e bllokimit është se autoritetet doganore kanë dyshuar në lidhje me cenimin e një drejte të pronësisë industriale, përkatësisht të markës tregtare |B-52”.
Pas dërgimit të çështjes në gjyq nga prodhuesi Arseni Sh.p.k, gjykata e shkallës së parë në Shkodër vendosi të zhbllokoj sasinë e bllokuar nga doganat duke i dhënë të drejtë firmës shqiptare e cila akuzohet nga holandezët si firma e cila ka vjedhur markën dhe prodhon një produkt të rrezikshëm për tregun.

Përfaqësuesit ligjor të firmës Bavareze të cilët nuk janë dakord me vendimin e gjykatës së shkallës së parë në Shkodër, thonë se kjo gjykata nuk ka tagrin të jap të tilla vendime, dhe për këtë arsye ky vendim është apeluar në gjykatën e apelit në Shkodër nga ana e tyre.

Fabrika në Bavari-Holandë
Menaxheri i përgjithshëm i kësaj kompanie Gijs Sëinkels ka bërë publik faktin se marka e tyre falsifikohet dhe autoritet shqiptare nuk veprojnë për të ndalur këtë veprim të paligjshëm i cili dëmton drejpërsëdrejti konsumatorin dhe prodhuesin i cili ka pronësinë mbi markën.

Sipas Gijs, pija e falsifikuar prodhohet në Maqedoni dhe firma Bavaria me qendër në Holandë nuk i ka dhënë askujt licencë për ta kopjuar produktin. Ne kemi një vit që nuk prodhojmë B52 me kanaçe blu, thotë menaxheri i Bavaria ndërsa shpreh habinë se si një firmë shqiptare nxjerr në treg këtë produkt duke falsifikuar dhe kanaçen aktuale atë me ngjyrë gri.

(ad.ti/eç/shqiptarja.com)